Zyra e Prokurorit të Specializuar dështoi ta dëshmojë me prova “Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”

- Advertisement -

Shkruan: Ardian Bajraktari

Derisa jemi me sy e vesh nga Haga, në pritje të publikimit të vendimit për katërshen e UÇK-së, një çështje thelbësore është, a e ka provuar ZPS-ja përtej dyshimit të arsyeshëm jo vetëm ekzistencën e krimeve, por edhe ekzistencën e një qëllimi të përbashkët kriminal dhe pjesëmarrjen individuale të secilit prej katër të akuzuarve për atë qëllim, si elemente esenciale të ndërmarrjes së përbashkët kriminale.

Fillimisht është esenciale dhe shumë e rëndësishme të sqarohet se ekzistenca e krimeve nuk e provon vetvetiu ekzistencën e Ndërmarrjes së Përbashkët Kriminale (NPK), dhe për më tepër, edhe vet ekzistenca e NPK-së nuk e provon vetvetiu fajësinë e secilit individ, por duhet të provohen të gjitha hallkat për tërësinë.

Në thelb, Zyra e Prokurorit të Specializuar e cila e ka pasur barrën e të provuarit, do të duhej të argumentonte përtej dyshimit të arsyeshëm, ekzistimin e këtyre elementeve:

1. A ekzistonte një ndërmarrje e përbashkët kriminale?
2. A kishte një qëllim të përbashkët kriminal?
3. A ishte secili prej katër të akuzuarve pjesëmarrës në atë ndërmarrje?
4. Cili ishte kontributi (i rëndësishëm apo i dëshmuat) në realizimin e atij qëllimi?
5. A ekzistonte niveli i fajit, të kërkuar për formën konkrete të NPK-së?

Duhet theksuar se vetë ZPS-ja, në parashtresat e saj të mëhershme e kishte formuluar standardin duke theksuar se është e rëndësishme dhe e nevojshme që të provohet se secili i akuzuar ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në planin e përbashkët kriminal dhe në realizimin e tij, së bashku me ekzistimin e nivelit të fajit përkatës.

Është esenciale dhe shumë e rëndësishme që të konstatohet se nuk është e mjaftueshme që të provohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi kanë qenë personalitete të rëndësishme të UÇK-së, duhet të provohet se cili ishte qëllimi kriminal dhe çfarë bëri konkretisht secili prej tyre për realizimin e këtij qëllimi, gjë e cila (me aq sa është parë) Prokuroria e Specializuar ka dështuar ta bëjë.

Por çka është qëllimi kriminal?

Kjo është një pikë tejet e rëndësishme e për këtë çështje, nuk mjafton të provohet, se kishte krime, qoftë edhe nëse disa prej tyre ishin kryer nga ose i ishim mëshuar pjesëtarëve të UÇK-së, apo se katër të akuzuarit kishin pozita të rëndësishme, përfshirë edhe faktin se njiheshin me njëri-tjetrin, apo se ata kishin komunikim politik apo ushtarak. Do të duhej të provohej ekzistenca e një qëllimi të përbashkët kriminal konkret, të cilit katër të akuzuarit i ishin bashkuar.

Për më tepër, kjo është veçanërisht e rëndësishme sepse vetë materiali i ZPS-së e thekson ekzistimin e raporteve ndërmjet katërshes së UÇK-së dhe marrëdhëniet e tyre të hershme, themelimin e Shtabit të Përgjithshëm, konsultimet politike dhe prestigjin që ata e kishin në mesin e komandantëve dhe ushtarëve të UÇK-së. E përmes kësaj të provohej ekzistenca e një bashkëpunimi politik/ushtarak, por në asnjë mënyrë nuk provohet edhe ekzistenca e një qëllimi të përbashkët kriminal, ngase si të tilla këto kanë dallime esenciale në mes tyre.

Ndonëse është e pakontestueshme ekzistenca e UÇK-së, Shtabit të Përgjithshëm, komandantëve, strukturës operative, komunikimit edhe eventualisht hierarki (ndonëse komunikimi dhe hierarkia nuk kanë arritur të provohen), duhet të shkohet përtej sepse duhet të lidhet struktura organizative me qëllimin kriminal të përbashkët, lidhje e cila duhet të provohet me prova konkrete, veprim i cili ka dështuar të bëhet.

Është e rëndësishme të dihet po ashtu se përgjegjësia individuale e secilit duhet të analizohet ndaras, prandaj edhe nëse konstatohet se ka ekzistuar NPK, kjo nuk do të thotë automatikisht se të gjithë mund të shpallen fajtorë.

Kjo për faktin se për secilin prej katërshes së UÇK-së, duhet të vërtetohet se a ishte anëtar i NPK -së? Çfarë qëllimi kishte? Cili ishte kontributi i tij?, dhe Çfarë faji kishte?

Ngase NPK -ja mund të jetë e përbashkët, por përgjegjësia penale është individuale, dhe se Prokuroria duhet ta provojë nëse kishte NPK, a ishin pjesë e ndonjë projekti kriminal, cila është shkalla e përgjegjësisë si epror, dhe mbi të gjitha nëse kishte kontroll efektiv mbi vartësit, kishte dijeni ose kishe arsye për të ditur për krimet eventuale dhe nuk u ndërmorën masat e nevojshme, gjë e cila në rrethanat kur lëvizja është herë e vështirë, e herë e pamundur nga një fshat në një fshat tjetër, apo nga një zonë në zonën tjetër, këto veprime ishin të pamundura të ndodhnin.

Prova e një strukture politike/ushtarake ose e autoritetit të një personi nuk është e barabartë me provën e një qëllimi të përbashkët kriminal.

ZPS-ja, ka dështuar për ta provuar me prova konkrete faktin se ndonjëri nga katërshja e UÇK- kishte përqafuar qëllimin kriminal, e aq më pak cili ishte kontributi konkret e kriminal i tij në drejtim të realizimit të atij qëllimi.

Fokusi mbase kryesor i ZPS mbështetej kryesisht në pozitë, reputacion, kontakte, autoritet, komunikime dhe lidhje politike, por, pa një lidhje të mjaftueshme me qëllimin kriminal, prandaj ekziston një problem serioz në kalimin nga “udhëheqës” në “pjesëmarrës në Ndërmarrjen e Përbashkët Kriminale”.

Këto elemente Prokuroria ka dështuar t’i provojë, prandaj, pritjet janë të bazuara dhe legjitime që akuzat për Ndërmarrje të Përbashkët Kriminale të bije dhe bashkë me të ketë verdikti lirues për katërshën e UÇK-së.

Të ngjashme

Të fundit