Transkriptën e intervistës së ish-Presidentit Hashim Thaçi e sigurova para se të publikohej e plotë në Debat Plus.
25 faqet në Word, me font të shkronjave Times New Roman, i lexova me një frymë, siç lexohet një letër që e ke pritur gjatë. Ishte rrëfimi i një njeriu që jeta i ka dhuruar emocione të të gjitha llojeve. Diçka që pak njerëz e përjetojnë.
Historia është ajo që çdokush e ka të sigurt. Prandaj, Thaçi, që në shumë raste nuk i fshehu emocionet që ka përjetuar, fliste më së shumti për të. Të tashmen e shmangu me kujdes. Për të ardhmen la vetëm një gjurmë: “jetën dhe shpirtin tim nuk do ta fusë në korniza të ngushta ideologjike, partiake, gjeografike apo administrative”.
Historianët zakonisht nuk u besojnë shumë rrëfimeve që personazhet bëjnë vetë për veten — kujtesa është dëshmitare e pabesë, e stërvitur për të mbrojtur atë që tregon. Por, te Thaçi ndodhi diçka tjetër. Lufta, ilegaliteti, bredhja nëpër male, netët pa gjumë të Rambujesë — të gjitha këto i kishim dëgjuar më parë, të treguara nga goja e miqve e kundërshtarëve. Tani erdhi radha e tij. Për herë të parë kaq gjerë, kaq lakuriq.
E megjithatë, asnjë nga këto nuk ishte zemra e intervistës.
As lufta. As Rambujeja. As Vjena. As 17 shkurti. As çdo presje e marrëveshjeve me Serbinë.
Zemra ishte një fjali e vetme. E fundit. Kur e pyetën për çfarë e ka marrë malli:
“Të jetoj i lirë në botën e lirë”, tha ai.
Tetë fjalë. Aq të thjeshta sa dhembin.
E thotë njeriu që në të njëzetat e veta zgjodhi malin në vend të shtëpisë, rrezikun në vend të qetësisë, që mori mbi supe fatin e një populli para se të mësonte të mbante mbi supe fatin e vet, që shpalli pavarësinë e një vendi dhe ia dha – së bashku me bashkëluftëtarët – njerëzve të tij atë që s’e kishin njohur kurrë: lirinë.
Populli i tij e ka. Ai jo.
Prej pesë vjetësh e ca, liria për të është fjalë në kohën e shkuar.
Thonë se liria është gjëja më e shenjtë e njeriut, dhe ka një ironi të hidhur në këtë histori: dora që hapi portën për një komb të tërë, sot vetë gjendet pas saj.
Vetë arsyeja e këtij burgu është një kontradiktë. Thaçi është i burgosur për shkak të luftës që bëri kundër një regjimi që po i vrante, masakronte, dëbonte e çka jo tjetër, siç ishte ai i Serbisë se Sllobodan Millosheviç-it.
Nuk gjykohet si njeri me emër e mbiemër, por si mishërim i një akuze më të madhe: se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, të cilën e përfaqësoi politikisht, ka qenë “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Dhe po gjykohet me prova të atyre që i luftoi, të atyre që kryen gjenocidin e fundit që Evropa pa me sytë e vet. Me prova të Serbisë.
Është një gjeometri e çuditshme drejtësie: viktima e dikurshme merret peng nga dëshmitë e xhelatit.
Hashim Thaçi ka 58 vjet mbi shpinë.
Shumicën prej tyre i ka jetuar pa atë që njeriu e kërkon më parë se çdo gjë tjetër — lirinë. Deri në të tridhjetat, ia mohoi Serbia. E fitoi në qershor të ‘99, për t’ia marrë përsëri, më 5 nëntor 2020, nga një gjykatë që “speciale” e ka jo vetëm emrin, por edhe mënyrën e operimit.
Tani pret. Edhe pak ditë. Deri më 16 shtator. Kur do të ulet përballë Trupit Gjykues që do t’i tregojë nëse i kthehet ajo që i është marrë padrejtësisht, apo i vazhdohet edhe për një kohë.
Kur ta lexojë vendimin, Trupi Gjykues rrejshëm do të thotë “në emër të popullit të Kosovës…”. Sepse, për popullin e tij, i pafajshëm apo i dënuar nga kjo Gjykatë, Hashim Thaçi ka qenë dhe do të mbetet përgjithmonë ÇLIRIMTAR.





