Rama: Prokurori mori vendim të mos lejohet puna për muralin e Nënë Terezës derisa të vendosë gjykata, ne i kishim të gjitha lejet

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se Prokuroria e Shtetit ka vendosur të mos lejojë vazhdimin e punimeve për vendosjen e muralit të Nënës Terezë në objektin e Ministrisë së Ekonomisë në Prishtinë derisa të nxjerrë një vendim gjykata.

Ai insistoi se ishin në të drejtën e tyre për ta vendosur atë mural, duke thënë se ka qenë vendim i Asamblesë së Prishtinës.

Rama shtoi se objekti i Ministrisë është hapësirë publike dhe se fasadat e këtyre hapësirave janë kompetencë e Komunës.

“Prokurori paska marrë një vendim për të mos e lejuar punën derisa të vendosë gjykata. Një vendim që është marrë prej asamblistëve të kryeqytetit për ta vazhduar këtë punim, një vendim i plotfuqishëm me të gjitha lejet, të drejtat ligjore, kushtetuese si qeverisje lokale, është bllokuar tash sepse po thotë që ka kontest mes të dyja palëve, komuna e Prishtinës dhe Ministria. Po pse Ministria? Kjo nuk është ndërtesë e Ministrisë, këto hapësirat publike, fasadat janë në kompetencë të kryeqytetit dhe ne i kemi i kryer të gjitha veprimet e dokumentet që është plotësisht ligjore”.

Deklarata e Ramës vjen pasi sot punëtorët nisën vendosjen e muralit sipas udhëzimeve të Komunës, ndërsa Policia e Kosovës shkoi aty për të ndalë punimet.

Rama akuzoi policinë se po iu nënshtrohet urdhrave politikë, duke thënë se morën “urdhër nga lart”.

Ministria e Ekonomisë mbrëmë në reagimin e saj tha se “Komuna e Prishtinës ka dhënë pëlqim për ndërhyrje në një objekt që nuk është në pronësi dhe as në menaxhim të saj, pa autorizim, konsultim apo njoftim paraprak të ministrive përgjegjëse”.

 Më pas Ministria e Ekonomisë tha se ka njoftuar Policinë e Kosovës, e cila doli në terren për të ndaluar punimet

Të ngjashme

Të fundit