ShBA-ja i kthen sanksionet për naftën iraniane, rritet çmimi i derivateve

- Advertisement -

Shtetet e Bashkuara të Amerikës të martën hoqën një përjashtim të përkohshëm nga sanksionet për naftën iraniane, pasi tri cisterna u goditën në Ngushticën e Hormuzit, duke shtuar presionin ndaj Teheranit teksa ai po negocion me Uashingtonin për përfundimin e luftës në Lindjen e Mesme.

Departamenti Amerikan i Thesarit anuloi licencën e shpallur në qershor, e cila i kishte lejuar Iranit të prodhonte, shiste dhe dorëzonte naftë të papërpunuar dhe produkte të lidhura me të deri më 21 gusht, raporton AFP.

“Veprimet e Iranit në Ngushticën e Hormuzit ishin plotësisht të papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe do të kenë pasoja”, tha për AFP një zyrtar amerikan.

Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se memorandumi i mirëkuptimit mes ShBA-së dhe Iranit “bazohet tërësisht në performancë”, duke paralajmëruar se Teherani do të përfitonte vetëm nëse do të tregonte “sjellje të mirë”.

Megjithatë, ai shtoi se negociatorët amerikanë po vazhdonin të punonin “me mirëbesim drejt një marrëveshjeje përfundimtare”.

Agjencia britanike për sigurinë detare, UKMTO, njoftoi se një “predhë e panjohur” goditi një cisternë gjatë natës, duke shkaktuar zjarr, ndërsa më pas edhe dy anije të tjera u goditën, të paktën njëra prej tyre nga një dron.

Të tri anijet u goditën pranë Omanit, i cili kishte propozuar një korridor të përkohshëm tranziti përgjatë vijës së tij bregdetare – një nismë që Irani e kundërshton, pasi synon të vendosë tarifa për anijet që përdorin këtë rrugë të ngushtë ujore.

Katari tha se njëra nga anijet ishte cisterna e tij e gazit natyror të lëngshëm (LNG), “Al-Rekayyat”, dhe fajësoi Iranin, duke e cilësuar sulmin si “të papranueshëm”.

Irani shprehu “keqardhje” për akuzat e Katarit në një deklaratë të publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve IRNA, duke i cilësuar ato si “të papranueshme”.

Sulmet, të cilat i dhanë fund më shumë se një jave qetësie relative, rikthyen shqetësimet për lirinë e lundrimit pasi Irani hoqi bllokadën e kësaj rruge jetike ujore pas armëpushimit të brishtë me Shtetet e Bashkuara.

Çmimet e naftës u rritën me më shumë se dy për qind, pasi sulmet e reja rikthyen shqetësimet për furnizimin global me energji dhe hodhën dyshime mbi qëndrueshmërinë e marrëveshjes mes ShBA-së dhe Iranit.

Të ngjashme

Të fundit