Mosdalja në votime është „aktakuza“ më e rëndë për opozitën

- Advertisement -

Nga Blerim Canaj

Rezultatet e zgjedhjeve të 7 qershorit tregojnë qartë se kriza politike në Kosovë nuk është vetëm krizë e pushtetit, por para së gjithash krizë e opozitës dhe lidershipit të saj.
Pas një qeverisje katastrofike LVV ka rënë nga 51.10% në 42.91%, duke humbur mbi 8% të mbështetjes elektorale krahasuar me zgjedhjet e 28 dhjetorit. Në numër votuesish, LVV duket se ka humbur 15.80% të elektoratit. Ky është tregues i qartë i konsumimit të qeverisjes dhe i rritjes së pakënaqësisë qytetare.

Por duket qe problemi më i madh politik është se opozita nuk arriti ta shndërrojë këtë pakënaqësi në fitore të sajë madje bindëse. PDK është rritur vetëm minimalisht nga 20.19% në 21.12%, një rezultat shumë nën pritjet që krijon rënia e një pushteti kaq dominant. Me siguri qëdalja publike e Limajt në krah të PDK e ka përmirsuar rezultatin e saj, perndrydhe do i kushtonte me pozitën e tretë në radhitje. Për më tepër, sipas tabelës, PDK ka humbur 7.75% të elektoratit. LDK edhe pse është rritur nga 13.24% në 17.58%, ka humbur 6.48% të elektoratit. Edhe me rikthimin e Vjosa Osmanit, LDK nuk arriti të dalë forcë fituese, madje në radhitje nuk ndryshoi asgjë. Një rikthim i tillë politik do të mund të vlerësohej sukses vetëm nëse LDK do të fitonte zgjedhjet ose të paktën do të pozicionohej si alternativa kryesore opozitare, përndryshe, siç po duket, ky rikthim më shumë rrezikon t’i sjellë probleme dhe tensione të reja vetë LDK-së sesa ta forcojë atë politikisht.

Në anën tjetër, vetëm AAK pas ndryshimit të lidershipit ka shënuar një rritje më organike dhe më autentike, duke kaluar nga 5.50% në 7.16%. Edhe pse ka rritje, në elektorat ka humbur 2.64%. Pra, rritja e saj në përqindje duhet lexuar me kujdes sepse duket sikur tregon potencial politik pas ndryshimit të lidershipit, por jo ende mobilizim të mjaftueshëm të votuesve të rinj. Nëse e merr më seriozisht këtë momentum, AAK mund të rritet edhe më tej, sidomos nëse PDK dhe LDK nuk reflektojnë pas këtij rezultati. Megjithatë, treguesi më alarmant i këtyre zgjedhjeve mbetet fakti se 63,19 % e votuesve nuk kanë dalur fare në votime. Kjo do të thotë se shumica e elektoratit nuk zgjodhi as pushtetin dhe as opozitën. Qytetari i pakënaqur me qeverisjen nuk kaloi te opozita sikur që do të duhej të ndodhte, por si duket opozita nuk arriti të bindë se është alternativë reale. E kjo është goditja më e rëndë për lidershipin opozitar, sepse kur pushteti bie dhe opozita lëre që nuk fiton besim por humb edhe votues që ka pasur, atëherë problemi nuk është vetëm te qeveria, por te mungesa e vizionit, mungesa e figurave bindëse dhe mungesa e një projekti të ri politik, çka vetvetiu nënkupton që reflektimi në opozitë nuk duhet të jetë vetëm formal.
PDK dhe LDK duhet ta kuptojnë se qytetarët nuk po kërkojnë domosdoshmërisht ndryshim të identitetit politik të partive, por ndryshim të lidershipit dhe të mënyrës së përfaqësimit. Partitë kanë nevojë për figura që ruajnë identitetin dhe bazën politike të tyre, por që sjellin dije, energji, dinamikë dhe besueshmëri të re publike dhe ndikojnë në rritje origjinale. Krejt kjo ngase qytetarët nuk po refuzojnë domosdoshmërisht filozofinë politike të këtyre partive por po refuzojnë stagnimin, konsumimin dhe mungesën e guximit për ndryshim të brendshëm.

Nëse opozita nuk arrin të reformohet seriozisht në lidership, ide dhe qasje politike, atëherë hapësira për një subjekt të ri politik do të bëhet gjithnjë e më e madhe sepse votuesi që nuk del në votime nuk është i humbur por thjesht ende nuk është bindur.
Prandaj, partitë duhet të sjellin lidership me përvojë politike, figura që i njohin mirë partitë e tyre dhe që janë rritur natyrshëm brenda tyre, jo liderë të ngritur artificialisht apo politikisht “fallco”. Partitë duhet që vetes dhe vendit të u ofrojnë njerëz me dije, vizion, energji dhe aftësi bindëse, jo figura që ngulfaten nga grupet e interesit apo që mbesin peng i pazareve të brendshme. Duhet lidership që gëzon respekt brenda dhe jashtë partisë, brenda dhe jashtë vendit e që flet me kredibilitet publik dhe ndërton politika serioze shtetërore, e jo që meret me politika të odave apo të kafeneve.

Të ngjashme

Të fundit