Shkruan: Ramiz Lladrovci
Në kohën e paqartësive, gjetja e fajtorit për gjendjen është problem, sepse vetvetiu i shton paqartësitë. Një popull që lejon të mashtrohet, e gjejnë të gjitha të ligat. Ligji për Gjykatën speciale, qofsha i gabuar, por, po duket sikur është bërë vetëm sa për ta kundërshtuar.
Partia ime, e cila mori përgjegjësinë e çështjes së Hagës dhe ia dha si detyrë disa individëve, do të duhej parë si obligim shtetëror, pa e ngushtuar rrethin e mbrojtjes së fuqishme të krerëve të UÇK-së në Hagë. Çështja e mbrojtjes së heronjve tanë të luftës dhe paqes, është detyrë e shtetit dhe të një kombi, përtej një partie.
Fillimisht mbrojtja u sanksionua me ulje të buxhetit. Diplomacia aleate, mbeti pa vendin e saj meritor brenda ekipit të mbrojtjes, angazhimi i juristëve dhe institucioneve më të çmuara në botë, mbetën pa përfaqësim në Grupin e mbrojtjes dhe përgatitjen e opinionit botëror për padrejtësinë që po i bëhej Kosovës dhe liderëve tanë duke e shndërruar gjyqin për drejtësi në gjyq politik.
U bënë gjashtë vjet dhe ende nuk e kemi qartësinë e duhur se cila është e vërteta për mbrojtjen e liderëve tanë, Hashimit, Kadriut, Jakupit, Rexhës dhe të tjerëve. A kemi bërë sa duhet, a ka qenë mbrojtja efikase, a janë shfrytëzuar të gjithë mekanizmat, apo, i kemi lënë çlirimtarët vetëm. Historia jonë ata do t’i çmojë përjetësisht dhe e vërteta e çlirimit tonë, duhet parë ashtu siç ishte edhe nga të huajt.
Heronjtë tanë të luftës dhe paqes, nuk janë pasojë e një reagimi kryengritës. Ata janë personifikim dhe identifikim të përgjegjësive për çlirim, të punës dhe realizimit të idealit të gjeneratave të tëra të cilat kontribuan për krijimin e shtetit tonë. PDK nuk ka sukses nëse e vetme i mbron ata. Fronti për mbrojtjen e heronjve tanë, do të duhej të ishte i gjerë dhe me nivelin e seriozitetin e luftës çlirimtare në rrethana tjera.
Nuk është e mjaftueshme përkrahja nëpërmjet një fotoje para Gjykatës, as bartja e porosive të heronjve tanë të luftës dhe paqes. Republika e Kosovës, e ka detyrim të mbroj liderët e saj, me çdo kusht dhe me të gjitha mjetet ligjore. Ligji i ri, do hartuar me ekspertë ashtu që të mbroj në mënyrë të vendosur luftën e drejtë për liri dhe krerët e kësaj lufte.
Pamjet e sotme nga Prishtina, deri sa po largohet nga shtëpia e vet Baca Jakup, peshojnë mbi të sotmen tonë, pafuqinë dhe mungesën e përgjegjësisë institucionale, duke vënë në dyshim aftësinë, vullnetin dhe dëshirën tonë për ta bërë mbrojtjen meritore të jetës dhe veprës atdhetare të tij dhe bashkëluftëtarëve për Kosovën dhe kombin.
Ndryshe, dëmi që po i shkaktohet Kosovës sot, do të jetë barrë edhe për gjeneratat.
https://www.facebook.com/share/1FWsJaNo1t/?mibextid=wwXIfr






