Liburn Aliu u largua nga qeveria e Albin Kurtit duke kundërshtuar një vendim politik. Djali i tij figuron sot në kabinetin e Glauk Konjufcës. Ene Aliu renditet në faqen zyrtare të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës si “Këshilltar Politik për Diplomaci Digjitale”.
Angazhimi në kabinetin e MPJD-së, si staf politik e lidh detyrën e Eneut drejtpërdrejt me ministrin Konjufca, i cili është edhe njeriu kryesor pas Kurtit në subjektin, Lëvizja Vetëvendosje, aty ku babai i Eneut, Liburni, ishte ndër figurat kyçe, për vite e vite me rradhë.
Eneu figuron mes këshilltarëve politikë, në një listë që MPJD-ja e publikon veçmas departamenteve dhe njësive administrative të institucionit.
Drama e Liburn Aliut me partinë
Dorëheqja e Liburn Aliut, në gushtin e vitit 2025 u parapri nga raportime për tensione brenda VV-së dhe nga kundërshtime të shprehura publikisht prej vetë Aliut.
Ai ishte një ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Kurtit në politikë.
Por, u bë si u bë puna, dhe Aliu, dalë nga dalë po mbetej jashtë strukturave drejtuese të partisë, ndonëse ishte ndër figurat më të hershme të saj.
Aliu mbetej ministër, ndërkohë lihej jashtë organeve që drejtonin partinë dhe kohë pas kohe kishte tensione me udhëheqjen.
Një mospajtim u shfaq haptazi më 3 qershor 2024, kur Aliu kritikoi qëndrimin e Qeverisë ndaj zgjedhjeve në Luginën e Preshevës.
Ai e konsideroi gabim mbështetjen për vetëm një parti shqiptare dhe pjesëmarrjen e Kurtit në tubimin e saj, duke kërkuar një rol përbashkues.
“Ky ka qenë gabim dhe ky duhet të rregullohet sa më parë”, deklaroi atëherë në RTK ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kritika vinte nga një anëtar i kabinetit ndaj kryeministrit të vet. Përplasja, në këtë rast, ishte e shprehur publikisht nga vetë Aliu.
Aliu edhe u hetua sa ishte ministër nga prokuroria dhe nuk u mbrojt publikisht, siç Vetëvendosje mbron figura të tjera sikurse Rozeta Hajdari, Dejona Mihali, Egzon Azemi, Arlind Manxhuka, etj.
Këto diskutime krijuan një sfond tensioni politik përpara se ish-ministri të shpallte dorëheqjen.
Kundërshtimi për Dimal Bashën erdhi më pas.
Më 27 gusht 2025, Aliu njoftoi largimin nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pasi Basha ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit.
Zgjedhja e Bashës kishte zhbllokuar ngërçin disamujor pas zgjedhjeve parlamentare të shkurtit të vitit 2025.
Ai bëri të ditur se Kurtin e kishte njoftuar për vendimin menjëherë pas votimit të Bashës, një ditë përpara dorëzimit të dorëheqjes.
Në arsyetimin publik, Aliu tha se kjo zgjedhje nuk përputhej me idealin për Republikën që kishte qenë dhe mbetej arsyeja e angazhimit të tij.
Dorëheqja kishte, kështu, një kundërshtim të përcaktuar politik. Ajo i shtohej historisë së mospajtimeve, por arsyetimi i deklaruar lidhej konkretisht me zgjedhjen e Bashës si kryekuvendar.
Ndërkohë, Liburn Aliu tash mban postin e Drejtorit të Portit të Durrësit, në Shqipëri, ndërkohë Ene Aliu, djali i tij, këshilltar i Glauk Konjufcës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. /Nacionale/






