Shkruan: Hisen Berisha
Marrëveshja për anëtarësimin e Kosovës në “Bordin e Paqes”, e arritur në bashkëpunim të drejtpërdrejtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfaqëson një nga zhvillimet më të rëndësishme strategjike të viteve të fundit në fushën e politikës së jashtme dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës.
Kjo marrëveshje nuk është një dokument teknik apo simbolik, por është një instrument shumëdimensional që e vendos Kosovën në një arkitekturë të re ndërkombëtare të sigurisë, ku roli i saj nuk është më vetëm përfitues i sigurisë, por kontribuues aktiv në menaxhimin e krizave globale dhe në operacionet e paqes.
Në këtë kontekst, rëndësia e saj duhet të lexohet në disa nivele.
Së pari, ajo thellon në mënyrë substanciale partneritetin strategjik me SHBA-të, duke e zhvendosur Kosovën nga një pozitë e mbështetjes tradicionale në një marrëdhënie më të avancuar të bashkëveprimit operacional.
Së dyti, kjo marrëveshje e rrit profilin ndërkombëtar të Kosovës si subjekt politik i besueshëm dhe i gatshëm për të marrë përgjegjësi në çështje globale të sigurisë.
Së treti, ajo krijon një platformë të re për afirmimin e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera në operacione ndërkombëtare, duke kontribuar drejtpërdrejt në ndërtimin e kredibilitetit shtetëror.
Prandaj, fakti që Kosova tashmë ka ndërmarrë hapa konkretë, siç është vendimi për dislokimin e trupave në misione ndërkombëtare, përfshirë edhe në Gaza, nuk duhet parë si veprim i izoluar, por si pjesë e një vizioni më të gjerë strategjik që lidhet drejtpërdrejt me këtë marrëveshje.
Megjithatë, këtu lind paradoksi më i madh institucional dhe politik, ndërkohë që shteti vepron si aktor i përgjegjshëm në skenën ndërkombëtare, Kuvendi i Kosovës vazhdon të vonojë ratifikimin e instrumentit juridik që e legjitimon këtë rol.
Ky bllokim, i cili është artikuluar përmes pretendimeve për amendamentimin e nenit 2 të marrëveshjes, paraqet një keqkuptim të thellë, ose një instrumentalizim të qëllimshëm politik, të natyrës së marrëveshjeve ndërkombëtare të këtij niveli.
Deklaratat publike që kanë dalur nga Komisioni për Punë të Jashtme, kryesuesja e këtij komisioni, që sugjerojnë nevojën për “ndërhyrje në formulimin e nenit që përcakton qëllimin dhe mandatin e Bordit”, jo vetëm që janë të pasakta në aspektin juridik, por edhe reflektojnë një qasje të rrezikshme politike ndaj marrëdhënieve strategjike të Kosovës.
Është elementare në të drejtën ndërkombëtare që marrëveshjet e këtij lloji, veçanërisht ato të negociuara dhe të nënshkruara me një partner si SHBA, nuk janë dokumente që hapen për amendamentim të njëanshëm nga parlamentet kombëtare.
Në këtë kuptim, çështja e “Bordit të Paqes” nuk është thjesht një debat mbi një nen apo një formulim teknik. Ajo është një provë e drejtpërdrejtë e seriozitetit të shtetit në raport me politikën e jashtme dhe me partneritetet strategjike. Sepse një shtet që synon të jetë pjesë aktive e sigurisë globale nuk mund të funksionojë me dy realitete paralele, pra, një që angazhohet ndërkombëtarisht dhe një tjetër që e bllokon këtë angazhim brenda vetes.
Teksti i marrëveshjes:
REPUBLIKA E KOSOVËS KUVENDI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS
MARRËVESHJE
ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për anëtarësimin në Bordin e Paqes
Neni 1
(Anëtarësimi)
Republika e Kosovës pranon të bëhet anëtare e mekanizmit ndërkombëtar të njohur si “Bordi i Paqes”, në përputhje me parimet, standardet dhe detyrimet që burojnë nga kjo marrëveshje dhe nga aktet përbërëse të këtij mekanizmi ndërkombëtar.
Neni 2
(Qëllimi dhe Mandati)
Kjo marrëveshje ka për qëllim të përcaktojë kornizën e bashkëpunimit ndërmjet palëve për:
* promovimin e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare;
* menaxhimin dhe stabilizimin e konflikteve ndërkombëtare;
* mbështetjen dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare të paqes;
* koordinimin e veprimeve me shtetet anëtare dhe partnerët strategjikë;
* avancimin e rolit të Republikës së Kosovës si kontribuues aktiv në sigurinë globale.
Neni 3
(Detyrimet dhe Kontributi i Palëve)
Republika e Kosovës angazhohet që:
* të kontribuojë në aktivitetet e Bordit të Paqes në përputhje me kapacitetet e saj institucionale dhe ushtarake;
* të marrë pjesë në operacione ndërkombëtare të paqes, në përputhje me vendimet përkatëse të institucioneve shtetërore;
* të bashkëpunojë ngushtë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe shtetet e tjera anëtare për realizimin e objektivave të përbashkëta;
* të respektojë standardet, procedurat dhe praktikat e përcaktuara nga mekanizmi ndërkombëtar i Bordit të Paqes.
Neni 4
(Hyrja në Fuqi)
Kjo marrëveshje hyn në fuqi pas ratifikimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe përfundimit të procedurave të brendshme ligjore nga palët nënshkruese.
MEMORANDUM SHPJEGUES
Kjo marrëveshje përfaqëson një instrument strategjik të politikës së jashtme dhe të sigurisë së Republikës së Kosovës, përmes së cilit:
* Kosova integrohet në një mekanizëm ndërkombëtar për menaxhimin e krizave dhe operacioneve të paqes;
* forcohet partneriteti strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës;
* rritet roli dhe kredibiliteti ndërkombëtar i Kosovës në fushën e sigurisë;
* krijohen mundësi për pjesëmarrje në misione ndërkombëtare dhe operacione paqeruajtëse.
Kjo marrëveshje është e natyrës ndërkombëtare dhe si e tillë:
* nuk mund të amandamentohet në mënyrë të njëanshme nga Kuvendi i Republikës së Kosovës;
* mund të ratifikohet ose refuzohet si tërësi;
* kërkon trajtim institucional dhe përgjegjësi të lartë shtetërore në vendimmarrje.
Prishtinë [Data e procedimit në Kuvend]





