16 shtator 2026, Hagë! Beteja e shqiptarëve për të qenë të lirë është e përhershme!

- Advertisement -

Një ditë para verdiktit të madh për Katërshen e UÇK-së, duhet rikujtuar se askush asnjëherë nuk ka besuar se do të ishte e lehtë që shqiptarët ta fitonin pavarësinë nga Serbia dhe Kosova të bëhej shtet. As e mërkura e 16 shtatorit 2026, në Hagë, nuk duhet të na lejojë ta harrojmë këtë fakt. Beteja e lirisë është më madhja që ka provuar njerëzimi në historinë e vet. Është e përhershme!

Adriatik Kelmendi / Hagë

NUK MUND TË qëndrojë asnjëherë bashkë edhe besimi se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër e edhe akuza se fajin për themelimin e Gjykatës Speciale e kanë deputetët që votuan amandamentet kushtetuese në Kuvend. Në thelb, njeriu ose e di që nuk ka faj dhe nuk përton t’ua dëshmojë këtë kurdo të tjerëve, ose fshihet i vetëdijshëm se është fajtor. Deputetët që kanë votuar ndryshimet e imponuara kushtetuese e kanë bërë këtë me besimin se kështu mbrohet lufta, jo se ajo dëmtohet. Vetëm nëse ke diçka për të fshehur dhe nuk beson në pastërtinë tënde, ti kërkon që këtë pastërti të mos e vësh në peshojë. Përkundrazi, nisur nga rrethanat e krijuara asokohe, nëse Kuvendi i Kosovës do të refuzonte krijimin e një nisme të tillë (sado mbrapshtë që është menaxhuar ajo dhe sado e panevojshme që ka qenë; dhe për këtë flasim më poshtë), akuza do të ishte se – po duan t’i fshehin krimet.

Kujt do t’i shërbente kjo? Natyrisht, jo atyre që besojnë në luftën e popullit shqiptar për liri. Do t’i shërbente armiqëve.

Kështu që, do të ishte e udhës, sot, një ditë para verdiktit të madh në Hagë, të përmbyllet debati më i kotë, i panevojshëm dhe përçarës, ndërlidhur me fatin e Kosovës dhe procesin kundër Katërshes së UÇK-së.

POPULLI I KOSOVËS ka konsensus të gjerë në bindjen se lufta për liri ka qenë luftë e drejtë, por megjithatë insistimi i themelimit të Dhomave të Specializuara të  Gjykatës në Hagë ka qenë i padrejtë.

Si në çdo konflikt, padyshim, edhe në luftën e vitit ’98-’99 mund të ketë pasur gabime, edhe nga ndonjë pjesëtar i UÇK-së. Por me krimet e dyshuara të ndërlidhura me luftën janë marrë plot pesë gjykata, para se të themelohej Gjykata Speciale. Është marrë Tribunali Ndërkombëtar i OKB-së për Krime të Luftës në Ish-Jugosllavi (ICTY), janë marrë gjykatat e UNMIK-ut, gjykatat e EULEX-it, gjykatat e Serbisë, si dhe gjykatat vendore të Kosovës. Nuk ka pasur nevojë që të bëhej edhe një gjykatë e re, krejt e veçantë, e cila siç tashmë është edhe e vërtetuar, trajton vetëm etni të caktuar, atë shqiptare. Ironikisht, ke mundur të kryesh krim të supozuar lufte në Kosovë dhe nëse nuk je i etnisë shqiptare, kjo gjykatë i ka mbyllur sytë.

Me publikimin e aktakuzës u vërtetua se asnjë nga pandehjet se ka pasur njëfarë Shtëpie të Verdhë ku janë kryer krime të tmerrshme, siç është tregtia e organeve njerëzore, nuk ka pasur bazë.

Pra, i gjithë lobimi dhe trysnia për themelimin e edhe një gjykate, pas pesë ekzistueseve, është bazuar në një rrenë. Por, i bie se pastaj gjërat shkuan shumë larg, sa që duhej të ndërtohej një aktakuzë me ”prova të tjera”, në mënyrë që të arsyetohej investimi. Ngjashëm me arrestimin e një personi për aksident trafiku dhe që në momentin e ngritjes së aktakuzës i thuhet se, vërtet, ai nuk ka qenë në ditën kritike fare në trafik, por se pavarësisht kësaj është i akuzuar se dyshohet ka ketë thyer xhamin e shkollës një vit më herët. Absurditete, të cilat do të studiohen gjatë në analet e drejtësisë ndërkombëtare.

KA THASHMË FAKTE të dëshmuara dhe të stërtheksuara se këtë Gjykatë e ka kërkuar Serbia. Pas humbjes së luftës në Kosovë dhe pas shpalljes së pavarësisë më 2008, Serbia kishte rënë në pikën zero. Beogradit i duhej që hap pas hapi të ngritej nga pozicioni i humbësit absolut, me synimin që së paku diçka nga humbja të rikthehet.

Shteti që ka nxitur vdekjet e rreth 130 mijë njerëzve në luftërat e Ish-Jugosllavisë dhe ka pasur krejt kreun shtetëror dhe ushtarak të akuzuar në Tribunalin e Hagës për këto krime, gjithmonë është rrekur të kapet në çfarëdo mundësie të dhënë për t’u barazuar me të tjerët. Për t’i bërë edhe të tjerët fajtorë për tragjeditë e luftërave. Dhe, si duket, inatin më të madh gjithmonë e ka pasur me shqiptarët, për shkak se Serbia përherë ka dashur t’i trajtojë si qytetarë të dorës së dytë. Elita politike serbe deri diku edhe ka mundur t’ia falë kroatëve dhe boshnjakëve, për këtë arsye edhe Serbia së paku zyrtarisht e njeh Kroacinë dhe Bosnjën si shtete të barabarta. Mirëpo, asnjëherë nuk ia ka falur shqiptarëve, asnjëherë nuk ka mundur ta pranojë faktin që Kosova është pavarësuar. Se Kosova është shtet.

Gjykata Speciale është përpjekja e fundit e Beogradit për ta barazuar xhelatin me viktimën. Duke llogaritur se tash, 27 vjet pas përfundimit të luftës së Kosovës, shumë pak njerëz në botë mund ta kujtojnë me saktësi se çka kishte ndodhur në vitet e përgjakshme ’90 në Ballkan dhe kush ishte Milosheviqi dhe Serbia.

Me shpalljen eventuale fajtorë të Katërshes së Madhe të UÇK-së, dy prej të cilëve edhe ishin kryesorët në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës në Kuvend, më 17 shkurt 2008, Serbia synon djallëzisht të ndikojë në krijimin e përshtypjes së lufta e popullit shqiptar të Kosovës për liri ka qenë e bazuar në ”ndërmarrje të përbashkët kriminale”. Kjo për ta propaganduar pastaj ndërrimin e paradigmës, se liria e popullit shqiptar nga shtypja e Serbisë është e bazuar në ndërmarrje kriminale, dhe se rrjedhimisht edhe shtetësia e Kosovës është kriminale.

E MËRKURA PARAQET ditën kur do të shqiptohet verdikti i Gjykatës Speciale ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit. Cilido që të jetë verdikti, lirues ose jo, ai ka krijuar përshtypjen se do të ripërceptojë shumëçka për Kosovën, rajonin, si dhe drejtësinë ndërkombëtare.

Por, nuk duhet harruar, ato që nuk guxon dhe nuk duhet kurrë t’i ndryshojë.

Se aparati shtetëror ushtarak dhe policor serb ka kryer krime ndaj popullatës civile shqiptare në Kosovë dhe se asnjë shqiptar në formë të organizuar nuk ka shkuar asnjëherë për të kryer krime të ngjashme në Serbi.

Se lufta për liri e popullit shqiptar të Kosovës ka qenë e drejtë.

Se pavarësia e Kosovës është e drejtë e pakthyeshme e pandryshueshme nga çfarëdo përpjekje për ndryshim të percepsionit publik.

Se Gjykata Speciale është inicuar dhe themeluar bazuar në një rrenë – tregtimin e organeve.

Dhe se, askush asnjëherë nuk ka besuar se do të ishte e lehtë që shqiptarët ta fitonin pavarësinë nga Serbia dhe Kosova të bëhej shtet.

As e mërkura e 16 shtatorit 2026 nuk duhet të na lejojë ta harrojmë këtë fakt.

Beteja e lirisë është më madhja që ka provuar njerëzimi në historinë e vet. Është e përhershme!

(Hagë, 15 shtator 2026)

Të ngjashme

Të fundit