Hargreaves pas takimit me nënkryetaren e VV-së: Partitë të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, Kosovës i duhet presidenti pas zgjedhjeve

- Advertisement -

Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, ka bërë të ditur se është takuar me nënkryetaren e dytë të Lëvizjes Vetëvendosje, Mrika Limani Myrtaj, me të cilën ka diskutuar për procesin zgjedhor dhe zhvillimet politike në vend.

Përmes një postimi në Facebook, Hargreaves tha se një nga temat kryesore të bisedës ishte fushata zgjedhore në vazhdim, duke shprehur shpresën që të gjitha partitë politike të zhvillojnë një garë të respektueshme dhe të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, gjuhën mizogjene dhe dhunën online ndaj grave.

Ambasadori britanik bëri të ditur se gjatë takimit u diskutua edhe për nevojën e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës pas përfundimit të zgjedhjeve.

“Sot u takova me Nënkryetaren e Dytë të Vetëvendosjes, Mrika Limani Myrtaj. Diskutuam për fushatën zgjedhore në vazhdim, në veçanti për shpresën tonë që të gjitha partitë të jenë respektuese dhe të refuzojnë gjuhën e urrejtjes, gjuhën mizogjene dhe dhunën online ndaj grave. U pajtuam se Kosovës i nevojitet zgjedhja e një Presidenti menjëherë pas këtyre zgjedhjeve”, ka shkruar Hargreaves.

Takimi vjen në kohën kur vendi po hyn në një periudhë të rëndësishme politike, me fokus te procesi zgjedhor dhe hapat që pritet të ndërmerren pas përfundimit të tij.

Të ngjashme

Të fundit