LDK do ta tradhtonte votuesin dhe Kosovën nëse ia zgjat jetën kësaj Qeverie

- Advertisement -

Shkruan: Shenoll Muharremi

LDK kishte me e tradhtu votuesin e saj, vetën dhe Kosovën nëse ia zgjat jetën kësaj qeverie

Sot kryeministri aktual deklaroi që “duhet me gjetë zgjidhje për president dhe duhet me bë kompromise”. A mos je pak vonë, Albin? Ku ishe më herët me gjetë zgjidhje, para se me skadu afati e sidomos tash e dy vite që kemi kriza e pasiguri dhe dëme të pariparueshme për qytetarët dhe Kosovën?

LVV dhe Kurti e kanë pasur një situatë dhe rast unik gjatë shkurtit dhe marsit, kur PDK dhe LDK kanë ardhur dhe të kanë lutur “dojmë stabilitet institucional, mos e çoni vendin në zgjedhje… jemi të gatshëm me votu secilin kandidat konsensual”.

Nuk e kanë bëre. Kanë vazhduar rrugën e tentimit për pushtet absolut, ku do synonin të i kontrollojnë të gjitha institucionet kryesore, përfshirë edhe presidentin, me stilin “o krejt, o asgjë”.

E tash, pse po tutësh kaq shumë? Për shkak se e kuptohet që një ditë, kjo politikë e bixhozit politke do të përfundoj në “asgjë”.

Ndoshta gjithashtu ke kuptu gabimet trashanike dhe keqkalkulimet që i ke bërë më herët, dhe tash po dëshiron me shpëtu kokën dhe partinë para se me shku në zgjedhje dhe potencialisht në opozitë. Kjo metëvërtetë kishte me qenë dështimi historik apo i shekullit, ku nga 51% fitore dhe thuajse gjithçka që mund të ketë një parti e një politikan shkon në një humbje, dështim dhe eventualisht në opozitë.
….
LVV me LDK nuk munden me pas marrëveshje politike, e as bashkëqeverisje, për shumë arsye.

Disa nga arsyet kryesore janë:

1. LDK është parti e djathtë, me koncepte të forta për ekonominë e tregut dhe investime në sektorin privat. LVV është krejt e kundërta, fokus në politika të ndihmave dhe lëmoshave, duke e ndëshku dhe penalizu sektorin privat. Këto dy qasje nuk ndërlidhen aspak dhe nuk ka asnjë mundësi racionale me i harmonizu nga pozitat e tashme.

2. LDK e ka zhvilluar fushatën dhe politikat zgjedhore duke premtuar largimin e LVV nga pushteti. Ka qenë një fushatë kryekëput anti-LVV, ku janë dhënë edhe premtime që nuk do të ketë bashkëqeverisje me LVV, “një parti që e dëmton Kosovën”, sipas tyre. Çdo ndryshim nga ky diskurs do të ishte tradhti ndaj votuesve dhe dëm i madh për partinë.

3. Shumica e deputetëve të LDK-së, që potencialisht duhet me votu një marrëveshje apo president të LVV, janë kategorikisht kundër. Këto kundërshtime burojnë nga mënyra si LVV e ka (keq)menaxhuar energjinë, ekonominë, inflacionin, arsimin… deri te qindra kontrata jotransparente njëburimore dhe kapja e bordeve dhe institucioneve të pavarura.

4. Është vështirë me paramendu që, përkundër të gjitha arsyeve të lartëpërmenduara, LDK do të arrijë një marrëveshje të zbatueshme me LVV. Kjo e fundit, LVV dhe Kurti, në fakt nuk po dëshirojnë bashkëpunim real me LDK. Ata e duan votën e tyre vetëm për me shpëtu nga zgjedhjet dhe nga rreziku i opozitës. Prandaj, çdo marrëveshje do të pasohej me nënçmim, arrogancë dhe sidomos me ndarje e thyerje të mëtejshme të LDK-së. Humbjet për LDK-në do të ishin të shumta dhe afatgjata.

5. Fundja, kishte me qenë krejtësisht e pamoralshme nga LDK me shku në “gojë të ujkut”. Dihet dhe është vërtetuar disa herë ndër vite që Kurti dhe LVV nuk dëshirojnë kompromise e bashkëpunim. Sikur të ishin parti e njerëz të kompromiseve, nuk do të kishim kriza tash e dy vite (2025-2026), me dëme të pariparueshme për Kosovën. Ata synojnë kontroll total në institucionet politike dhe në ekonomi dhe çdo bashkëpjesëmarrje në këtë projekt do të ishte fundi i LDK-së që e njohim dhe shkatërrim total i partisë.
….
Prandaj, Kosovës i duhet detyrimisht një fillim dhe drejtim i ri, sidomos në ekonomi, por edhe në politikë dhe në lirinë e funksionimin e institucioneve publike dhe të pavarura. Secili kontribut në vazhdimin e situatës aktuale nënkupton dëme të pariparueshme për Kosovën.

Asnjë individ në LDK apo partitë tjera nuk duhet të vendosë dhe të bëjë diçka kundër interesit publik dhe të Kosovës për çfarëdo interesi të ngushtë personal. Vendimet në emër të partive duhet të bëhen për interesin e qytetarëve, publikut, ekonomisë dhe të ardhmes së vendit.

Kosova nuk ka më kohë dhe i duhet drejtim i ri. Vazhdimi i kësaj rruge është dëm i pariparueshëm për të gjithë përfshi kundër interesit të Kosovës dhe qytetarëve të saj që po varfërohen secilën ditë e më shumë nga çmimet astronomike kronikisht.

Të ngjashme

Të fundit