Politika ditore larg duart nga UÇK- ja dhe gjuha!

- Advertisement -

Shkruan: Astrit Gashi

Gjërat e shenjta të një kombi nuk janë pronë e politikës ditore. Ato nuk guxojnë të përdoren si mjete propagande, si flamuj fushatash apo si strehë për interesa personale të askujtë. Sakrifica, gjaku dhe idealet e një populli janë mbi partitë, mbi pushtetin dhe mbi ambiciet individuale.

Kur politika fillon të përdorë vlerat më të shtrenjta kombëtare për përfitime të momentit, atëherë nis degradimi moral i shoqërisë.

UÇK-ja nuk lindi për poste, për tenderë apo për pazare politike. Ajo lindi nga dhimbja, nga robëria dhe nga ëndrra për liri e dinjitet kombëtar.
Prandaj, kushdo që tenton ta përdorë emrin e saj për interesa të ngushta politike, në të vërtetë po e dëmton kujtesën e atyre që dhanë gjithçka për këtë komb.

Jam krenar që pata fatin të jetoj dhe të jem pjesë e epokave më të ndritshme të rezistencës sonë nga protestat studentore e deri te ditët e lavdishme të UÇK-së. Ishin vite sakrifice, ideale dhe besimi se po ndërtonim një të ardhme më të drejtë për kombin tonë.

Por sot më dhemb zemra kur shoh se si disa njerëz shkelin me dy këmbë mbi ato vlera sublime për të cilat ranë djemtë më të mirë të këtij populli duke na shkelur dhe të gjallët e saj. Dhe për këtë fajtorë jemi të gjithë.

Sepse heshtëm.
Sepse i lamë pa mbrojtje vlerat tona.
Sepse shumë prej atyre që morën besimin e popullit nuk i afruan pranë vetes ushtarët më të mirë, por njerëz të lidhur me regjimet e vjetra, vetëm pse kishin para dhe ndikim.

Sot dikush fyen luftëtarët, dikush gjykohet padrejtësisht, e dikush harrohet krejtësisht. Kjo ndodh kur shkelet gjaku i shokëve tanë dhe kur idealet zëvendësohen me interesa personale.

Tani po ju shkruaj nga Çarshia e Vjetër e Shkupit dhe zemra më plas kur shoh një pronar lokali shqiponjën shqiptare të tatuazhuar por lart në hymje të këtij lokali si dhe të 80% lokaleve janë shkronjat cirilike maqedonase. Një përzierje pa identitet, pa vetëdije dhe pa respekt për sakrificat tona kombëtare. Nuk është problem bashkëjetesa, unë e dua diversitetin sepse është vlere por problemi është humbja e vetëdijes.

Dje ‘studentët’ protestuan për gjuhën shqipe. Dhe po, është e drejtë legjitime. Duhet të protestohet deri në fund për të drejtat tona.
Por jo me agjenda politike.
Jo me njerëz të porositur.
Jo duke manipuluar emocionet e popullit për interesa të errëta.

Vëllezër dhe motra, ende i kemi të freskëta plagët e Kumanovës. Ende na dhembin deri në palcë djemtë që ranë atje. Shumë prej tyre u mashtruan dhe u hodhën në kurthe nga lojërat e shërbimeve të ndryshme.

Sot kush kujdeset për familjet e tyre? Kush i kujton me dinjitet?

Më dhemb zemra për ata djem.

Prandaj nuk dua që askush të përdoret më si mish për interesa politike apo skenarë të huaj.
Ruajeni qetësinë. Ruajeni mençurinë. Mos e humbni arsyen në kohë emocionesh.

Veproni me mendjen tuaj. Mos lejoni askënd të mendojë në emrin tuaj. Sepse kombi nuk mbahet vetëm me zemërim, por me vetëdije, mençuri dhe dinjitet.
Dje nuk isha ne protestë sepse, shqiptarinë e dua me shumë së interesat e poltikës ditore.
Si banori me I ri I Shkupit sot, nesër dhe kurdoherë si gjithmonë në vijën e parë por asnjëherë me agjenda të huja.

Të ngjashme

Të fundit