EULEX-i nuk na njeh si shtet, por e mbështet Gjykatën që gjykon në emër të popullit tonë

- Advertisement -

Shkruan: Arianit Koci

Zyrtarisht, EULEX-i është neutral ndaj statusit të Kosovës dhe vepron në kuadër të Rezolutës 1244. Në praktikë, nuk e afirmon Republikën e Kosovës si shtet.

Ndërkohë, në vendimin e BE-së që përcakton mandatin dhe buxhetin e këtij misioni janë ndarë edhe mjetet për proceset gjyqësore të zhvendosura në Hagë. Atje, Dhomat e Specializuara të Kosovës, të njohura si Gjykata Speciale, aktgjykimet i shpallin “në emër të popullit të Kosovës”.

Dallimi duhet bërë: EULEX-i nuk i shqipton aktgjykimet dhe nuk vendos për fajësinë e askujt. Dhomat përbëjnë një institucion më vete, të krijuar me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës. Por lidhja financiare është e drejtpërdrejtë dhe publike.

Edhe simbolika është domethënëse. Selia është në Hagë, gjyqtarët dhe stafi janë ndërkombëtarë, ndërsa në pamjet zyrtare të sallës së gjykimit nuk shihet flamuri i Kosovës.

Nga 170.9 milionë euro të ndara për periudhën nga 15 qershori 2025 deri më 14 qershor 2027, 106.4 milionë shkojnë për proceset në Hagë. Për mandatin e EULEX-it brenda Kosovës janë ndarë 64.5 milionë. Pra, mbi 62 për qind e shumës së përgjithshme shkon në Hagë.

Edhe zgjedhja e udhëheqjes tregon se në cilin drejtim po shkon misioni.

Shefi i ri, Antero Lopes, ka qenë komisioner i Policisë së Sigurisë Publike të Portugalisë. Më pas ka vazhduar me një karrierë të gjatë në Kombet e Bashkuara, në diplomaci, sundim të ligjit, qeverisje të sektorit të sigurisë dhe menaxhim krizash. Përvoja e tij nuk vihet në dyshim. Por, pas tetëmbëdhjetë vjetësh të EULEX-it, emërimi i një profili të dalë nga policia dhe siguria e forcon përshtypjen se Kosova vazhdon të shihet si çështje sigurie që duhet menaxhuar.

Zëvendësshefja Emily Rakhorst ka qenë pjesë e Ekipit Planifikues për Dhomat dhe Zyrën Administrative nga shkurti 2015 deri në prill 2016. Më pas, deri në shtator 2020, ka udhëhequr Njësinë për Menaxhimin e Gjykatës në Zyrën Administrative të Dhomave.

EULEX-i ka edhe detyra të tjera. Merret me personat e zhdukur, shërbimin korrektues, monitorimin e drejtësisë dhe shërben si reaguesi i dytë i sigurisë. Askush nuk ua mohon rëndësinë këtyre detyrave.

Por monitorimi duhet matur me rezultate. Raporti i vitit 2025 është i teti që EULEX-i ka hartuar nga viti 2018, por vetëm i pesti që është bërë publik. Nga 478 seanca të monitoruara, 132, ose 28 për qind, janë shtyrë pa asnjë përparim. Vetë raporti pranon se nuk ka pasur ndryshime domethënëse në trajtimin e rasteve të profilit të lartë.

Dokumentet, shifrat dhe zgjedhja e udhëheqjes e shtrojnë vetë pyetjen:

A po mbahet EULEX-i në Kosovë kryesisht për sigurinë dhe për Gjykatën Speciale?

EULEX-i nuk mund ta mbështesë një gjykatë që gjykon në emër të popullit të Kosovës dhe, në të njëjtën kohë, të mbetet neutral ndaj shtetit të atij populli.

Të ngjashme

Të fundit