Baton Haxhiu sjell dy libra për luftën, intervista: Batoni i luftës dhe Batoni i sotëm janë dy njerëz të ndryshëm

- Advertisement -

Në librat “Kosova, historia që zhbëri ish-Jugosllavinë” dhe “Brenda Luftës”, Baton Haxhiu rikthehet te vitet e luftës përmes dokumenteve, dëshmive dhe kujtesës personale. Në këtë intervistë, ai rrëfen përvojën e njeriut që e përjetoi luftën nga afër dhe përpiqet ta dokumentojë atë pa e parë të shkuarën me sytë e së tashmes. Flet për rezistencën shqiptare, figurat dhe vendimet që ndikuan në fatin e Kosovës, rolin e Shqipërisë dhe të faktorit ndërkombëtar, por edhe për dilemat morale e politike të asaj kohe. Një bisedë mbi kujtesën, përgjegjësinë dhe distancën mes njeriut që ishte në luftë dhe atij që është sot.

Djem, ju nuk e dini çka është lufta.” Kjo fjali e ambasadorit amerikan Richard Huckaby, drejtuar Baton Haxhiut pas një prej rrëfimeve të para për luftën në Kosovë, do të mbetej gjatë në kujtesën e tij. Atëherë ishte një gazetar i ri, por vitet që pasuan do ta përballnin me realitetin më të pamëshirshëm të luftës: shkatërrimin, kufomat, humbjen e gjysmës së familjes dhe shpalljen e tij të vdekur për dhjetë ditë. Përmes dy librave të rinj, botuar nga UET Press, Kosova, historia që zhbëri ish-Jugosllavinë dhe Brenda Luftës, Haxhiu sjell jo vetëm historinë e një vendi që luftonte për mbijetesë, por edhe dëshminë personale të një njeriu që u gjend në qendër të ngjarjeve. Nga shpërbërja e Jugosllavisë, te lufta në Kosovë dhe komunikimet me figurat më të rëndësishme të politikës botërore, rrëfimi i tij synon t’i afrojë lexuesit shqiptarë të Shqipërisë me një histori që shpesh mbetet jashtë njohjes së tyre.

Brenda Luftës e rikthen autorin në kohën kur askush nuk e dinte se çfarë do të sillte e nesërmja. “Qetësia ime e të rrëfyerit realisht është një dhimbje”, shprehet ai, duke pranuar se shkrimi i këtyre librave e ka detyruar t’i ripërjetojë traumat e luftës.

Rikthimi te lufta përmes shkrimit ishte i dhimbshëm. Traumat janë ende aty dhe ndoshta këta libra, veçanërisht Brenda Luftës është një lloj pastrimi shpirtëror, çlirimi, që vjen vetëm kur kthehesh pas në kohë tek ato plagë të vjetra. Ai kujtoi sesi atëkohë e përcolli të birin, Andin, drejt Prizrenit, për ta larguar nga zona e konfliktit dhe sesi sot dy djemtë e tij, Andi dhe Joni janë lexuesit dhe redaktorët e parë të librave. Gazetari i njohur zbuloi se librin e ka shkruar në një distancë të gjatë kohore, duke e përfunduar atë në periudhën 2025-2026, por brenda shtoi ai “do të gjeni atë Batonin naiv”, të atyre kohëve, i cili nuk kupton se ç’do sjellë e nesërmja e ç’do të ndodhë me luftën.

Çfarë përjeton një njeri kur, brenda pak ditësh, kalon nga shpallja e vdekjes dhe madhërimi publik te rikthimi në jetë dhe sulmet ndaj tij? A ishte pikërisht kjo përvojë një nga arsyet më të forta që ju shtyu t’i riktheheshit traumave të luftës dhe t’i shkruanit në këtë libër?

Fotografinë e parë që kisha menduar për veprën e dytë ishte fotografia e Andit. E kisha përcjellë atë dy ditë para fillimit të bombardimeve, ndërsa fotografinë e tij e botova tre muaj më vonë. Kjo është një nga traumat që më ka shoqëruar gjatë gjithë jetës. Ishte pikërisht ajo dhimbje për të cilën kisha dëshirë të shkruaja. Kam kaluar përvoja që një njeri i zakonshëm vështirë se mund t’i përballojë, gjëra që ndoshta as nuk mund t’i imagjinoni. Qetësia me të cilën rrëfej nuk është mungesë dhimbjeje; përkundrazi, ajo është vetë dhimbja. Brenda këtij libri do ta shihni se çfarë është lufta. Në të vërtetë, nuk kam pasur kurrë dëshirë të kthehem te ato përjetime. Por njeriu, përmes asaj që mund ta quajmë naivitetin e jetës, nuk e di kurrë nëse dita e nesërme do të jetë ditë jete apo vdekjeje. Dhe ju nuk mund ta kuptoni lehtë se çfarë do të thotë të shpallesh i vdekur. Unë jam shpallur i vdekur për dhjetë ditë. Ky është ndoshta një nga rrëfimet më të forta të librit. Gjatë shkrimit të tij, i kam ripërjetuar të njëjtat ngjarje dhe emocione që po jua tregoj tani. Kur je brenda ngjarjes, kur e përjeton drejtpërdrejt, gjen një forcë për të vazhduar. Por më vonë, kur sheh se si një organizatë e madhe si NATO, me gjithë informacionin që dispononte, të shpall të vdekur në një konferencë, e kupton se çfarë peshe merr një lajm i tillë. Pastaj sheh se si të tjerët ndërtojnë rrëfime për ty, disa prej të cilave janë të ekzagjeruara dhe që, sinqerisht, as nuk i meritoja.

Në vitin 1999, nuk kishte pothuajse asnjë gazetë të madhe ndërkombëtare që të mos kishte shkruar për mua, duke më portretizuar si një nga gazetarët më të mirë, si një njeri të jashtëzakonshëm dhe si një figurë të madhe të kohës. Por unë e dija se nuk isha domosdoshmërisht ai personazh që krijonin titujt e gazetave. Dhe pastaj, kur shpallesh sërish i gjallë, sheh se si disa prej atyre që të kishin madhëruar më parë, ndryshojnë qëndrim dhe fillojnë të të sulmojnë, madje edhe të të qortojnë pse nuk kishe vdekur.

Këto janë përjetime thellësisht traumatike, të cilat nuk zhduken me kalimin e kohës, por lënë gjurmë për gjithë jetën.

Përveç këtij episodi kur NATO ju shpalli të vdekur dhe përjetimeve që keni rrëfyer deri tani, çfarë plagësh të tjera, kujtimesh apo traumash nga lufta mbartni ende me vete dhe që ndoshta nuk keni arritur t’i ndani kurrë publikisht?

Një nga dhimbjet më të mëdha të jetës sime është vrasja e gjysmës së familjes sime gjatë luftës. Megjithatë, për këtë nuk kam folur kurrë publikisht. Gjatë gjithë këtyre viteve kam vërejtur një lloj snobizmi elitar të panevojshëm në botën shqiptare, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Shumë njerëz përpiqen të ndërtojnë një rrëfim për familjet e tyre, për prejardhjen feudale, për baballarët patriotë apo për të kaluarën familjare, me qëllim që të fitojnë një vend në elitën shoqërore.

Unë, përkundrazi, nuk kam folur kurrë publikisht për babanë tim, i cili ishte një patriot i jashtëzakonshëm, as për familjen time që u vra gjatë luftës. Kam besuar se rëndësia e një njeriu nuk ndërtohet duke u mbështetur vazhdimisht te e kaluara familjare apo te rrëfimet për veten. Të jetosh duke u vendosur gjithmonë në qendër të historisë, në vetën e parë, mund të të bëjë njëkohësisht të rëndësishëm dhe të parëndësishëm.

A mendoni se ende nuk e kemi shkruar dhe kuptuar sa duhet dhimbjen tonë të përbashkët historike?

Ndaj të gjithë atyre që ndërtojnë identitetin e tyre përmes këtij snobizmi elitar, kam ruajtur gjithmonë një distancë të kujdesshme, madje do ta quaja një distancë higjienike. Besoj se me këtë snobizëm, me të cilin jam përballur sidomos në Kosovën e pasluftës, e kam fituar betejën time.

Mendoj se në një mundësi tjetër do të doja të shkruaja për dhimbjen historike të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni. Janë tri përvoja të ndryshme historike: Kosova, e cila përjetoi represionin dhe pasojat e të qenit pjesë e Jugosllavisë; Shqipëria, e cila kaloi pesëdhjetë vjet nën një elitë komuniste; dhe shqiptarët në Maqedoni, të cilët u përballën me sfidat e asimilimit dhe të ruajtjes së identitetit të tyre, në rrethana të ndryshme historike e politike.

A ju ngjan se mes intelektualëve dhe mediave në Shqipëri dhe atyre në Kosovë ekziston ende një hendek në njohjen dhe kuptimin e historisë së përbashkët shqiptare? Dhe sa përgjegjësi kanë librat, media dhe vetë elitat intelektuale për ta kapërcyer këtë distancë?

Këta libra i kam shkruar duke pasur në mendje lexuesin shqiptar të Shqipërisë. Gjuha dhe mënyra e rrëfimit janë përshtatur posaçërisht për këtë publik, sepse kam dashur t’ua bëj më të kuptueshme se çfarë përfaqësonte ish-Jugosllavia dhe çfarë kishte përjetuar Kosova.

Dhe a e dini pse e kam bërë këtë? Sepse, në takimet që kam pasur, kam vërejtur se një pjesë e konsiderueshme e intelektualëve dhe gazetarëve në Shqipëri janë të përqendruar vetëm te Shqipëria. Duket sikur janë të vetëkënaqur me hapësirën e tyre dhe nuk kanë shumë dëshirë të dalin përtej kësaj kornize. Interesimi i tyre shpesh shkon deri te Italia dhe Greqia, ndërsa zhvillimet në rajon mbeten jashtë vëmendjes së tyre.

Ndoshta kjo lidhet edhe me një orientim të caktuar oksidental të shoqërisë shqiptare në Shqipëri. Ndoshta lidhet edhe me atë që, siç shprehet Aurel Plasari, quhet vija e Teodosit. Por unë nuk e ndaj këtë interpretim dhe e refuzoj një ndarje të tillë si shpjegim për këtë distancë kulturore dhe intelektuale.

Ju keni rrëfyer edhe më herët zhgënjimin e madh që përjetuat gjatë vizitës suaj të parë në Shqipëri, në vitin 1992, kur realiteti që gjetët ishte krejtësisht ndryshe nga Shqipëria që babai juaj jua kishte përshkruar. Si e përjetuat atë përplasje mes Shqipërisë së idealizuar nga rrëfimet dhe Shqipërisë që ju u shfaq përballë?

Në vitin 1992 kam ardhur për herë të parë në Shqipëri. Këtë përvojë do ta gjeni edhe në libër. E di mirë se si e kam përjetuar atë vizitë, sepse babai im ma kishte madhëruar pafundësisht një Shqipëri që, në realitetin e asaj kohe, nuk ekzistonte më.

Kur u ktheva, qava me të njëjtin intensitet siç më ndodh edhe sot kur e kujtoj atë përvojë. Përballë meje ishte Shqipëria e vitit zero, një realitet që nuk mund ta besoja se ishte vendi për të cilin babai më kishte folur gjithë jetën. Ishte një përplasje e dhimbshme mes Shqipërisë që kisha ndërtuar në imagjinatën time përmes rrëfimeve të tij dhe Shqipërisë që po shihja me sytë e mi.

Pas luftës, kur e pyeta babanë për këtë mospërputhje, ai më dha një përgjigje që nuk e kam harruar kurrë: “U desh të përcaktoheshim mes Beogradit dhe Tiranës. Unë jam përcaktuar me Tiranën dhe me gënjeshtrën”.

Sot, në njëfarë mënyre, e falënderoj që më kishte gënjyer. Ndoshta, nëse të gjithë do ta kishin treguar të vërtetën për Shqipërinë e asaj kohe, shumë shqiptarë të Kosovës mund të ishin orientuar drejt Beogradit dhe Jugosllavisë. Babai im kishte zgjedhur ta ruante idealin e Shqipërisë, edhe duke e mbrojtur atë përmes një të vërtete të idealizuar.

Duke qenë se në librin tuaj e rrëfeni historinë nga brenda ngjarjeve, pa e ditur se si do të përfundonin ato, sa e vështirë ishte të përballeshit me kundërshtimin e atyre që nuk besonin te UÇK-ja dhe njëkohësisht të bindnit botën se Kosova po përjetonte një luftë për mbijetesë?

Këtë mund ta shkruaja nga këndvështrimi i vitit 2025–2026. Por kam zgjedhur ta vendos Batonin brenda të gjitha atyre viteve që ai vetë ka përjetuar: shkatërrimin, luftën dhe krijimin e shtetit.

Në libër, personazhet, përfshirë edhe Batonin, shfaqen si njerëz që nuk e dinë se çfarë do të ndodhë të nesërmen. Nuk e dinë si do të përfundojë lufta, nëse Kosova do të çlirohet apo nëse një ditë do ta gjejnë veten diku në një shtet evropian, si refugjatë.

Në momente të caktuara, Batoni gjendet duke komunikuar me presidentë dhe me njerëzit më të rëndësishëm të botës, përmes telefonit, nga një kafene në Tetovë. Ndoshta nuk e keni idenë se me kë ka biseduar ky njeri gjatë vitit 1999. Në një kohë kur Kosovës i mungonte një zë i organizuar në arenën ndërkombëtare dhe shumëkush ishte tërhequr, unë nuk ia besoja as vetes se isha pikërisht unë ai që duhej të fliste në emër të gjithë atyre shqiptarëve.

Kam folur me Bill Clintonin, Madeleine Albrightin, Robin Cookun, Hubert Védrine, Jacques Chirac, Javier Solanën, komandor David Wilbyn, Tony Blairin, Alastair Campbellin dhe shumë të tjerë. Shpesh mendoja se një njeri si unë nuk e meritonte të gjendej në ato rrethana dhe në ato biseda. Por ky nuk ishte rrëfimi për mua si individ. Ishte rrëfimi për një vend që po shuhej dhe për një popull që kishte nevojë të dëgjohej.

Sa e vetmuar ishte ndjenja për të folur në emër të një populli që po përjetonte shkatërrimin, ndërkohë që edhe në arenën ndërkombëtare kishte njerëz që nuk e kuptonin ose nuk e pranonin luftën e UÇK-së?

Me librin e dytë desha të tregoj se si kemi jetuar brenda personazheve tona dhe si e kemi përjetuar atë kohë. Shumë njerëz besonin se nuk do të largoheshim kurrë nga Jugosllavia, sepse e konsideronin veten të pafuqishëm përballë saj. Të tjerë vazhdonin të mendonin brenda logjikës së asaj ideologjie dhe e shihnin Jugosllavinë si një shtet aq të fuqishëm, saqë dukej i pamposhtur. Kjo fuqi krijonte frikë dhe pasiguri edhe te vetë njerëzit tanë.

Unë jam njeriu që kam shkelur mbi kufoma. Unë e kam publikuar fotografinë e foshnjës gjashtëmuajshe nga Abria, në faqen e parë të gazetës. Kam qenë ndër të parët që e kam bërë të njohur UÇK-në në opinionin shqiptar dhe më gjerë. Në këtë kontekst vjen edhe rrëfimi për Ludeviqin, kur kthehem dhe e gjej ambasadorin amerikan në zyrë, i cili më thotë: “Ju nuk e dini çfarë është lufta”.

Ishte një kohë kur në qarqe të caktuara ndërkombëtare kishte shumë kundërshti ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prandaj, për mua, ky libër nuk është vetëm një rikthim në të kaluarën, por edhe një dëshmi për përpjekjen për ta bërë botën të kuptonte se çfarë po ndodhte në Kosovë.

Si është e mundur që Kosova, pjesa më e varfër, politikisht më e dobët dhe institucionalisht më e pafuqishme e Jugosllavisë, të bëhej çështja vendimtare në shpërbërjen e këtij shteti?

Një paradoks që duket i pakonceptueshëm edhe sot, veçanërisht kur në Shqipëri shpesh jemi përballur me pohimin se shqiptarët në Jugosllavi kanë jetuar mirë…

Kur ta lexoni rrëfimin, do ta kuptoni pse dhe si u bë e mundur pavarësia e Kosovës. Të gjithë ata që kishin shërbyer në ushtri apo kishin mbajtur funksione të ndryshme, na flisnin për fuqinë e Jugosllavisë: kishte një ushtri të madhe, që konsiderohej ndër më të fuqishmet në Evropë, diplomaci, institucione dhe mbështetje ndërkombëtare. Kosova nuk ishte as afër përmasave të këtyre fuqive. Por, gjatë leximit të dokumenteve dhe hulumtimit, kuptova se e pamundura mund të bëhej e mundur. Kjo është një mrekulli historike. Historia mori një drejtim paradoksal: Jugosllavia u shpërbë, ndërsa Kosova u bë shtet. Si është e mundur që një shtet me ushtri dhe diplomaci të fuqishme ta humbë ekzistencën e tij, ndërsa një vend që nuk kishte pothuajse asgjë të fitojë shtetësinë? Ky është një paradoks që, në historinë politike dhe diplomacinë, është i vështirë për t’u shpjeguar. Në libër kam dashur të tregoj se si nacionalizmi, e keqja dhe kontradiktat e brendshme mund ta shkatërrojnë një shtet që konsiderohej i fuqishëm. Burgosjet e liderëve në kohën e Titos ishin të vrazhda. Alija Izetbegoviçi, Franjo Tuxhmani dhe Vojisllav Shesheli, pas daljes nga burgu, u bënë pjesë e proceseve dhe iniciativave që kontribuuan në shpërbërjen e Jugosllavisë. Kam dashur t’i tregoj lexuesit se si një shtet që dukej i pamposhtur mund të shkatërrohej nga brenda.

Si i shihni sot ngjarjet e viteve ’80- ’90 dhe çfarë roli mendoni se patën ato në zbulimin e kontradiktave të brendshme të Jugosllavisë dhe në procesin që çoi drejt shpërbërjes së saj?

Një nga tezat që do të veçoja është ajo e ngjarjeve të vitit 1981, të cilat i kam trajtuar ndoshta më së miri në libër. Për një kohë të gjatë, këto demonstrata janë parë me dyshim dhe janë interpretuar në mënyra të ndryshme. Unë jam i bindur se ato nuk e shkatërruan Jugosllavinë, por zbuluan paaftësinë e këtij shteti për të ndërtuar një shoqëri të barabartë, pavarësisht se vetëquhej shtet social. Pabarazia ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, të cilët përbënin kombësinë e tretë më të madhe në Jugosllavi, por nuk kishin republikën e tyre, e bëri gjithnjë e më të dukshme padrejtësinë e sistemit. Pikërisht nga kjo pabarazi nisi të marrë formë rrëfimi i një shpërbërjeje që, në atë kohë, shumëkush e konsideronte të pamundur.

Millosheviçi e përdori çështjen e Kosovës për të marrë pushtetin në Serbi dhe për të eliminuar kundërshtarin e tij politik, Ivan Stamboliçin. Por ambicia për të fituar kontrollin mbi Serbinë e çoi drejt një përfundimi krejt tjetër nga ai që kishte synuar: mori Serbinë, por humbi Jugosllavinë; përfundoi në Hagë dhe humbi edhe Kosovën. Ky është paradoksi i historisë së Millosheviçit dhe një nga linjat kryesore që përshkon librin. Një histori që ri e sjell përmes një rrëfimi të thjeshtësuar, në gjuhë publicistike, por të mbështetur në dokumente, fakte dhe argumente me bazë historike e shkencore.

Sa i dokumentuar është rrëfimi në libër dhe çfarë dëshmojnë dokumentet për rrugëtimin e Kosovës drejt pavarësisë?

Në libër nuk ka asnjë fjali apo rrëfim që të mos jetë i dokumentuar dhe i hulumtuar. Aty gjenden dokumente nga M6 dhe CIA, arkivat dhe bibliotekat presidenciale të Bill Clinton-it dhe Tony Blair-it, dëshmi personale, literaturë historike, si dhe dokumentacioni i Tribunalit të Hagës. Kam dashur që çdo ngjarje dhe çdo pretendim të mbështetet në fakte dhe burime të verifikueshme.

Brenda këtij dokumentacioni është edhe një pjesë e historisë sime personale: unë jam dënuar nga Tribunali i Hagës dhe, formalisht, mbaj edhe etiketimin e kriminelit të luftës, ndonëse, sipas rrëfimit tim, nuk kam kryer asnjë krim. Kam pranuar dënimin për të mos zbuluar burimet e informacionit që kisha, duke mbrojtur kështu njerëzit që më kishin besuar. Një tjetër moment vendimtar që trajtohet në libër është suprimimi i autonomisë së Kosovës dhe shkatërrimi i ekuilibrit kushtetues mbi të cilin mbështetej Jugosllavia. Ky ekuilibër, të cilin e mbronin veçanërisht Sllovenia dhe Kroacia, u godit rëndë nga politika e Millosheviçit. Shkatërrimi i tij shënoi një tjetër hap drejt shpërbërjes së federatës.

Kosova nuk fitoi vetëm një luftë, por arriti të sigurojë edhe një pozicion në rendin ndërkombëtar, duke u shndërruar në shtet të pavarur. Po të shihnim rrethanat e asaj kohe, ky përfundim dukej pothuajse i pamundur. Kosova mund të kishte mbetur një vend me qindra mijëra refugjatë dhe me një popullsi të shpërndarë nëpër botë, por jo domosdoshmërisht një shtet të pavarur. Ka qenë një ndërthurje rrethanash historike dhe politike që e bëri të mundur këtë, një mrekulli historike që, siç shprehet Bato, përbën edhe fatin tonë.

Nga pikëpamja shkencore dhe analitike, këta libra plotësojnë në mënyrë të veçantë disa aspekte të rëndësishme. Së pari, kronotopinë: ngjarjet që lidhen me Kosovën, rajonin dhe botën janë vendosur në një plan retrospektiv, duke krijuar një ndërthurje mes zhvillimeve në nivelin mikro, meso dhe makro. Një tjetër element është prozopografia, përmes së cilës personazhet nuk paraqiten të shkëputur, por vendosen në kontekstin historik dhe në marrëdhënie me njëri-tjetrin. Po kështu, libri mbështetet në vëzhgimin pjesëmarrës, pasi autori ka qenë drejtpërdrejt pjesë e ngjarjeve dhe reflekton mbi to. Sot, ky rrëfim vjen me pjekurinë e nevojshme për ta analizuar një fenomen historik në tërësinë e tij. Do të kisha dëshirë që botimeve t’u shtohej të paktën një bibliografi dhe mendoj se përkthimi i librit në anglisht është i domosdoshëm. Në libër shkruani se pas luftës kujtesa kolektive u përshtat me nevojat politike.

Cilat mendoni se janë rrëfimet kolektive që e kanë shtrembëruar më shumë të vërtetën historike?

Andi dhe Joni, veçanërisht Andi, më kanë sugjeruar që libri të ndërtohej pa fusnota, në mënyrë që ato të mos ia ndërprisnin lexuesit ritmin e rrëfimit. Në fakt, 180 faqet e para të librit të parë i kisha shkruar me fusnota, por Andit nuk i pëlqeu kjo mënyrë.

E kuptoj pse shumë njerëz nuk i shkruajnë vetë autobiografitë, por ia besojnë dikujt tjetër. E kuptoj gjithashtu pse, kur më pas japin intervista apo shkruajnë vetë, largohen shpesh nga e vërteta. Pse nuk e shkrova këtë libër në vitin 2026, duke i analizuar ngjarjet nga perspektiva e sotme? Sepse kisha frikë se edhe unë do të përfundoja duke gënjyer. Prandaj vendosa ta zhvesh veten nga njohuritë dhe gjykimet e mëvonshme dhe ta vendos Batonin brenda kohës, në një gjendje naiviteti, pa e ditur se çfarë do të ndodhte nesër. Nëse do t’i kisha analizuar personazhet e periudhës 1989–1999 nga perspektiva e pasluftës, ata nuk do të kishin më të njëjtën vlerë dhe domethënie që kishin në kohën kur i kam përjetuar. Personazhet për të cilët shkruaj i përkasin vitit 1999. Ata që kanë jetuar pas atij viti janë, në njëfarë mënyre, njerëz të tjerë.

Por ka emra dhe ngjarje konkrete, apo jo?!

Ju pyesni pse kam përdorur emra, situata dhe data konkrete? Pikërisht për të qenë sa më i saktë, për ta argumentuar rrëfimin dhe për të mos bërë pohime të paatribuuara. E di se disa prej miqve të mi mund të ndihen të lënduar, sepse kam përshkruar situata ashtu siç kanë ndodhur, por ky ka qenë realiteti. Batoni i vitit 2026 është një njeri tjetër nga ai i viteve të luftës. Unë nuk i njoh më ata personazhe ashtu siç i kam njohur atëherë.

Sa ka ndryshuar, me kalimin e viteve, mënyra si i shihni njerëzit me të cilët keni ndarë përvojën e luftës?

Në librin e dytë kam një kapitull për Rugovën dhe Millosheviçin. Nuk besoj se më keni dëgjuar ndonjëherë në debate publike të përdor fjalët ‘tradhtar’ apo ‘patriot’. Dhe këtë e bëj për një arsye të vetme: liria të jep lehtësinë për ta gjykuar dhe për ta artikuluar tradhtinë apo patriotizmin mbi bazën e librave që ke lexuar, por jo domosdoshmërisht mbi përjetimin e një situate. Kur je vetë brenda saj, e kupton sa e afërt është vdekja, sa e vështirë është të mbrosh veten dhe sa e ndërlikuar mund të jetë të dallosh kufirin mes tradhtisë dhe përpjekjes për të mbijetuar.

Gjatë okupimit, shtëpia e Rugovës dhe e gjithë lagjja ku ai jetonte ruheshin nga policia serbe. Këtu shfaqet paradoksi i parë: kryetari që fliste për pavarësinë e Kosovës jetonte nën mbrojtjen e forcave të pushtuesit. Paradoksi tjetër lidhet me dhimbjen e një nëne për fëmijët e saj.

Më 2 prill, Rugova shkoi në Beograd, te njeriu që po dëbonte popullsinë e tij. Në përpjekje për të shpëtuar fëmijët, bashkëshortja e tij përgatiti disa gurë të Trepçës, me shkëlqim, që Rugova ua kishte dhuruar secilit prej tyre. I mbështolli me kujdes dhe i vendosi në një tabaka, një dhuratë për Millosheviçin dhe një për Millutinoviçin. Shoferi i vendosi në bagazh dhe u nisën drejt Beogradit. Në një moment kur fëmijët po i largoheshin, kur popullsia e tij po dëbohej, ai u dhuronte gurë njerëzve që qëndronin në anën tjetër të asaj tragjedie. Kjo është edhe një nga dhimbjet e njeriut që kishte luftuar për pavarësinë e Kosovës. Atë natë Rugova qëndroi në shtëpinë e Millosheviçit. Ky i fundit i tha: “Më fal, por unë nuk guxoj të të kthej natën atje, sepse kam frikë se do të të vrasë UÇK-ja”. Të nesërmen, Rugova kërkoi që fëmijët t’i dërgoheshin në Beograd. Policia shkoi me disa vetura, mori familjen dhe fëmijët e tij dhe i çoi në Beograd, e më pas ata përfunduan në azil në Itali.

A mendoni se përgjegjësia për të udhëhequr një popull në kohë lufte mund ta justifikojë një vendim që, nga këndvështrimi i disa njerëzve, mund të shihet si mungesë heroizmi apo edhe si tradhti?

Njerëzit që e shohin historinë në mënyrë të thjeshtësuar, pa hyrë në kompleksitetin e saj, e kanë shumë të lehtë ta quajnë dikë tradhtar. Por kjo është një mënyrë e varfër për ta gjykuar një njeri dhe një kohë. Rugova ishte kryetar dhe mbante mbi vete përgjegjësinë e një populli. Mund të thuhet se ai kishte privilegje, por përgjegjësia e një udhëheqësi në rrethana të tilla nuk mund të matet vetëm me pritshmëritë e heroizmit. Ai mund të kishte zgjedhur të bëhej hero në kuptimin që shumëkush ia kërkonte, por historia nuk mund të gjykohet vetëm nga ajo që, në retrospektivë, duket si zgjedhja e duhur. Këtu hyjnë edhe filozofët, të cilët na shtyjnë të përballemi me pyetjen se çfarë është tradhtia. A mund ta përkufizojmë si të tillë një veprim pa kuptuar rrethanat, frikën, përgjegjësinë dhe mundësitë reale të atij që e ka ndërmarrë? Unë nuk e ndiej veten të aftë ta bëj një gjykim të tillë, sepse kam qenë vetë pjesëmarrës në atë luftë.

A ishte e shmangshme?

Ishte e shmangshme. Nëse e krahasojmë me rastin e Jasharajve, situata kishte edhe një rrugë tjetër: ata mund të shkonin në burg dhe të mos vritej askush. Por intelektualët nuk e kanë të njëjtin ritëm adrenaline. Ata priren t’i stërmendojnë gjërat dhe, në rrethana të tilla, mund të marrin vendime që duken pragmatike, por që sjellin pasoja të rënda. Besoj se kushdo që e lexon këtë rrëfim do të përjetojë një dhimbje të jashtëzakonshme.

Gjykimin po ia lë lexuesit: çfarë bën njeriu kur gjendet përballë pafuqisë? Sikur heroizimi të merrte një formë të ngjashme me atë të Jasharajve, bota do ta shihte krejt ndryshe këtë ngjarje. Flijimi i Rugovës, sipas meje, mund ta kishte përfunduar luftën më shpejt. Mendoj se njerëzit që bëjnë një veprim të tillë, pas luftës, në kohë lirie, nuk duhet të hyjnë në politikë. Po të isha në vendin e Rugovës, nuk do të hyja në politikë.

Për mua, kryefjala e këtij libri është gjykimi politik. Përmes tij, Baton Haxhiu na nxit të kuptojmë se si gjykohet politikisht dhe, pikërisht për këtë arsye, libri merr një rëndësi të veçantë. Gjykimi politik kërkon përvojë, intuitë dhe aftësi për të lexuar rrethanat. Ju keni shtjelluar gjykimet politike të aktorëve të ndryshëm: të atyre që besonin te rruga paqësore, të atyre që mbështesnin luftën dhe të atyre që prisnin ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Asgjë nuk ishte e sigurt dhe asnjëra prej këtyre rrugëve nuk ishte lineare; kishte ndalesa, kthesa dhe vendime të vështira.

Çfarë mund të na thoni për mënyrën se si duhet të gjykojmë politikisht? A ka ndonjë parim apo udhëzim që mund të na ndihmojë ta kuptojmë më mirë këtë proces?

Ata që i marrin vendimet dhe i kryejnë veprimet nuk besoj se mund të mësojnë vetëm duke lexuar libra. Librat janë një ndihmë e mirë për ata që nuk i kanë përjetuar ngjarjet, por unë, që i kam përjetuar, e kam një gjykim krejt tjetër. Duhet t’i zhgënjejmë njerëzit: shumica e vendimeve në rrethana të tilla janë, fatkeqësisht, aksidentale. Dhe pikërisht nga një vendim i tillë mund të varet suksesi ose dështimi. Mitet për njeriun, politikanin apo heroin ndërtohen shpesh mbi suksesin e një momenti, kur vendimi i marrë ka qenë më shumë rastësi sesa rezultat i një parashikimi të qartë.

Mendoj se njerëzit e kanë shumë të vështirë të marrin vendime duke i parashikuar të gjitha pasojat, sidomos kur duhet të përballen edhe me anën e tyre njerëzore. Ata që gjykojnë lehtë janë shpesh politikanët. Ndërsa ata që gjykojnë lehtë dhe në mënyrë aksidentale, sipas meje, janë njerëz që e kanë lënë mënjanë dimensionin human të vendimmarrjes.

Ju flisni për tri nivele të heroizmit. Si dallojnë ato dhe si ndërtohet figura e heroit në rrethana të tilla?

Nga ajo që kam parë, heroizmi mund të kuptohet në tri nivele. I pari është frika e intelektualëve dhe shtytja që u bëhet nga njeriu që udhëheq për të marrë vendime, pikërisht sepse ata vetë nuk kanë guximin ta bëjnë këtë. I dyti është heroizmi i atij që dëshiron të dëshmohet, pa menduar për pasojat, për historinë apo për dimensionin njerëzor të veprimit të tij. Niveli i tretë është heroi vetëflijues. Ky është heroizmi i atij që vendos të vetëflijohet, siç ishte rasti i Adem Jasharit. Një hero i tillë merr përmasë mitike. Unë nuk besoj se në atë moment Adem Jashari kishte vendosur ta flijonte të gjithë familjen. Besoj se brenda tij ekzistonte edhe bindja se, në anën tjetër, mund të kishte ende një dimension njerëzor: se ata që do të vinin për ta vrarë mund të përpiqeshin të vrisnin vetëm atë, e jo edhe familjen. Nuk besoj se dikush do ta flijonte me vetëdije të gjithë familjen në rrethana të tilla, vetëm për ta denoncuar publikisht një shtet kriminal siç ishte shteti i Millosheviçit.

Ky heroizëm, sipas meje, nuk mund të quhet ndryshe veçse heroizëm aksidental. Ne nuk kemi arsye ta shkruajmë historinë ndryshe nga ajo që dimë: Adem Jashari u flijua për Kosovën, për secilin njeri dhe për lirinë. Këto janë cilësimet që sot mund t’ia atribuojmë flijimit të tij. Ndoshta ai flijim e ndryshoi paradigmën politike të shqiptarëve të Kosovës.

Por, në raport me ndërkombëtarët, dinamika ishte ndryshe. Edhe ata ndikuan në zhvillimin e ngjarjeve që çuan te tragjedia e Jasharajve, me synimin për ta paqësuar Kosovën. Ky proces i paqësimit u zhvillua me vrull të madh dhe vrasja e Jasharajve, në mënyrën e pamëshirshme si ndodhi, u bë një moment vendimtar.

Këtu mund ta shpjegoj ndryshe gjykimin politik: çfarë ndodhi, si merren vendimet, si krijohen heronjtë dhe si mund të marrë fund karriera e një politikani. Në politikë kam mësuar diçka: të gjithë oportunistët janë një grumbull që jeton brenda të njëjtit moçal. Ata mbijetojnë në çdo pushtet dhe funksionojnë me secilin lider. Prandaj, sot shtroj pyetjen: si është e mundur që çdo lider, qoftë ai që i ka pasur të gjithë kundër, qoftë ai që i ka pasur pro, qoftë ai që ndërton një vizion apo ai që refuzon pothuajse gjithçka, përfundon duke i mbledhur pranë vetes të njëjtët oportunistë?

Në librin Kosova, historia që zhbëri ish-Jugosllavinë, në hyrje dhe veçanërisht në pjesën që trajton protestat e vitit 1989, del në pah roli i elitave politike dhe i faktorëve ndërkombëtarë në zhvillimet historike të Kosovës. Megjithatë, nga këndvështrimi sociologjik, më intereson veçanërisht roli i shoqërisë civile, i studentëve dhe i intelektualëve në proceset e rezistencës. Sipas jush, sa vendimtar ishte dimensioni shoqëror dhe kulturor në formimin e vetëdijes kolektive të shqiptarëve të Kosovës?

Dua të ndaj me ju një të vërtetë të hidhur dhe një të vërtetë që shpesh është interpretuar në mënyra të ndryshme. Cila është e vërteta e hidhur? Kosova kishte rreth 300 mijë komunistë, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër ishin të lidhur me Jugosllavinë apo me Serbinë. Duhet të jemi të sinqertë për këtë. Problemi kryesor është se si ndodhi që të gjithë përfunduan në të njëjtin front. Ish-komunistët, jugosllavët, legalistët, intelektualët dhe grupe të tjera, të cilat kishin jetuar brenda së njëjtës botë shqiptare, por edhe në realitetin politik të Kosovës, për një periudhë të caktuar u gjendën përballë të njëjtit kundërshtar. A e dini pse u bashkuan? Sepse Millosheviçi dhe Serbia nuk pranuan asnjë negociatë që nga viti 1988. Dhe pse nuk pranuan asnjë kompromis? Sepse Millosheviçi rrezikonte të humbiste pushtetin. Ai zgjodhi rrugën e luftës dhe të përzënies së sa më shumë shqiptarëve, me qëllim që ta ruante pushtetin. Ky ishte gabimi i tij fatal: i vuri të gjithë shqiptarët kundër vetes.

Këtu nis edhe rrëfimi i përbashkët patriotik i shqiptarëve të Kosovës, duke filluar nga viti 1988. Në këtë proces u përfshinë edhe ata që më parë kishin qenë të orientuar drejt Jugosllavisë, edhe ata që kishin pasur lidhje me Serbinë, si dhe të gjitha grupet e tjera që kishin trashëguar armiqësi dhe kundërshti politike që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në këtë kontekst, bashkimi i grupeve të ndryshme politike dhe ideologjike brenda një fronti të përbashkët rezistence paraqet një fenomen mjaft interesant sociologjik. A mund të thuhet se represioni i regjimit të Millosheviçit krijoi një identitet të ri politik dhe një solidaritet kolektiv, duke kapërcyer ndasitë e trashëguara historike? Dhe çfarë roli pati ky bashkim në krijimin e projektit politik për pavarësinë e Kosovës?

Sociologjikisht, ky proces është vështirë të shpjegohet me kategoritë e zakonshme. Ishte një zhvillim pothuajse aksidental, i cili u krijua nga rrethanat politike të kohës. Millosheviçi, përmes politikës së tij të përjashtimit dhe represionit, i shtyu të gjitha këto grupe drejt një bashkimi që deri atëherë dukej i pamundur. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës i gjeje pothuajse të gjitha këto kategori: ish-jugosllavët, ish-komunistët, njerëzit që kishin pasur lidhje me sistemin serb, legalistët, intelektualët, shkrimtarët dhe autonomistët e Kosovës. Kjo përbërje e gjerë politike dhe shoqërore ishte një nga arsyet pse, në vitin 1992, u shpall pavarësia e Kosovës përmes një lëvizjeje politike dhe kushtetuese.

Sa i madh ishte dallimi mes mbështetjes ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës dhe asaj për pavarësinë e saj?

Kjo është ajo që ndodhi në Kosovë. Për të qenë cinik, mund të them se, po të mos kishte qenë Millosheviçi aq i ashpër dhe përjashtues, Kosova ndoshta nuk do ta kishte marrë kurrë rrugën drejt pavarësisë.Edhe në vitin 1999, nuk kemi pasur shumë mbështetës të drejtpërdrejtë të pavarësisë së Kosovës. Duhet bërë dallimi ndërmjet përkrahjes për çlirimin e Kosovës dhe mbështetjes për pavarësinë e saj. Përkrahësit më të vendosur të çlirimit, të cilët e shihnin atë si një proces që mund të çonte drejt pavarësisë, ishin Tony Blair dhe Robin Cook. Në vitin 1992, Ibrahim Rugova kishte gjetur mbështetje edhe te Alois Mock, por britanikët kishin një rol veçanërisht të rëndësishëm. Nga pala amerikane, përpara vitit 1999, nuk kam parë një mbështetje të qartë për pavarësinë, me përjashtim të Madeleine Albright, e cila ishte e angazhuar për çlirimin e Kosovës. Por, përkrahja për çlirimin nuk nënkuptonte domosdoshmërisht edhe mbështetje për pavarësinë.

A mendoni se pavarësia e Kosovës është, mbi të gjitha, rezultat i ndërhyrjes ndërkombëtare, veçanërisht i rolit të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe, apo ajo duhet parë kryesisht si rezultat i një rezistence të gjatë historike të shqiptarëve të Kosovës?

Kjo rezistencë nis me lëvizjen kaçake të viteve 1920, me figura si Azem Galica, Mehmet Konjuhi, Ajet Çaushi, Hasan Prishtina dhe Bedri Pejani, vazhdon me lëvizjet e rezistencës pas Luftës së Dytë Botërore, përfshirë Shaban Polluzhën, dhe kulmon me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe sakrificën e jashtëzakonshme të popullit. Në teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare bëhet dallimi ndërmjet shkaqeve të largëta, shkaqeve ndërmjetëse dhe shkaqeve të drejtpërdrejta të një ngjarjeje historike.

Në këtë kuptim, a mendoni se bombardimi i NATO-s ishte shkaku i drejtpërdrejtë i çlirimit, ndërsa shkaku më i thellë dhe vendimtar ishte rezistenca e vazhdueshme e shqiptarëve të Kosovës?

Janë katër elemente të cilat i kam trajtuar edhe në libër. Elementi i parë është Drenica. Baza e asaj që ne e quajmë rezistencë, patriotizëm, luftë dhe më vonë UÇK, është në Drenicë dhe, deri në një masë, edhe në Dukagjin. Pjesa tjetër është mbështetje e kësaj rezistence, sepse pa këtë bazë nuk do të kishte pasur asgjë. Nuk do të kishte pasur as bombardime dhe as ndërhyrje britanike.

Elementi i dytë, po aq i rëndësishëm, është Shqipëria. Pa Shqipërinë, Kosova nuk do të kishte pasur mundësi reale të bëhej e pavarur. Ajo Shqipëri, pavarësisht gjendjes së vështirë në të cilën ndodhej dhe përbaltjes që kishte përjetuar, na dha shpresën e vetme. Pa të nuk do të kishim pasur as motivimin, as frymëzimin dhe as bazën prej nga mund ta nisnim luftën. Shqipëria është më shumë sesa Drenica.

Në ç’kuptim?

Drenica ka mbijetuar dhe ka rezistuar edhe falë lidhjes me Shqipërinë. Edhe lëvizjet kaçake janë mbështetur në këtë lidhje historike e kombëtare. Pavarësisht dhimbjeve dhe kritikave që shpesh kemi ndaj Shqipërisë, ajo mbetet një nga bazat kryesore të pavarësisë sonë.

Vitin e ardhshëm shënohet 30-vjetori i protestave studentore në Kosovë. Mënyra se si këto ngjarje u pasqyruan në Shqipëri ishte kryesisht e kushtëzuar nga interesat e dy partive kryesore politike, Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike. Edhe pakica e shtypit të kohës, si Zëri i Popullit, Rilindja, Albania dhe Koha Jonë, i trajtonte zhvillimet në Kosovë përmes prizmit të interesave partiake. Partia Socialiste përpiqej të paraqitej si faktor stabiliteti, ndërsa takimet dhe ndërmjetësimet e Fatos Nanos interpretoheshin nga Partia Demokratike si tradhti. Në këtë përplasje politike, vetë protestat dhe çështja e Kosovës shpesh kalonin në plan të dytë. Në njëfarë mënyre, Shqipëria që ju dhe shumë shqiptarë të Kosovës e kishit idealizuar para viteve 1990, si një nënë e mirë dhe një mbështetje e pakushtëzuar kombëtare, u shfaq ndryshe nga pritshmëritë, madje nganjëherë si një njerkë e keqe.

A mendoni se elitat politike shqiptare e kanë përdorur çështjen e Kosovës për interesat e tyre politike, qoftë për legjitimim të brendshëm, qoftë për pozicionim dhe legjitimim ndërkombëtar?

Në libër kam përfshirë edhe rrëfimin për takimin ndërmjet Fatos Nanos dhe Millosheviçit. Aty do të gjeni edhe qëndrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe të qeverisë së përkohshme, dy subjekte politike që kishin një armiqësi të thellë ndaj Partisë Socialiste dhe ndaj trashëgimisë politike të Enver Hoxhës.

Partia Socialiste është refuzuar në Kosovë për disa arsye. E para lidhet me përvojën historike të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Serbia, përmes partisë së saj socialiste, na kishte dhunuar rëndë dhe identifikimi me një parti që mbante të njëjtin emër shkaktonte një dhimbje dhe refuzim të madh. Ju në Shqipëri mund të mos e kuptoni plotësisht këtë ndjeshmëri, sepse e shihni realitetin nga këndvështrimi juaj, pa e marrë gjithmonë parasysh përvojën e rajonit. Partia Socialiste kishte qenë një nga partitë e para në Serbi pas vendosjes së pluralizmit politik në ish-Jugosllavi. Vetë fakti që ajo identifikohej me të njëjtin emër ishte i papranueshëm për një pjesë të madhe të shqiptarëve të Kosovës. Ky refuzim nuk lidhej domosdoshmërisht me një person të caktuar apo vetëm me Fatos Nanon, por me konotacionin politik që kishte marrë ky emër. Një ndikim të veçantë pati edhe një vizitë e një grupi gazetarësh shqiptarë në Beograd, në vitet 1992–1993, në kuadër të një konference. Ajo që në Shqipëri mund të konsiderohej normale, për ne në Kosovë ishte tronditëse.

Sa ndikuan qëndrimet politike të elitave shqiptare dhe mënyra se si ato e trajtuan Kosovën në krijimin e një distance mes shoqërisë kosovare dhe politikës zyrtare të Tiranës? A ishte kjo distancë thjesht pasojë e zhvillimeve politike të kohës, apo dëshmonte edhe një keqkuptim më të thellë mes dy realiteteve shqiptare?

Interpretimi i dytë lidhet drejtpërdrejt me Fatos Nanon. Një grup analistësh dhe gazetarësh, të cilët filluan të shkruanin në gazetat e Kosovës, e shihnin Greqinë si një nga kundërshtarët kryesorë të interesave shqiptare. Në këtë kontekst, Nano u perceptua si personifikim i ndikimit grek në politikën shqiptare. Kjo ndikoi edhe më shumë në mënyrën se si një pjesë e opinionit publik në Kosovë e vlerësonte atë dhe Partinë Socialiste.

Por problemi i tretë, ndoshta më i rëndësishmi, lidhet me mënyrën se si Shqipëria e konceptonte Kosovën dhe bashkimin e shqiptarëve. Në Shqipëri ekzistonte një lloj frike se, nëse shqiptarët e Kosovës do të vinin dhe do të bashkoheshin me pjesën tjetër të shqiptarëve, veriu do të bëhej më i madh dhe do të ndryshonte ekuilibrat e brendshëm të vendit. Mendoj se ky ishte një perceptim naiv dhe një gabim i madh në ndërtimin e rrëfimit politik.

Pse Vlora dhe Shqipëria e Jugut zinin një vend kaq të rëndësishëm në identitetin kombëtar dhe emocional të shqiptarëve të Kosovës, dhe ku mendoni se gaboi një pjesë e elitës politike shqiptare në mënyrën se si e kuptoi dhe e trajtoi këtë lidhje historike?

Në të vërtetë, shumica e shqiptarëve të Kosovës kishin një afërsi të veçantë me Vlorën. Vlora ishte një pikë e rëndësishme e identifikimit të tyre kombëtar, jo Tropoja, siç mund të ishte krijuar përshtypja në disa qarqe. Bota kulturore dhe simbolike e shqiptarëve të Kosovës ishte e lidhur fort me jugun e Shqipërisë, me Elbasanin, Tiranën, Vlorën dhe Durrësin.

Prandaj, transformimi i mënyrës se si Shqipëria e konceptonte botën shqiptare ishte krejt i gabuar. Ndërsa lidhja e shqiptarëve të Kosovës me Shqipërinë kishte një dimension historik, kulturor dhe emocional, mënyra se si një pjesë e elitave politike shqiptare e trajtonte këtë raport ishte e qëllimshme dhe e kushtëzuar politikisht.

*INTERVISTA KOLEKTIVE- është projekt i media MAPO, në partneritet me UET, UETPRESS dhe INSTITUTI PASHKO- një bashkëbisedim me figura publike në auditor.

*Baton HAXHIU, gazetar, analist politik, autor librash, Ky material është editim i bisedës me studentë e pedagogë të UET, me rastin e botimit të dy librave për Kosovën, 4 nëntor 2026.

Të ngjashme

Të fundit