Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Agron Qalaj dhe drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni, nënshkruan sot memorandum bashkëpunimi ndërinstitucional, lidhur me ndarjen e të dhënave për platformën për hetime penale mbi të dhënat inteligjente.
Qëllimi i nënshkrimit të këtij memorandumi është mundësimi i komunikimit të drejtpërdrejt, të vazhdueshëm dhe të pandërprerë ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe ATK-së që përmes përpunimit të të dhënave të caktuara, ATK-ja ta pajisë Prokurorin e Shtetit me të dhëna dhe informacione të mjaftueshme për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale për veprat penale kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parasë.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit të këtij memorandumi ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit z. Agron Qalaj theksoi se në funksion të këtij qëllimi, me mbështetjen e UNDP-së do të vazhdohen takimet me institucionet e tjera që do të jenë të përfshira në shkëmbimin e të dhënave, me synim avancimin e bashkëpunimit në nivel operacional.
Tutje U.D. Kryeprokurori Qalaj pohoi se mbetet thelbësore që ky bashkëpunim të reflektohet në praktikë, përmes koordinimit të përditshëm dhe përgjegjësisë së qartë institucionale, në mënyrë që të prodhojë rezultate konkrete në hetime dhe ndjekje penale, si dhe të rrisë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë, duke shtuar se: “matësi i vetëm i suksesit tonë nuk janë marrëveshjet që nënshkruajmë, por rastet që zbulojmë, pasuria që konfiskohet dhe korrupsioni që ndëshkohet. Ky është standardi ndaj të cilit duhet të matim punën dhe rezultatet tona”.
Nga ana tjetër drejtori i përgjithshëm i Administratës Tatimore të Kosovës, z. Mentor Hyseni theksoi se me nënshkrimin e këtij memorandumi po thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional, i cili krijon mekanizëm direkt për bashkëpunim me qëllim të ngritjes së efikasitetit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, duke forcuar mekanizmat e monitorimit dhe mbikëqyrjes së institucioneve për të kryer funksionin e tyre në mënyrë efikase, efektive, transparente dhe të përgjegjshme.
Edhe përfaqësuesi i Përhershëm i UNDP-së, z. Nuno Queiros, potencoi se me nënshkrimin e këtij memorandumi, sot shënohet fillimi i zgjerimit të bashkëpunimit ndërinstitucional për ndarjen e të dhënave ndërmjet prokurorisë dhe ATK-së, që është mjet i dëshmuar dhe efektiv për të luftuar korrupsionin dhe krimin financiar, për të rikthyer fondet e paligjshme të vjedhura dhe për të rritur të ardhurat tatimore që mund të përdoren për përmirësimin e mirëqenies sociale dhe investimeve për të ardhmen.
Ky memorandum i bashkëpunimit në mes të Prokurorit të Shtetit dhe Administratës Tatimore të Kosovës është mbështetur nga Zyra e UNDP-së në Kosovë, përmes projektit të mbështetur nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) dhe nga Qeveria e Suedisë, përmes Agjencisë Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (SIDA).






