Letër vajzës së vogël nga Vushtrria

- Advertisement -

Shkruan: Blerim Latifi

Nuk e di kush je, vajzë e vogël, dhe as nuk kam ndonjë qortim për ty. Përkundrazi. E di, sepse edhe vetë kam qenë dikur në moshën tënde dhe i doja shumë recitimet: fëmijët recitojnë fjalët që ua mësojnë të rriturit. Ata besojnë atë që u thuhet, sepse ende nuk janë në gjendje t’i kuptojnë gjërat dhe të njohin botën vetë.

Prandaj këto rreshta nuk po i shkruaj për ty sot, vajzë e vogël. Po i shkruaj për ty për pas shumë vitesh, kur të jesh rritur dhe të kesh mundësi t’i shikosh gjërat me sytë e tu.

Kur të rritesh, mos prano asnjë ide vetëm sepse ta ka thënë një politikan, një mësues, një gazetar apo edhe prindërit e tu.

Pyet gjithmonë: çfarë ndodhi në të vërtetë? P.sh.: si funksiononin ato fabrika për të cilat ty, si e vogël, të nxorën në podium për t’i vajtuar?

A prodhonin me fitim apo me humbje? Kush e paguante humbjen? Në cilat tregje shisnin produktet e tyre? A do të mund të mbijetonin në kushtet e konkurrencës së lirë globale?

Dhe për të kuptuar, duhet të fillosh nga pyetja më e thjeshtë: çfarë është kapitalizmi dhe çfarë është socializmi?

Ja disa gjëra rreth tyre nga një mësues filozofie:

Në shekullin e 19-të, një sistem i ri ekonomik po ngrihej me shpejtësi: kapitalizmi. Brenda një kohe të shkurtër ai do ta transformonte botën rrënjësisht. Por në të njëjtën kohë do të lindnin edhe zërat kritikë ndaj tij. Ata do të merrnin emra të ndryshëm: socialistë, komunistë, marksistë etj. Kapitalizmi, thoshin ata, nuk i kishte dhënë fund mjerimit të popullit; vetëm e kishte ndryshuar formën e tij. Prandaj ai duhej të zëvendësohej me një sistem tjetër ekonomik, në të cilin idealet e barazisë do të bëheshin realitet. Socialistët, komunistët dhe marksistët fajësonin pronën private për të gjitha të këqijat e qytetërimit. Zgjidhja, sipas tyre, ishte prona kolektive. Ajo do t’u jepte fund padrejtësive dhe pabarazive që trondisnin ndërgjegjen njerëzore.

Mijëra e mijëra faqe do të shkruheshin për ta bërë të besueshme këtë ide, por duhej të vinin disa njerëz që quheshin bolshevikë dhe, në krye me liderin e tyre Vladimir Leninin, në vitin 1917, të guxonin ta vinin në jetë atë ide.

Kështu lindi konflikti i madh i shekullit XX midis dy vizioneve për rendin ekonomik botëror: socializmit kolektivist dhe kapitalizmit privat. Për dekada me radhë ky konflikt do të dominonte botën.

Kapitalizmi është një sistem ku njerëzit kanë të drejtë të zotërojnë pronë private, të investojnë, të krijojnë biznese dhe të konkurrojnë me njëri-tjetrin. Ai nuk premton barazi rezultatesh, por premton liri ekonomike dhe mundësinë që secili të përfitojë nga puna, talenti dhe iniciativat e veta.

Kjo liri ka prodhuar pasuri, inovacion dhe përparim në përmasa të atilla që historia njerëzore nuk e kishte njohur kurrë më parë. Bile as imagjinuar. Smartphone-i me të cilin sot ti argëtohesh, dhe rrjetet sociale që të lidhin me shokë e shoqe nga e gjithë bota, janë fryt i kësaj lirie.

Socializmi, nga ana tjetër, u ngrit mbi idenë se prona private mbi mjetet kryesore të prodhimit duhej kufizuar ose zëvendësuar me pronësi kolektive. Synimi ishte krijimi i një shoqërie më të barabartë dhe më të drejtë. Ishte një ideal që frymëzoi miliona njerëz në mbarë botën. Por kur u vu në praktikë, ai hasi në vështirësi e probleme serioze. Planifikimi I centralizuar shtetëror nuk arriti të zëvendësonte mekanizmat e tregut. Pa konkurrencë dhe pa sinjalet që jep tregu, ekonomitë socialiste u bënë gjithnjë e më pak efikase dhe më pak inovative.

Do të mësosh gjithashtu se ky ishte eksperimenti më i madh ekonomik në historinë moderne dhe se në fund të shekullit XX, ky eksperiment dështoi. Ekonomitë e planifikuara u shembën krejt ose u reformuan duke marrë elemente të ekonomisë së tregut.

Industritë e tyre falimentuan në masë, përfshirë edhe ato të socializmit vetëqeverisës jugosllav, pjesë e të cilit ishte edhe ekonomia e Kosovës. Krejt çfarë mund të shpëtohej prej shumë prej tyre ishte privatizimi i atyre pak gjërave me vlerë që kishin mbetur.

Privatizimi i fabrikave socialiste në Kosovën e pasluftës ishte pjesë e këtij zhvillimi historik. Pas luftës, Kosova filloi tranzicionin nga ekonomia socialiste drejt ekonomisë së tregut, duke ndjekur rrugën që kishin përshkuar më herët shumë vende të tjera të Evropës Lindore.

Ideja se këto fabrika do të mund të vazhdonin funksionimin si më parë është krejtësisht e pabazë. Ato ishin krijuar dhe kishin funksionuar brenda një sistemi ekonomik që tashmë kishte marrë fund. Ekonomia e tregut kërkon konkurrencë, investime të vazhdueshme, inovacion teknologjik dhe aftësi për t’iu përshtatur kërkesave të konsumatorëve. Pothuajse krejt fabrikat socialiste nuk i plotësonin këto kushte. Ato vuanin nga teknologjia e vjetruar, produktiviteti i ulët, mungesa e kapitalit dhe varësia nga subvencionet shtetërore. Historia e Trepçës në vitet e pasluftës në Kosovë është shembulli më ilustrues i këtij fakti.

Për më tepër, tregjet tradicionale ku këto ndërmarrje kishin shitur produktet e tyre, kishin humbur. Në kushtet e reja ekonomike, ato duhej të konkurronin me kompani vendore dhe ndërkombëtare shumë më efikase dhe më të avancuara. Pa investime të mëdha dhe pa ristrukturim të thellë, mbijetesa e tyre afatgjatë ishte e vështirë të merrej me mend.

Ndoshta kur të rritesh do të zbulosh se disa privatizime kanë qenë të padrejta. Ndoshta do të zbulosh se në disa raste pasuria publike është keqpërdorur. Do të mësosh një gjë që mbase do të lëndojë ëndrrat e tua për një botë të lumtur: historia është plot me gabime njerëzore dhe me ëndrra të bukura që përfundojnë në gjëra të tmerrshme. Por, gjithmonë, mos i ngatërro gabimet e njerëzve me ligjet e ekonomisë. Një fabrikë nuk mbijeton sepse dikush e do atë. As nuk mbyllet sepse dikush e urren atë. Ajo mbijeton vetëm nëse prodhon diçka që njerëzit duan ta blejnë dhe nëse mund ta bëjë këtë më mirë se konkurrentët e saj.

Kur të rritesh, do të kuptosh se nostalgjia nuk është një këshilltare e mirë. Njerëzit shpesh kujtojnë me mall vendet e punës, sigurinë dhe rininë e tyre, por harrojnë anët e këqija, borxhet, humbjet, mungesën e efikasitetit dhe problemet që fshiheshin pas fasadës së sistemit të dikurshëm.

Prandaj mos i mallko njerëzit vetëm sepse dikush të tha t’i mallkosh. Lexo, mëso, krahaso dhe gjyko me mendjen tënde. Ky në fakt është qëllimi i shkollimit. Nëse pas gjithë kësaj arrin në përfundimin se privatizimi ishte gabim, atëherë le të jetë mendimi yt. Por le të jetë një mendim i fituar me dije të vërtetë, jo një fjali e mësuar përmendësh në një podium elektoral.

Sepse liria e vërtetë nuk fillon kur njeriu mëson çfarë të mendojë. Liria e vërtetë fillon kur njeriu mëson si të mendojë. Dhe vetëm kjo e fundit na ruan nga manipulimi dhe abuzimi prej të tjerëve

Të ngjashme

Të fundit