Nga Ardian Bajraktari
Ligjet janë të Republikës së Kosovës
Heshtja institucionale përballë kritikave ndaj një ligji të miratuar në Kuvend nuk është e pranueshme, aq më pak kur bëhet fjalë për një çështje me rëndësi shtetërore dhe historike.
Ligjet mund të propozohen nga subjektet dhe palët e autorizuara, por, pasi miratohen nga Kuvendi, ato nuk janë më pronë e atyre që i propozojnë. Ato janë ligje të Kuvendit, ligje të Republikës së Kosovës.
Prandaj, mbrojtja e tyre nuk është çështje partiake, ajo bëhet përgjegjësi institucionale e shtetërore.
Kosova dhe institucionet e saj, para së gjithash Kuvendi dhe Qeveria, duhet t’u dalin zot ligjeve që miratojnë, t’i mbrojnë dhe t’i arsyetojnë ato në çdo forum ku vihen në diskutim.
Kjo përgjegjësi bëhet edhe më e rëndësishme kur bëhet fjalë për ligjin që ndryshon Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Një nismë e tillë nuk duhet parë thjesht si çështje politike apo partiake. Para së gjithash, do parë si përpjekje për qartësimin e mandatit të kësaj gjykate, adresimin e shqetësimeve lidhur me respektimin e standardeve të drejtësisë dhe trajtimin e mungesës së llogaridhënies, me qëllim të parandalimit e degradimit të mëtejmë të saj.
Miratimi i një ligji nuk e përmbyll përgjegjësinë institucionale, përkundrazi, aty fillon detyrimi për ta mbrojtur, për ta arsyetuar dhe për të qëndruar prapa, me qëllim të zbatimit të tij.
Ligjet nuk miratohen për t’u braktisur në heshtje, ato miratohen për t’u zbatuar, për t’u mbrojtur dhe për t’i shërbyer Republikës së Kosovës, qytetarëve të saj dhe, mbi të gjitha, së vërtetës në rastin konkret.






