Rama paralajmëron padi për shpifje ndaj deputetit të VV-së

- Advertisement -

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka paralajmëruar padi civile ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial.

Përmes një postimi, Rama ka bërë të ditur se i ka kërkuar Azemit që brenda shtatë ditësh t’i tërheqë akuzat që ai i cilëson të pabazuara për kryerje të veprave penale, t’i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje.

Në të kundërtën, Rama ka paralajmëruar se do të ushtrojë padi civile.

Ai ka kritikuar deklaratat e deputetit, duke theksuar se asnjë parti politike nuk mund të marrë rolin e prokurorisë apo gjykatës dhe se fajësia nuk përcaktohet përmes deklaratave në rrjetet sociale.

“Kur një deputet kërcënon publikisht me arrestime e dënime, duke folur me siguri në emër të drejtësisë, atëherë kemi problem serioz. As Egzon Azemi, as Vetëvendosje dhe asnjë parti politike nuk janë prokurori, gjykatë apo organ i drejtësisë në Republikën e Kosovës! Drejtësia nuk ndahet në zyrat e partive politike. Fajësia nuk përcaktohet me statuse në Facebook dhe askush nuk shpallet fajtor sipas dëshirave të pushtetit”, ka shkruar Rama.

“Me këtë shkresë, i kam kërkuar deputetit Egzon Azemi të tërheqë akuzat e pabazuara për kryerje të veprave penale, t’i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje. Nëse brenda 7 ditëve nuk e bën këtë, do të ushtroj padi civile për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial! Unë nuk i frikësohem asnjë hetimi dhe asnjë procesi ligjor. Por nuk do të lejoj që propaganda, shpifja dhe linçimi publik të shndërrohen në instrumente të luftës politike. Drejtësia nuk është pronë e Vetëvendosjes. Mandati i deputetit licencë për të shpifur, përkundrazi”, ka shkruar Rama.

Postimi i plotë:

DREJTËSIA NUK ËSHTË NË ZYRET E VETËVENDOSJES! PARALAJMËROJ PADI NDAJ EGZON AZEMIT!

Kur një deputet kërcënon publikisht me arrestime e dënime, duke folur me siguri në emër të drejtësisë, atëherë kemi problem serioz. As Egzon Azemi, as Vetëvendosje dhe asnjë parti politike nuk janë prokurori, gjykatë apo organ i drejtësisë në Republikën e Kosovës!

Drejtësia nuk ndahet në zyrat e partive politike. Fajësia nuk përcaktohet me statuse në Facebook dhe askush nuk shpallet fajtor sipas dëshirave të pushtetit!

Me këtë shkresë, i kam kërkuar deputetit Egzon Azemi të tërheqë akuzat e pabazuara për kryerje të veprave penale, t’i përgënjeshtrojë publikisht dhe të kërkojë falje.

Nëse brenda afatit ligjor nuk e bën këtë, do të ushtroj padi civile për shpifje dhe kompensim të dëmit jomaterial!

Unë nuk i frikësohem asnjë hetimi dhe asnjë procesi ligjor. Por nuk do të lejoj që propaganda, shpifja dhe linçimi publik të shndërrohen në instrumente të luftës politike.

Drejtësia nuk është pronë e Vetëvendosjes. Mandati i deputetit nuk eshte licencë për të shpifur, përkundrazi!

Të ngjashme

Të fundit