Albin, shëndetësia nuk menaxhohet me propagandë dhe statistika të manipuluara!

- Advertisement -

Nga Bekim Haxhiu

Në fjalimin tënd fole për miliona euro investime, buxhete dhe suksese. Por harrove të flasësh për realitetin ku është degraduar sistemi shëndetësor, për atë që e përjetojnë çdo ditë pacientët dhe profesionistët shëndetësorë.

Po të parashtroj pesë pyetje konkrete, për të cilat i prezantove si “suksese”. Qytetarët meritojnë përgjigje dhe përgjegjësi:

1. Frytnimi i asistuar mjekësor

Pas 5.5 milionë euro investime dhe për dy vite kemi vetëm një lindje të realizuar me frytnim të asistuar. Sa raste të dështuara keni pasur? Pse rreth 3,000 çifte vazhdojnë të presin për frytnim të asistuar, ndërsa analizat dhe ekzaminimet i paguajnë nga xhepi i tyre?

Me këtë “sukses”, një lindje në dy vite, ato çifte që janë në listën e pritjes duhet të presin 1,000 apo 2,000 vite për t’u bërë prindër.

Në vend që të turpëroheni dhe të kërkoni përgjegjësi për këto dështime, ju mburreni?!

2. Kardiologjia invazive në QKUK

Pse pritja për koronarografi dhe stentim është rritur nga rreth një javë, para se të vinit ju në pushtet, në mbi një vit me qeverisjen tuaj? Përurimet e fasadimeve nuk i shpëtojnë pacientët. Në vend që të kërkohej përgjegjësi për pacientët që vdiqën duke pritur në listat e pritjes për një koronarografi, ju blerjen e një aparature e quani sukses. Çfarë suksesi është ky, kur pacienti pret mbi një vit për ta marrë atë shërbim?

3. Barnat esenciale

Buxheti u rrit nga 35 në 64 milionë euro, por duhet të tregoni pse mungojnë barnat, pasi është rritur buxheti. Edhe për pacientët onkologjikë, nga 8 në 22 milionë euro u rrit buxheti, por barnat përsëri mungojnë.

Në xhepat e kujt përfunduan milionat e buxhetit të rritur për barna? Te pacientët JO, te kompanitë e miqve tuaj PO, përmes tenderëve të kurdisur paraprakisht. Kush është përgjegjës për keqmenaxhimin e këtij buxheti dhe pse askush nuk jep llogari?

4. Specializimet

Pse mjekët që përfundojnë specializimet mbesin pa punë?

Çfarë kuptimi kanë konkurset për specializime, nëse pas përfundimit të tyre shteti nuk u krijon mundësi punësimi këtyre profesionistëve?

5. Ikja e trurit apo mashtrimi me statistika?

Albin, ty të janë ngatërruar minusi me plusin!

Sipas Odës së Mjekëve, vetëm gjatë vitit 2025, nga Kosova janë larguar 115 mjekë. Nëse pretendon se janë kthyer 171 mjekë, publikoje listën me emra dhe mbiemra të mjekëve që janë kthyer për të jetuar dhe punuar në Kosovë.

Përndryshe, kërko falje për mashtrimin publik!

Ndërkohë, mjekët largohen, listat e pritjes zgjaten, barnat mungojnë dhe qentë endacakë vazhdojnë të rrezikojnë pacientët dhe personelin shëndetësor në oborrin e QKUK-së.

Ky është realiteti i shëndetësisë pas gjashtë vjetësh e tetë muajsh në pushtet dhe katër mandatesh si kryeministër.

Albin, nuk mjaftojnë më arsyetimet, statistikat dhe përurimet e fasadave e korridoreve. Qytetarët kërkojnë llogaridhënie për buxhetin e shpenzuar, përgjegjësi për çdo dështim institucional dhe masa konkrete për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore.

Shëndetësia matet me shërbimet që marrin pacientët dhe jetët që shpëtohen, jo me milionat që deklarohen. Paratë publike nuk janë pronë e pushtetit dhe as e miqve të tij. Për çdo euro të shpenzuar duhet të ketë transparencë, rezultat dhe përgjegjësi.

Pse nuk ke guxim të kërkosh auditim të investimeve, të buxhetit të shpenzuar, të tenderëve të manipuluar dhe të keqmenaxhimit në kurriz të pacientëve?

Të ngjashme

Të fundit