Fabrika e Përpunimit të Qumështit VITA i ka drejtuar një ftesë publike ministrit të Bujqësisë, Armend Muja, duke e ftuar që të vizitojë nesër, më 8 korrik 2026, ambientet e fabrikës për t’u njohur nga afër me procesin e prodhimit, pranimin e qumështit nga fermerët dhe sfidat me të cilat përballet sektori i qumështit në Kosovë.
Ftesa vjen në një periudhë kur në opinion është folur shumë mbi cilësinë e qumështit të kësaj fabrike pas inspektimeve që AUV bëri në të më 2 korrik të këtij viti.
E përmes kësaj ftese, VITA thotë se synon të krijojë një mundësi për dialog të drejtpërdrejtë dhe transparent ndërmjet institucioneve dhe industrisë.
Në njoftimin publik, kompania shprehet se është e gatshme t’i prezantojë ministrit të gjithë zinxhirin e punës, nga fermeri deri te produkti final.
“Do të kemi kënaqësinë t’i prezantojmë nga afër procesin e prodhimit, procesin e pranimit të qumështit nga fermerët, standardet e cilësisë, bashkëpunimin me fermerët vendorë dhe të zhvillojmë një diskutim të hapur për sfidat dhe të ardhmen e sektorit të qumështit në Kosovë”, thuhet në ftesën publike të VITA-s.
Kompania ka theksuar gjithashtu se dyert e saj janë të hapura për ministrin dhe për një komunikim të drejtpërdrejtë.
“Dyert e VITA-s janë të hapura. Ju mirëpresim nesër, më 08.07.2026”, thuhet në fund të njoftimit.
Ftesa ndaj ministrit vjen pas deklarimeve të tij në televizionin T7 në lidhje me prodhimet e fabrikës “Vita”.






