Në pesëvjetorin e ndarjes nga jeta të Dr. Rexhep Bojës, kujtesa nuk na kthen vetëm te një myfti, profesor apo ambasador. Na kthen te një epokë. Na kthen te një brez burrash që u rritën me Kosovën si plagë dhe e përjetuan lirinë e saj si amanet; te njerëz që pozitën nuk e panë si privilegj, dijen nuk e mbajtën për vete dhe autoritetin nuk e shndërruan në lavdi personale, por në mjet shërbimi për vendin. Në këtë brez kishte vendin e vet Dr. Rexhep Boja.
Ai nuk hyri rastësisht në rrjedhat kombëtare të viteve ’90. Vetëdija e tij kombëtare i parapriu pozitës së tij institucionale. I lindur në Kërrnicë të Klinës, në trungun e familjes Boja, te komitit Feriz Boja dhe në një mjedis ku kujtesa e qëndresës shqiptare ishte e gjallë, ai u rrit në një horizont ku feja, kombi, dija dhe detyrimi ndaj vendit nuk ishin botë të ndara.
Kur doli nga Kosova për shkollim, ai nuk doli për t’u shkëputur prej saj.
Doli për t’u arsimuar — që një ditë t’i kthehej asaj i përgatitur.
Rruga e tij e formimit e çoi në Damask. Në vitin 1967, Rexhep Boja i ri mbërriti në një prej qendrave më të rëndësishme të botës arabe. Atje nuk gjeti vetëm shkollën dhe studimet fetare. Gjeti edhe një botë shqiptare të mërguar, por jo të dorëzuar: dijetarë, arsimtarë, intelektualë dhe burra të Kosovës që kishin marrë me vete, larg atdheut, kujtesën e një vendi të robëruar dhe shpresën për Shqipëri e Kosovë të lira.
Në atë mjedis u afrua veçanërisht me patriotët Kosovar si Ismail Gorani e dijetarin Abdulkadir Arnauti, burra te një brezi që kishin paguar me mërgim, përndjekje e sakrificë besnikërinë ndaj çështjes shqiptare.
Kështu, Damasku për Rexhep Bojën nuk ishte thjesht një adresë shkollimi. Ishte një univers i dytë formimi: vendi ku dija fetare takohej me ndërgjegjen kombëtare, ku kujtesa e Kosovës ruhej larg saj. Vetë Boja thoshte Damaskun si një vend që kishte “vend të veçantë në zemrën time”. Mërgimtari shqiptar në Lindje nuk ishte thjesht një njeri që kishte ndryshuar vendbanim. Në shumë prej atyre familjeve jetonte kujtesa e shpërnguljes, e humbjes së vendlindjes dhe e përpjekjes për të ruajtur prejardhjen. Rexhep Boja, i ardhur nga Kosova, gjendej mes shqiptarësh që Kosovën e shihnin nga larg — dhe pikërisht largësia e kishte bërë atë edhe më të shtrenjtë. Një dëshmi e veçantë e formimit të hershëm atdhetar të Dr. Rexhep Bojës ishte edhe një dorëshkrim i vjetër i “Lahutës së Malcis”, të cilin, gjatë qëndrimit në Damask, ia kishte dhuruar një prej patriotëve shqiptarë. Për të, nuk ishte thjesht një libër i ruajtur si kujtim. Ishte një copë Shqipërie që e shoqëronte larg atdheut. Boja dinte përmendësh vargje të tëra të “Lahutës”, këngën e Oso Kukës e kujtonte me emocion të veçantë. Në ato vargje ai gjente atë që do ta karakterizonte edhe vetë gjatë gjithë jetës: besën, burrërinë, qëndresën dhe dashurinë e pakusht për atdheun. Sikur në shpirtin e tij të ri të bashkëjetonin që atëherë dy shtyllat që do ta përcillnin gjatë gjithë jetës: besimi në Zot dhe dashuria për kombin.
Ky dorëshkrim, i marrë nga duart e patriotëve shqiptarë, merr me vonë një domethënie të veçantë simbolike. Rexhep Boja mund të ishte larg Kosovës, por Kosovën dhe shqiptarinë i mbante me vete — në mendje, në zemër dhe, siç dëshmon edhe ajo “Lahutë” e vjetër, edhe në çantën e tije të studentit. Dhe shumë vite më vonë, kur do t’i vinte radha të dëshmonte se çfarë vlere kishte atdheu për të, ai ta dëshmonte me jetën e vet sikurse duke recituar vargjet e “Lahutës”.
Rruga drejt dijes nuk ishte e lehtë. Gjatë qëndrimit në Damask, Rexhep Boja përballej me përndjekjen e regjimit jugosllav, e cila shtrihej edhe përmes kanaleve diplomatike. Për këtë arsye, ai u detyrua të largohej fshehurazi nga Siria. Me ndihmën e miqve shqiptarë, kaloi përmes Jordanisë dhe, pas një rrugëtimi të vështirë, arriti në Arabinë Saudite, ku u vendos në Medinë. Pikërisht aty vendosi të vazhdonte rrugën e tij të shkollimit dhe të thellonte dijen mbi Islamin.
Por Medina për të nuk ishte vetëm një qytet i largët ku i jepej mundësia për të studiuar. Ajo ishte vendlindja e Profetit Muhamed a.s., qyteti i Hixhretit, i dijes dhe i besimit. Të jetonte dhe të studionte aty kishte një domethënie të veçantë. Në atë tokë, ku kishte jetuar, vepruar dhe ku prehet i Dërguari i Allahut, edhe përditshmëria e tij studentore merrte një kuptim më të thellë. Studimi në Medinë, kështu, nuk ishte vetëm një etapë e formimit të tij akademik. Ishte një përvojë që ndërthurte dijen me besimin, jetën studentore me përjetimin shpirtëror dhe kërkimin intelektual me afërsinë ndaj vendeve ku kishte marrë formë historia e hershme e Islamit.
Në vapën e rëndë të Medinës, mes temperaturave të larta, ditëve të gjata dhe kushteve që kërkonin durim e përshtatje, ai i kushtoi vitet më të mira të rinisë së tij dijes.
Sa më e vështirë bëhej rruga, aq më i madh dukej vullneti i tij për të vazhduar.
Etja e tij për dije ishte më e madhe se lodhja, më e fortë se largësia dhe më e qëndrueshme se çdo vështirësi.







