Shkruan: Arsim Bajrami
Edhe një muaj na ndan nga shpallja e aktgjykimit në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi, të cilët tashmë për rreth gjashtë vjet ndodhen në paraburgim, në pritje të përfundimit të këtij procesi.
Ky është një proces me rëndësi të jashtëzakonshme juridike, politike dhe historike për Kosovën. Për shkak të kohëzgjatjes, rrethanave në të cilat është krijuar Gjykata Speciale dhe mënyrës se si është zhvilluar procesi, ai ka ngjallur debate të shumta në Kosovë dhe në opinionin ndërkombëtar.
Si profesor i së drejtës kushtetuese dhe jurist, besoj se ky proces ka qenë në kundërshtim me standardet më të larta të shtetit të së drejtës, të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të parimeve universale të një gjykimi të drejtë.Në veçanti, kohëzgjatja e jashtëzakonshme e paraburgimit, kohëzgjatja e procesit, kufizimet e transparencës publike dhe mënyra e trajtimit të çështjeve të ndryshme procedurale kanë ngritur shqetësime serioze juridike dhe kanë krijuar dilema të rëndësishme lidhur me standardet që duhet të respektohen në një proces penal të këtij niveli.
Megjithatë, përtej aspektit juridik të procesit, ekziston një çështje shumë më e gjerë që prek drejtpërdrejt kujtesën dhe historinë e Kosovës: si do të interpretohet lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kujtesën ndërkombëtare dhe në historinë bashkëkohore të Kosovës.Për këtë arsye, duhet të jemi të qartë dhe të vendosur: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë çlirimtare dhe luftë për lirinë e Kosovës.
UÇK-ja u krijua dhe veproi në rrethana të një represioni të rëndë politik, policor dhe ushtarak të regjimit të Slobodan Millosheviqit ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës. Ajo përfaqësoi reagimin e organizuar të një populli që për dekada ishte përballur me mohimin e të drejtave politike, kombëtare dhe njerëzore dhe me një sistem të thellë represioni.
Lufta e UÇK-së ishte pjesë e procesit historik të çlirimit të Kosovës dhe e përpjekjes së popullit të saj për të realizuar të drejtën për liri, dinjitet dhe vetëvendosje.UÇK-ja nuk e krijoi konfliktin në Kosovë. Konflikti ishte rezultat i politikës represive dhe diskriminuese të regjimit serb ndaj Kosovës.
Kjo është një e vërtetë historike që nuk duhet të relativizohet dhe as të zëvendësohet me narrativa që e shkëpusin luftën e Kosovës nga konteksti i saj historik.
Prandaj, çdo përpjekje për ta rishkruar historinë e Kosovës duke e paraqitur luftën çlirimtare si një projekt kriminal, apo duke e barazuar atë me politikën shtetërore të represionit dhe dhunës së regjimit të Millosheviqit, duhet të kundërshtohet me argumente historike, juridike, politike dhe akademike.Një proces gjyqësor nuk mund ta zëvendësojë historinë.
Historia e Kosovës nuk fillon me një aktakuzë dhe nuk përfundon me një aktgjykim. Historia e luftës së UÇK-së është pjesë e një procesi shumë më të gjerë historik, politik dhe ndërkombëtar që çoi në çlirimin e Kosovës, në ndërhyrjen e NATO-s dhe më pas në krijimin dhe konsolidimin e shtetit të Kosovës.
Prandaj, çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Speciale, ai nuk duhet të shndërrohet në instrument për rishkrimin e historisë së Kosovës.Kosova nuk duhet të lejojë që historia e saj të shkruhet nga ata që e kundërshtuan lirinë e saj.
Në këtë periudhë të ndjeshme, Kosova ka nevojë më shumë se kurrë për unitet politik dhe kombëtar. Nuk duhet të lejojmë që dallimet ndërmjet partive politike dhe debatet e përditshme politike të na ndajnë për çështje që lidhen me themelet e shtetit tonë.
Mund të kemi pikëpamje të ndryshme për qeveritë, partitë dhe politikat publike. Por përballë përpjekjeve për deformimin e historisë së Kosovës duhet të kemi një qëndrim të përbashkët.Lufta e UÇK-së është pjesë e historisë së përbashkët të Kosovës. Liria e Kosovës është vlerë e përbashkët. Shteti i Kosovës është interes i përbashkët.
Prandaj, apeli im është që të gjitha forcat politike, institucionet e Republikës së Kosovës, akademia, intelektualët dhe shoqëria civile të tregojnë unitet, maturi dhe përgjegjësi në mbrojtjen e së vërtetës historike të Kosovës.
Nuk duhet të lejojmë që procesi aktual gjyqësor të shndërrohet në burim të përçarjeve të reja politike në Kosovë. Përkundrazi, duhet ta shfrytëzojmë këtë moment për të treguar pjekurinë tonë demokratike dhe institucionale.Duhet të jemi të bashkuar në kërkesën për drejtësi, në respektimin e standardeve ndërkombëtare të gjykimit të drejtë dhe në mbrojtjen e së vërtetës historike për luftën e Kosovës.
Nuk duhet të lejojmë rishkrimin e historisë së Kosovës.Historia duhet të mbështetet në dokumente, në fakte, në dëshmi historike dhe në kontekstin real të ngjarjeve. Kosova duhet të vazhdojë ta dokumentojë me seriozitet represionin e regjimit serb, dëbimin e popullsisë, shkatërrimin e vendbanimeve, dhunën shtetërore dhe sakrificën e popullit të Kosovës për liri.
Po ashtu, duhet të dokumentohet dhe të studiohet roli historik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në procesin e çlirimit të vendit.Një popull që nuk e dokumenton dhe nuk e mbron historinë e vet, rrezikon që historia e tij të shkruhet nga të tjerët.
Unë dua të besoj se Gjykata Speciale do të japë një vendim të drejtë, të mbështetur në ligj dhe në standardet më të larta të drejtësisë. Shpresoj që vendimi të jetë lirues dhe që ky proces i gjatë të përfundojë me një rezultat që do t’u japë fund shumë prej dilemave dhe akuzave që për vite kanë rënduar mbi Kosovën dhe mbi historinë e saj të luftës çlirimtare.
Por, cilido qoftë vendimi, Kosova duhet të mbetet e bashkuar.Sepse pas këtij procesi do të vazhdojë të ekzistojë Kosova, do të vazhdojë të ekzistojë historia e saj, do të vazhdojë të ekzistojë kujtesa e luftës dhe do të vazhdojë përgjegjësia jonë për t’ua përcjellë brezave të ardhshëm të vërtetën mbi rrugën e gjatë që e solli Kosovën deri te liria dhe shteti i pavarur.






