Shkruan: Naim Kryeziu
Kam lindur më 10 maj 2003. Luftën nuk e kam përjetuar. Për UÇK-në kam dëgjuar nga të tjerët, nga familjarët, nga dëshmitë e atyre që e kanë përjetuar dhe nga historia.
Por nesër do të marshoj.
Jo sepse po marshojnë të gjithë.
Jo për t’u bërë pjesë e turmës.
Por sepse e ndiej si obligim.
Unë jam pjesë e një gjenerate që e ka gjetur Kosovën e lirë. Një gjenerate që nuk e ka përjetuar atë kohë kur liria nuk ishte realitet, por ëndërr dhe sakrificë.
Kur atdheu kishte nevojë, njerëz si Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi morën armët dhe iu bashkuan luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Sot ata janë në Hagë dhe po përballen me një proces gjyqësor.
Mund të kemi bindje të ndryshme politike. Mund të kemi kritika dhe mendime të ndryshme për gjithçka që ka ndodhur pas luftës. Por kjo nuk duhet të na bëjë të harrojmë se çfarë përfaqëson lufta e UÇK-së për lirinë e Kosovës.
Prandaj, nesër do të jem aty.
Do të jem aty si një i ri që nuk e ka përjetuar luftën, por që e ndien përgjegjësinë ndaj historisë.
Dhe do të jem aty edhe si gazetar.
Për mua, gazetaria është profesion fisnik. Kam zgjedhur të jem aty ku ndodhin ngjarjet, të dëshmoj dhe të raportoj.
Prandaj është krenari për mua që nesër të marshoj për lirinë dhe njëkohësisht të raportoj për të.
Sepse liria nuk është diçka që duhet ta marrim si të mirëqenë.
Liria ka një histori.
Ka sakrificë.
Ka dëshmorë.
Ka çlirimtarë.
Dhe për mua, liria ka emër: UÇK






