Çka i ka borxh Kosova Albinit dhe kësaj klase politike?

- Advertisement -

 

Ramiz Lladrovci

Historinë e fillesave në politikë të kësaj klase politike, i njohim, në veçanti të Albinit. Integrimin në Unionin e studentëve të Pavarur e deri te titulli “përkthyes” i Bacit Adem, të përkthyer në “Shef i Kabinetit” të tij, është një cv e njohur e tij. Dihet e kaluara, deri në Epopenë e UÇK-së. Qëndrimet paqësore të Albinit lidhur me luftën, i dëshmoi në intervista për media të huaja (I would never pick up a gun).

Proceset madhore të shtetformimit e shtetndërtimit, Albinin e gjetën në rrethana të vështira dhe në margjina, mbase edhe në rrjedha të kundërta me historinë.

Lindja e shtetit të Kosovës, nuk ishte e lehtë. Për të arritur te shteti i ri, Republika e Kosovës, populli ynë pati dhimbje, varreza masive, dhunë e terror. Patëm fatin që bota demokratike e kuptoi kauzën tonë për liri dhe megjithëse vonë, veproi duke na përkrahur.

Përkrahja për Kosovën erdhi nga toka e qielli. Ne këtë përkrahje kurrë nuk e harrojmë, në veçanti kontributin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s, liria erdhi. Ne jemi përjetësisht mirënjohës. Filloi shtetndërtimi me rrethanat e një vendi pa ujë e pa drita, pa polici e pa ushtri, pa gjyqe, pa spitale e pa shkolla, pa asnjë rrugë normale e asnjë ambulantë ku mund të merrej një injeksion.

Po, normal, filloi ndërtimi i shtetit, nga hiri, nga asgjëja. Kishim tokën, miqtë dhe vullnetin e jashtëzakonshëm të ndërtonim shtet me vlera euro-atlantike. Shteti nga asgjëja u ndërtua nga qytetarët që kishin mijëra familjarë të zhdukur, me mijëra dëshmorë e martirë. U ndërtua një shoqëri demokratike e cila, të kaluarën e shndërroi në forcë shtetndërtuese, me zgjedhje të lira e demokratike.

Albin, ne jemi qytetarë shtetformues e shtetndërtues.

Zgjedhjet demokratike të sollën në pushtet. Ashtu e deshti shumica që mori pjesë në zgjedhje. Për këtë qeverisje disavjeçare, nuk po flasim për ngecjet në arsim apo energji, në siguri apo marrëdhëniet strategjike me ShBA-në, as për sanksionet dhe mungesën e investimeve kapitale, për privatizimin apo korrupsionin, nuk po flasim as për shkërmoqjen e diplomacisë dhe humbjen e vendit meritor në raport me ShBA-në dhe vendet e BE-së, po flas për fuqizimin e shtetit.

Shtetin e more me të gjitha organizmat e nevojshëm e të domosdoshëm për ecjen përpara. A kishte gabime në të kaluarën, kishte, po, kishte mundësi të bëhej më shumë e më mirë, por, aq ishte kaçiku ynë. Çfarë të ndalon të merresh vesh me partitë politike për të ndërtuar mirëbesimin për institucione kredibile.

Me mos veprim, e dobësove shtetin deri në dhimbje. Çfarë të ndalon të zbatosh Kushtetutën, të themelohet Parlamenti në pajtim me Kushtetutën, të zgjedhet Presidenti dhe Qeveria në pajtim me Kushtetutën?

Në orët më të liga të historisë së Republikës së Kosovës që nga themelimi, ne kemi institucione për të cilat nuk more asnjë urim e as përgëzim. Kjo më fyen mua dhe ata që i besojnë krijesës për të cilën ishin gati të japin gjithçka. Nuk more lule e as vlerësime së paku nga miqtë që na ndihmuan të çlirohemi dhe të bëhemi shtet.

Kosova e dobësuar dhe e përçarë e me nivelin më të ulët të bashkëpunimit me Shqipërinë, përçarjen e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe përçarjes në Luginë, nivelit më të ulët të bashkëpunimit me ShBA-në, ka kontribuar që momentumi i unitetit nacional për 16 shtatorin të mos arrihet.

Keq Albin. Për më keq, do të mbahesh mend për anashkalim të përgjegjësisë ndaj momentit historik që po ngjan në Hagë, kur shteti nuk e ka asnjë institucion kredibil dhe nuk është i gjallë sa mundet dhe nuk është në veprim sa meriton. Votat i more për ta bërë Kosovën më të mirë, por, jo. Kosova me vite po degradon dhe nuk po bëhet më mirë. Oreksi për më shumë pushtet ka mbisunduar interesin nacional, jo vetëm të Kosovës por edhe të kombit shqiptar.

Nesër pritet vendimi në Hagë për pafajësinë e heronjve tanë të luftës dhe paqes, për Hashimin, Kadriun, Jakupin dhe Rexhën, por shteti për të cilin luftuan ata me shokë dhe aleatë, është jo i plotë, pa institucione meritore. Nëse nuk ke pasur ide si të sillesh në këtë rast të papërsëritshëm, ke mundur ta kopjosh Kroacinë se si u soll me heronjtë e vet që u përballen me këtë gjykatë.

Albin, Kosova është më e vlefshme se krejt albinat e ramizat e botës, më e vlefshme se dëshmorët, martirët që e dhanë jetën për të, është më e vlefshme dhe krejt përkushtimi atdhetar me gjenerata, andaj, këtë dobësim Kosova në orët më të liga të saj nuk e ka merituar.

Kosova nuk i ka borxh askujt, as ty e as kësaj klase politike pa dallim, kush e ndjen veten atdhetar, është borxhli i saj, tërë jetën!

https://www.facebook.com/share/19Na4ho9Me/?mibextid=wwXIfr

Të ngjashme

Të fundit