Një nga elementet më domethënëse të raportit është fakti se Uashingtoni e vendos qartë Ballkanin Perëndimor në dimensionin e sigurisë kombëtare amerikane. Kjo nënkupton se zhvillimet në Kosovë, Serbi, Bosnje-Hercegovinë apo Mal të Zi nuk trajtohen më vetëm si çështje rajonale europiane, por si pjesë e arkitekturës së sigurisë transatlantike. Në këtë kontekst, Kosova mbetet një nyje strategjike për interesat amerikane në rajon.
Raporti e identifikon Rusinë dhe Kinën si dy aktorët kryesorë destabilizues në Ballkanin Perëndimor. Sipas dokumentit, Rusia vazhdon të nxisë tensione etnike, të financojë aktorë destabilizues dhe të përdorë energjinë si instrument presioni politik, ndërsa Kina synon zgjerimin e ndikimit përmes investimeve, kredive shtetërore, propagandës dhe lidhjeve me elitat politike e ekonomike.
Për Kosovën, ky formulim ka rëndësi të shumëfishtë. Së pari, ai e konfirmon se SHBA vazhdon ta shohë Kosovën si pjesë të vijës strategjike të frenimit të ndikimit rus në Ballkan. Së dyti, nënkupton se çdo dobësim institucional, polarizim politik apo krizë e brendshme në Kosovë krijon hapësirë për depërtim të aktorëve të jashtëm destabilizues. Dhe së treti, tregon se stabiliteti i Kosovës nuk është më vetëm interes kombëtar shqiptar, por edhe interes i drejtpërdrejtë gjeostrategjik amerikan.
Pikërisht ky formulim përbën edhe dilemën më të madhe strategjike për Kosovën.
Sepse pyetja që lind natyrshëm është: a po zhvendoset gradualisht fokusi amerikan nga funksionalizimi i plotë i Kosovës si shtet sovran, demokratik dhe kushtetues, drejt një qasjeje më pragmatike gjeostrategjike, ku prioritet bëhet stabiliteti rajonal dhe integrimi funksional i Ballkanit Perëndimor në arkitekturën euroatlantike?
Nëse kjo lexohet në kontekst të përgjithshëm të diplomacisë amerikane dhe zhvillimeve aktuale globale, atëherë përgjigjja është se SHBA nuk po heq dorë nga Kosova si shtet i pavarur, por po e zhvendos prioritetin nga “state-building” drejt “regional management”.
Kjo do të thotë se për Uashingtonin, objektivi kryesor nuk është më ndërtimi formal i shteteve në Ballkan, sepse ato konsiderohen realitete të përfunduara politike, por menaxhimi i ekuilibrave strategjikë në rajon, pengimi i ndikimit rus dhe kinez dhe integrimi gradual i Ballkanit Perëndimor në sistemin euroatlantik të sigurisë.
Dhe pikërisht këtu lind shqetësimi thelbësor për Kosovën:
a rrezikon që në emër të stabilitetit rajonal dhe integrimeve euroatlantike të relativizohet substanca kushtetuese dhe sovraniteti real i shtetit të Kosovës?
Kjo dilemë lidhet drejtpërdrejt me Marrëveshjen e Ohrit dhe planin franko-gjerman.
Sepse në praktikë, marrëveshja, për dhjetë vite, nuk e detyron Serbinë ta njohë formalisht Kosovën si shtet dhe as ta ndryshojë Kushtetutën e saj, ku Kosova vazhdon të figurojë si pjesë e territorit serb. Serbia është liruar nga obligimi i njohjes juridike formale dhe ka vetëm detyrimin për “normalizimin e marrëdhënieve”, që në terminologjinë e BE-së lidhet me Kapitullin 35 dhe zbatimin teknik e funksional të marrëveshjeve dhe integrimit të vet Serbis si vend kandidat që nga viti 2012.
Kjo nënkupton se procesi aktual nuk po ecën domosdoshmërisht drejt njohjes reciproke klasike, por drejt një modeli të “normalizimit funksional pa njohje”.
Dhe pikërisht kjo krijon frikën se Kosova mund të integrohet gradualisht në mekanizma rajonalë europianë e euroatlantikë pa e mbyllur përfundimisht çështjen e sovranitetit të saj në raport me Serbinë.
Në raport, një fokus i veçantë i kushtohet dialogut Kosovë-Serbi. Departamenti i Shtetit rithekson mbështetjen për procesin e normalizimit dhe kërkon përparim drejt një marrëveshjeje të qëndrueshme dhe të pranueshme për të dyja palët. Dokumenti rikujton se marrëveshja e vitit 2023 për rrugën e normalizimit nuk është zbatuar dhe se mungesa e progresit vazhdon të mbajë rajonin në pasiguri strategjike.
Kjo pjesë e raportit duhet lexuar me shumë kujdes në Kosovë. SHBA nuk po kërkon thjesht vazhdim formal të dialogut, por rezultate konkrete. Në gjuhën diplomatike amerikane, insistimi i vazhdueshëm për “përparim” nënkupton pakënaqësi me stagnimin aktual dhe pritje më të mëdha nga udhëheqjet politike të të dy vendeve.
Në këtë kontekst duhet lexuar edhe vetë struktura e zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit:
-Rregullimi i kornizave ligjore;
-Asociacioni/Bashkësia;
-Policia;
-Drejtësia;
-Zgjedhjet lokale;
-Dispozitat e përgjithshme.
Në pjesën për përshtatjen e kornizave ligjore thuhet:
“Të dy palët do t’i paraqesin Komitetit të Zbatimit planet e tyre të detajuara dhe afatet kohore për ndryshimet ligjore të kërkuara për zbatimin e Marrëveshjes së Parë.”
Kjo nënkupton harmonizim juridik dhe institucional për zbatim të marrëveshjeve.
Ndërsa pjesa më delikate lidhet me sektorin e sigurisë dhe policisë.
Dokumenti parasheh:
“Të dy palët do të themelojnë një grup punues për zbatimin e Neneve 7-9 të Marrëveshjes së Parë. Grupi punues do të përpilojë plane të detajuara dhe afate kohore për integrimin e personelit të sigurisë serbe në strukturat e Kosovës dhe themelimin e çfarëdo strukture të re siç parashihet në marrëveshje, proces ky i cili do të realizohet me ndihmën e EULEX-it.”
Pikërisht këtu po lindin dyshimet më të mëdha në Kosovë.
Sepse, juristë, analistë dhe njohësit e sigurisë duhet të shtrojnë pyetjen:
a po krijohen gradualisht struktura institucionale dhe modele funksionale kompatibile me sistemin serb të organizimit territorial dhe policor?
Në këtë kontekst po e shoh edhe vendimin për krijimin e të ashtuquajturës “xhandarmëri” në Kosovë.
Për mua si kritik i këtij procesi, problemi nuk është vetëm juridik dhe kushtetues, por strategjik e gjeopolitik. Nga vlerësimi juridik – kushtetues por edhe gjeopolitik e strategjik, dua të argumentoj se krijimi i strukturave të tilla jashtë logjikës kushtetuese të ndërtuar me partnerët perëndimorë mund të përfaqësojë një proces gradual të harmonizimit institucional me modelet serbe të sigurisë dhe administrimit territorial.
Kjo lidhet edhe me zhvillime të tjera:
-ligjin mbi statusin e shtetësisë;
-lehtësimin e procedurave kufitare;
-heqjen e letrës së bardhë;
-standardizimin e mekanizmave administrativë; dhe
-krijimin e modeleve funksionale të bashkëpunimit ndërkufitar.
Të gjitha këto, të marra veç e veç, mund të paraqiten si procese teknike integruese. Por të marra së bashku, ato po krijojnë perceptimin se po ndërtohet një arkitekturë rajonale ku dallimet substanciale të sovranitetit shtetëror relativizohen në emër të integrimit dhe stabilitetit.
Dhe këtu lind pyetja më sensitive politike:
a po mbështet SHBA procese që perceptohen në Kosovë si cenim i sovranitetit dhe i interesave kombëtare?
Në një qasje dhe analizë serioze gjeopolitike, përgjigjja nuk është aq lineare.
SHBA nuk ka interes strategjik për shpërbërjen e Kosovës, as për rikthimin e saj nën Serbi. Një gjë e tillë do të përmbyste gjithë investimin amerikan në Ballkan që nga ndërhyrja e NATO-s më 1999 dhe njohja e pavarësisë së Kosovës.
Por SHBA ka interes jetik që Ballkani të mos shndërrohet në vatër destabilizimi rus.
Për këtë arsye, Uashingtoni po kërkon modele funksionale stabiliteti edhe përmes kompromiseve politike që mund të perceptohen në Kosovë si të dhimbshme ose problematike në aspektin kushtetues.
Një element tjetër me rëndësi strategjike është roli i KFOR-it dhe prania amerikane në Kosovë. Raporti e cilëson KFOR-in si komponent kyç për garantimin e sigurisë dhe lirisë së lëvizjes në Kosovë, ndërsa konfirmon vazhdimin e pjesëmarrjes amerikane në këtë mision.
Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme në rrethanat aktuale të tensioneve në veri të Kosovës dhe debatit të hapur në SHBA për praninë ushtarake amerikane në rajon. Vetë fakti që Kongresi amerikan ka ngritur shqetësime për çdo reduktim eventual të trupave amerikane në KFOR tregon se Kosova mbetet një pikë e ndjeshme e sigurisë euroatlantike.
Raporti po ashtu mbështet transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në një forcë profesionale të mbrojtjes territoriale. Ky është një sinjal i rëndësishëm politik dhe ushtarak, sepse tregon se SHBA vazhdon ta mbështesë ngritjen graduale të kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës në përputhje me standardet euroatlantike.
Në aspektin ekonomik, dokumenti thekson nevojën për investime në energji, infrastrukturë dhe bashkëpunim tregtar. Për Kosovën, kjo përbën një mesazh të qartë se siguria dhe stabiliteti nuk mund të ndahen nga zhvillimi ekonomik dhe funksionaliteti institucional. Një shtet me krizë permanente politike, me korrupsion, polarizim dhe konflikt institucional, nuk mund të jetë partner strategjik i besueshëm për Perëndimin.
Në logjikën amerikane, rreziku më i madh sot nuk është konflikti klasik Kosovë-Serbi, por mundësia që stagnimi politik, krizat institucionale dhe përplasjet e vazhdueshme të krijojnë vakum për depërtim rus dhe destabilizim rajonal.
Prandaj SHBA e trajton me shqetësim të madh bllokadën politike në Kosovë, mosfunksionalizimin e institucioneve dhe polarizimin ekstrem politik.
Sepse një Kosovë me krizë permanente institucionale, me mungesë stabiliteti politik dhe me përplasje të vazhdueshme me partnerët strategjikë perëndimorë, shihet si pikë e dobët e arkitekturës euroatlantike në Ballkan.
Dhe pikërisht këtu qëndron sfida historike e Kosovës në këtë fazë të re gjeopolitike se, si ta ruajë sovranitetin kushtetues, funksionalitetin shtetëror dhe interesin kombëtar shqiptar, pa hyrë në përplasje strategjike me aleatin tonë kryesor historik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në thelb, raporti i Departamentit të Shtetit dërgon disa mesazhe të qarta për Kosovën:
-SHBA vazhdon ta konsiderojë Kosovën pjesë të interesit të saj strategjik në Ballkan;
-stabiliteti i Kosovës lidhet drejtpërdrejt me sigurinë rajonale dhe arkitekturën euroatlantike;
-dialogu me Serbinë mbetet prioritet i politikës amerikane;
-ndikimi rus dhe depërtimi kinez konsiderohen kërcënime reale;
-kërkohet forcim institucional, përgjegjësi politike dhe funksionalitet shtetëror;
-partneriteti me SHBA nuk duhet trajtuar si retorikë politike, por si përgjegjësi strategjike shtetërore.
Sepse raporti i Departamentit të Shtetit e bën të qartë një gjë:
Ballkani Perëndimor nuk trajtohet më si projekt romantik i ndërtimit të shteteve, por si pjesë e arkitekturës globale të sigurisë perëndimore.
Dhe në këtë arkitekturë të re, Kosova do të duhet të luftojë politikisht e diplomatikisht që integrimi rajonal të mos shndërrohet në relativizim të sovranitetit të saj shtetëror.






