Dhuna në familje nuk është çështje private: Kosova duhet të veprojë para krismës

- Advertisement -

Shkruan: Aurora Pirraku Nika

Suedia nuk e ka zhdukur dhunën ndaj grave. Por ka ndërtuar ligje, vlerësim profesional të rrezikut dhe një vizion kombëtar me synimin zero vrasje të grave. Kosova nuk duhet ta kopjojë Suedinë – por mund dhe duhet të mësojë nga përvoja e saj.

Pas çdo vrasjeje të një gruaje, Kosova tronditet. Dëgjojmë deklarata, kërkesa për drejtësi dhe premtime se rasti nuk do të harrohet.

Por një shtet serioz nuk matet vetëm me shpejtësinë e arrestimit pas krimit. Ai matet me aftësinë për ta njohur rrezikun para se kërcënimi të shndërrohet në vrasje.

Rasti tragjik i 25-vjeçares e ka tronditur përsëri Kosovën Përgjegjësinë penale duhet ta përcaktojë drejtësia, mbi bazën e provave dhe pa paragjykuar hetimin. Por pyetja institucionale nuk mund të presë:

A bëri sistemi gjithçka që mund të bënte për ta identifikuar dhe parandaluar rrezikun?

Ne shkruajmë si profesioniste të psikoterapisë, psikologjisë, kriminologjisë, punës policore, sociologjisë dhe shkencave të sjelljes.

Suedia nuk është vend pa dhunë. Edhe atje gratë kërcënohen, dhunohen dhe vriten nga partnerët ose ish-partnerët. Edhe institucionet suedeze dështojnë.

Por Suedia ka vendosur një parim themelor: dhuna në familje nuk është konflikt privat. Ajo është krim, problem i shëndetit publik dhe çështje e sigurisë shtetërore.

Toleranca zero duhet të jetë sistem, jo slogan

Qeveria suedeze e udhëhequr nga Moderaterna ka vendosur një vizion kombëtar me synimin zero vrasje të grave.

Kjo nuk do të thotë se sot ka zero viktima. Do të thotë se asnjë vrasje nuk pranohet si e pashmangshme.

Moderaterna ka kërkuar gjithashtu që pas çdo vrasjeje të një gruaje të analizohet çfarë dinin institucionet, cilat sinjale u humbën dhe çfarë duhet të ndryshojë.

Parimi është i fuqishëm:

Një vrasje – një analizë. Një dështim – një ndryshim. Një rekomandim – një afat dhe një institucion përgjegjës.

Sepse qëllimi nuk është vetëm të dënohet autori. Qëllimi është që shteti të mësojë dhe ta parandalojë vrasjen tjetër.

Ligji duhet të shohë modelin, jo vetëm goditjen e fundit

Dhuna në marrëdhënie intime rrallë fillon me vrasje. Ajo shpesh fillon me kontroll, izolim, xhelozi, poshtërim, kërcënime, përndjekje dhe varësi ekonomike.

Ligji suedez për grov kvinnofridskränkning u mundëson gjykatave të shohin të gjithë modelin e veprave të përsëritura – jo vetëm incidentin e fundit.

Nga 1 korriku 2026, Suedia ka kriminalizuar posaçërisht edhe dhunën psikologjike të përsëritur, përfshirë poshtërimin, kërcënimet, detyrimin dhe mbikëqyrjen e palejuar, kur këto sjellje e dëmtojnë rëndë integritetin dhe vetëvlerësimin e viktimës.

Mesazhi është i qartë:

Shteti nuk duhet të presë mavijosjen për ta marrë dhunën seriozisht.

Kosova duhet të sigurojë që kontrolli shtrëngues, dhuna psikologjike, përndjekja dhe mbikëqyrja digjitale të identifikohen, dokumentohen dhe trajtohen si pjesë e një modeli të rrezikshëm.

“Pse nuk u largua?” është pyetja e gabuar

Frika kronike ndikon në aftësinë për të marrë vendime. Izolimi e dobëson rrjetin shoqëror. Varësia ekonomike e vështirëson largimin. Kërcënimet ndaj fëmijëve mund ta paralizojnë viktimën.

Në shumë raste, rreziku rritet pikërisht gjatë ndarjes.

Prandaj institucionet nuk duhet të pyesin vetëm pse gruaja nuk iku. Duhet të pyesin:

A ka strehim të sigurt? A ka të ardhura? A është kërcënuar? A po përndiqet? A ka autori qasje në armë? A ekziston një plan konkret sigurie?

Largimi pa strehim, të ardhura dhe mbrojtje nuk është plan sigurie. Është vetëm zhvendosje e rrezikut.

Vlerësimi i rrezikut shpëton jetë

Vlerësimi profesional i rrezikut nuk është profeci. Është metodë për të mos e lënë jetën e një gruaje në dorë të rastësisë.

Kontrolli ekstrem, dhuna në përshkallëzim, shtrëngimi i qafës, kërcënimet, përndjekja, ndarja dhe qasja në armë janë sinjale që kërkojnë reagim të menjëhershëm.

Suedia ka forcuar edhe ndalimin e kontaktit. Në raste të caktuara ai mund të zgjerohet dhe të shoqërohet me mbikëqyrje elektronike.

Parimi duhet të jetë i njëjtë edhe në Kosovë:

Duhet të kufizohet personi i rrezikshëm – jo gruaja e rrezikuar.

Një urdhër mbrojtës që nuk kontrollohet është vetëm letër, jo mbrojtje.

Fëmija nuk është spektator

Në Suedi, një fëmijë që detyrohet të dëshmojë dhunën ndërmjet personave të afërt konsiderohet vetë viktimë e një vepre penale.

Ky është një ndryshim thelbësor. Fëmija nuk duhet të goditet për t’u dëmtuar. Të jetosh me frikën se babai mund ta vrasë nënën është në vetvete traumë.

Kosova duhet ta vendosë të njëjtin parim në qendër të sistemit: fëmija që përjeton dhunën në familje është viktimë me të drejta të veçanta për mbrojtje, mbështetje psikologjike dhe përfaqësim juridik.

Gruaja nuk duhet ta koordinojë vetë shpëtimin e saj

Një grua në rrezik nuk duhet të endet nga policia te mjeku, nga prokuroria te shërbimet sociale dhe nga komuna te strehimorja, duke ua ritreguar të gjithëve të njëjtën histori.

Të ngjashme

Të fundit