Albanians For America
Në qershor të vitit 1999, ndërsa lufta për lirinë e Kosovës kishte marrë fund, vëllezërit shqiptaro-amerikanë Agron, Mehmet dhe Ylli Bytyqi e kishin përmbushur misionin për të cilin kishin lënë jetën e tyre në Shtetet e Bashkuara. Si pjesëtarë të Batalionit vullnetar “Atlantiku”, ata kishin luftuar në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke dhënë kontributin e tyre në çlirimin e vendit.
Me përfundimin e luftës, misioni i tyre ushtarak kishte marrë fund. Më 23 qershor 1999, vetëm pak ditë pas çlirimit të Kosovës, ata ndërmorën një akt thellësisht humanitar, duke shoqëruar dy familje rome nga Prizreni drejt Serbisë, në mënyrë që ato të largoheshin të sigurta në drejtim të Kralevës.
Por, jo gjithçka shkoi siç duhet në këtë ndërmarrje humanitare. Gjatë këtij udhëtimi, ata pa dashje kaluan vijën kufitare dhe nga Kosova hynë në Serbi.
Pavarësisht veprimit të tyre human, ata u arrestuan nga policia serbe për kalim të paligjshëm të kufirit dhe u dënuan nga Gjykata për Kundërvajtje në Prokuple me 15 ditë burgim.
Luftëtarët e lirisë, përjetuan lirinë e Kosovës, por nuk e gëzuan atë.
Pak ditë para se ta mbaronin vuajtjen e dënimit, ata iu dorëzuan strukturave të Ministrisë së Brendshme të Serbisë. U dërguan në qendrën stërvitore të policisë në Petrovo Selo, ku u lidhën, u ekzekutuan me plumba pas koke dhe u hodhën në një varrezë masive, bashkë me trupat e shqiptarëve të tjerë të vrarë gjatë luftës në Kosovë.
Eshtrat e tyre u zbuluan vetëm në vitin 2001, në Petrovo Selo, duke dëshmuar jo vetëm mizorinë e krimit, por edhe përpjekjen e organizuar për ta fshehur atë.
Jo çdo krim mbetet i pazbardhur për mungesë provash. Disa mbeten të pazbardhura sepse mungon vullneti politik. Rasti i vëllezërve Bytyqi është një prej tyre.
Rrethanat e arrestimit, transferimit dhe ekzekutimit të tyre përjashtojnë çdo pretendim se bëhej fjalë për një akt të izoluar.
Megjithatë, pas gati tri dekadash, Serbia ende nuk ka identifikuar, arrestuar dhe dënuar urdhërdhënësit dhe ekzekutorët e këtij krimi.
Nëpërmjet obstruksioneve, shteti serb sistematikisht ka dëshmuar mungesë vullneti që çështja e Vëllezërve Bytyqi të marrë epilog dhe që urdhërdhënësit dhe ekzekutorët të dalin para drejtësisë.
Pak raste e ekspozojnë më qartë hendekun ndërmjet deklarimeve politike të Beogradit dhe veprimeve të institucioneve të tij sesa Rasti Bytyqi. Për më shumë se dy dekada, presidentë, kryeministra dhe ministra serbë kanë premtuar bashkëpunim dhe drejtësi.
Në janar 2006, presidenti Boris Tadić u zotua publikisht se autorët do të viheshin para drejtësisë. Më pas, Aleksandar Vuçiq, si kryeministër, e përsëriti disa herë të njëjtin premtim.
Në vitin 2017, tri burime i kanë thënë BIRN-it, se presidenti serb Aleksandar Vučić, e kishte pranuar se ish-oficeri i policisë serbe, Goran Radosavljević- Guri ishte përgjegjës për vrasjen e tre vëllezërve shqiptaro-amerikanë Bytyçi.
Që nga ajo kohë, asnjë zhvillim konkret nuk e ka mbështetur atë deklarim, ndërkohë që presidenti i Serbisë ka vazhduar me qasjen obstruksioniste ndaj drejtësisë.
Ndërkohë që në deklarimet e tyre përsërisnin frazat për zbardhjen e vrasjes së Vëllezërve Bytyqi, procesi gjyqësor nuk ka arritur t`i identifikoj përgjegjësit për vrasjen, pavarësisht viteve dhe procedurave.
Dy oficerë policorë, Sreten Popoviç dhe Miloš Stojanoviç, u akuzuan për pjesëmarrjen në transferimin e vëllezërve drejt vendit ku u ekzekutuan, porse u liruan nga akuzat. Gjykata e Apelit urdhëroi rigjykim, i cili prodhoi rezultatin e njëjtë. Paradoksalisht, oficerët u liruan.
U pranua fakti se vëllezërit Bytyqi u arrestuan, u transferuan nga strukturat shtetërore dhe më pas u vranë, por askush nuk u shpall fajtor, pavarësisht faktit se dëshmitë implikuan në këtë rast struktura të larta të zinxhirit komandues.
Vetë prokurorët serbë kanë ngritur dyshime për rolin e drejtuesve të kampit të Petrovo Selos dhe për ndikimin që persona me pushtet ushtronin mbi dëshmitarët. Aktivistja e njohur serbe për të drejtat e njeriut, Nataša Kandić, u tërhoq nga procesi gjyqësor, ngase sipas saj, ky gjykim nuk çon në arritjen e drejtësisë për viktimat, por është llogaritur për t`i mbrojtur urdhëruesit e vrasjes brutale.
Në një shtet ku do të duhej të sundonte ligji, këto do të ishin arsye për zgjerimin e hetimeve. Çuditërisht në Serbi, ato u kthyen në arsye për mbylljen e tyre.
Përpjekja e “drejtësisë” serbe për t`i fshehur gjurmët e krimit dhe për t`i mbrojtur të përfshirët në krim ka bërë që pala amerikane të jetë vazhdimisht e angazhuar që ky rast të mos heshtet.
Kësisoj, FBI-ja dhe autoritetet amerikane hapën hetimet e tyre paralelisht me ato serbe. Kongresi amerikan ka miratuar rezoluta të posaçme, ndërkaq Komiteti për Punët e Jashtme ka zhvilluar seanca dëgjimore.
Republikanë dhe demokratë kanë folur me një zë të vetëm. Çdo administratë amerikane, pa përjashtim, ka kërkuar të njëjtën gjë, identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve dhe urdhërdhënësve.
Por, pavarësisht kësaj, 27 vjet pas vrasjes së Vëllezërve Bytyqi dosja mbetet e hapur, pa epilog dhe pa gatishmëri të palës serbe për ta mbyllur atë me triumfin e drejtësisë.
Serbia ka kërkuar ndër vite partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, mbështetje ekonomike, investime dhe rol më të madh në arkitekturën evropiane të sigurisë. Por, mbi këto marrëdhënie vazhdon të rëndojë hija e Petrovo Selos.
Për Washingtonin, rasti Bytyqi është dosje e pazgjidhur e krimeve të luftës, sepse janë në pyetje tre shtetas amerikanë të ekzekutuar brutalisht pasi ishin liruar me vendim gjykate dhe ishin marrë nën kontroll nga forcat shtetërore serbe.
Kalimi i kohës nuk e ndryshon përgjegjësinë, vetëm e bën më të dukshëm dështimin për ta ushtruar atë.






