Nga Besa Ismaili
Shtatë vjet në politikë, shtatë vjet bllokim sistematik të llogarive në Facebook.
7 × 365 ditë, me nga 10–15 bllokime në ditë, nënkuptojnë rreth 25–38 mijë llogari të bllokuara. Kjo nuk duket më si sjellje individuale në rrjete sociale, as aktivizem politik qytetar, por duket si një mekanizëm i organizuar për kontrollimin e hapësirës publike.
Institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë,Prokuroria dhe AKI-ja, brenda kompetencave të tyre ligjore, duhet të hetojnë nëse pas kësaj “ndërmarrësie” virtuale qëndrojnë struktura të koordinuara, burime financimi, llogari të rreme dhe operacione të organizuara ndikimi.
Sepse këtu tashmë bëhet fjalë për një armatë virtuale që mund të ketë manipuluar dhe riorientuar narrativën publike: duke heshtur kundërshtarët, linçuar kritikët, fabrikuar perceptimin e mbështetjes masive dhe paraqitur propagandën partiake si vullnet qytetar.
Kur propaganda organizohet, financohet dhe përdoret për të deformuar debatin publik, kemi të bëjmë me manipulim të organizuar të opinionit dhe rrezikim të demokracisë.
Pasojat janë tashmë të dukshme: janë ushqyer narrativat antishtetërore, antikushtetuese, antiamerikane dhe anti-UÇK; janë prodhuar perceptime të rreme për “çlirimin” e veriut dhe “luftën kundër korrupsionit”; ndërsa dështimet institucionale janë mbuluar me propagandë, etiketime dhe armiq imagjinarë.
Ky operacion i planifikuar dhe i shtrirë cep më cep e ka polarizuar shoqërinë, ka dëmtuar besimin në institucione dhe ka dobësuar aftësinë e qytetarëve për të dalluar faktin nga propaganda. Edhe më alarmuese është mundësia që njerëz brenda sektorëve përgjegjës për mbrojtjen e rendit demokratik të kenë rënë nën ndikimin e këtyre narrativave, dhe i shtyejnë këto narrativa përpara.
Armata virtuale nuk është thjeshtë zhurmë në Facebook. Ajo duket të jetë instrument pushteti, presioni dhe kapjeje të opinionit publik. Prandaj, institucionet duhet të reagojnë: të identifikojnë rrjetet, financuesit dhe mekanizmat e koordinimit, si dhe të përcaktojnë sa dhe në ç’mënyrë janë cenuar ligji, siguria kombëtare dhe rendi kushtetues.
Demokracia sot duhet të mbrohet edhe në hapësirën digjitale. Sepse në hapësirën digjitale,prej vitesh, zhvillohet një luftë e organizuar për mendjen, perceptimin dhe vullnetin politik të qytetarëve. Ky është ALARM për organet e sigurisë, dhe jo vetëm! @followers






