Mesfushori i Kombëtares së Kosovës, Elvis Rexhbeçaj prej sezonit të ardhshëm do të jetë pjesë e skuadrës së Wolfsburgut.
Rexhbeçaj, të mërkurën është prezantuar te Wolfsburgu, ekip me të cilin ka firmosur kontratë deri në verën e vitit 2030.
Në fakt, 28-vjeçari kthehet te Wolfsburgu pas katër sezonesh tek Augsburgu, ekip me të cilin i skadon kontrata me të përfunduar sezoni aktual.
Në prezantimin e tij, Rexhbeçaj ka thënë se kthimit te Wolfsburgu do të jetë i veçantë pasi është rritur dhe e ka nisur karrierën në Bundesligë te kjo skuadër.
Ai pranoi se kishte edhe oferta tjera por nuk hezitoi të kthehet te ish-skuadra e tij, ndonëse insistoi se me fanellën e Augsburgut do të jap gjithçka deri në ndeshjen e fundit.
Ndërkohë, te Wolfsburgu e kanë vlerësuar Rexhbeçajn si një aset të madh për ekipin dhe me padurim po e presin kthimin e tij në verë.






