Artan Behrami nga PDK, ka deklaruar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk është i interesuar për arritjen e një kompromisi politik për konstituimin e institucioneve, duke shtuar se, sipas tij, vendi do të përfundojë sërish në zgjedhje.
Në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, Behrami tha se diskutimet rreth ftesave për takime mes partive politike nuk kanë më rëndësi, pasi ai beson se Kurti nuk synon krijimin e institucioneve të reja.
“Ne kot jemi duke folur për detaje se a erdhi ftesa, a shkoi ftesa, a shkon dikush në takim apo si shkon në takim. Këto i kemi diskutuar njëqind herë dhe të gjitha janë kot, sepse Kurti prapë na çon në zgjedhje. PDK-ja është një parti në opozitë dhe, me fuqinë që ka në Kuvend, do të mundohet që Kosova të ketë institucione. Por ne e dimë dhe jemi të bindur se z. Kurti nuk dëshiron institucione dhe nuk dëshiron stabilitet”, ka deklaruar Behrami.
Ai tha se nuk beson se kriza politike do të zgjidhej edhe nëse PDK-ja do të propozonte një kandidat për president, pasi, sipas tij, problemi nuk qëndron te emri i kandidatit.
“Unë nuk e kuptoj se si mendohet që, nëse PDK-ja propozon një emër për president, kjo situatë do të përfundojë. Kjo nuk ndodh. E kam thënë edhe më herët se Kurti do të na çojë përsëri në zgjedhje dhe ja ku jemi, për herë të dytë. Qytetarët janë lodhur nga kjo situatë, por nuk mund të ushtrohet presion mbi Partinë Demokratike të Kosovës që t’ia shtrijë qafën Albin Kurtit dhe ta pranojë diktatin e tij. Kjo nuk mund të ndodhë dhe as nuk do të ndodhë”, u shpreh Behrami.
Sipas deputetit të PDK-së, zgjidhja e krizës politike kërkon vullnet për kompromis nga të gjitha palët, ndërsa ai vlerësoi se përgjegjësia kryesore bie mbi partinë që ka dalë e para në zgjedhje dhe që ka mandatin për të formuar institucionet.






