Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINTI), Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se, megjithëse deficiti tregtar i Kosovës mbetet i lartë, ministria është duke ndërmarrë masa për forcimin e prodhimit vendor, rritjen e eksporteve dhe zëvendësimin e importeve. Ajo ka thënë se një nga synimet kryesore është që, përmes ndryshimeve ligjore, prodhuesit vendorë të kenë përparësi në prokurimin publik.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Kusari-Lila tha se deficiti tregtar në baza vjetore mbetet rreth 6 miliardë euro, por theksoi se eksportet kanë shënuar rritje prej 16 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Po, deficiti tregtar është në vlerat deri në 6 miliardë në bazë vjetore, siç ka qenë vitin e kaluar, ndërsa këtë vit ka rritje edhe të eksporteve me 16 për qind, krahasuar me periudhën e njëjtë me vitin e kaluar. Megjithatë, për shkak se hendeku është shumë i madh, është prapë më evidente sasia e importeve sesa rritja e eksporteve. Si ministri jemi duke punuar në disa rrafshe. E para është ndihmë e drejtpërdrejtë për bizneset prodhuese dhe përpunuese, që e kemi bërë përmes skemave të lansimit të granteve, të cilat janë në vlerësim. Vlera totale e skemës së granteve, të cilën e ka lansuar ministria në disa sektorë, tashmë ka arritur në 7.6 milionë euro. 5 milionë euro është vlera për kompanitë prodhuese dhe përpunuese, ato të cilat kanë kapacitet eksporti dhe zëvendësimi të produkteve të importit. Një skemë tjetër është për digjitalizimin dhe automatizimin e shërbimeve dhe prodhimit të kompanive, do të thotë për avancimin dhe ofrimin e shërbimeve më moderne edhe për konsumatorët, por edhe në procesin e prodhimit. Një skemë tjetër ka të bëjë me kompanitë inovative, gjegjësisht ato të cilat kanë produkte të inovacionit. Tjetra ka qenë për certifikimin dhe standardizimin e produkteve si element ose komponent kryesor tek produktet, edhe për tregun vendor, edhe për tregun e jashtëm, do të thotë që të jenë të certifikuara”, tha ajo.
Sipas saj, krahas mbështetjes financiare për bizneset, ministria po investon edhe në zhvillimin e infrastrukturës industriale dhe po punon me partnerët ndërkombëtarë për ngritjen e standardeve të prodhimit.
“Do të thotë, mekanizmat e qeverisë, mekanizmat e ministrisë janë krijuar. Ne gjithashtu intensivisht po punojmë në ngritjen e infrastrukturës industriale. Tashmë kemi bërë disa hapje edhe promovime të hapësirave për parqe industriale. Jemi duke punuar në krijimin e standardit për eko-parqet industriale, ku rregullojmë balancën në mes të komponentës mjedisore, natyrisht, edhe prodhimit, gjegjësisht industrisë. Me disa organizata ndërkombëtare, siç është Banka Botërore dhe IFC-ja, pastaj kemi filluar diskutimin edhe me Komisionin Evropian. Duam që të krijojmë një standard i cili, prej zonave eko-industriale, kalon pastaj edhe te prodhimi dhe gradualisht ngrihet përparësia konkurruese e prodhuesve tanë. Për ne është shumë e rëndësishme që kjo të reflektohet edhe në momentin kur ka Kuvend, natyrisht, në ligjin e ri për prokurimin publik, në të cilin përparësi në kontratat publike duhet t’u jepet prodhimeve vendore, sipas standardeve të përcaktuara. Ne ende nuk jemi shtet anëtar i Bashkimit Evropian. Përkundrazi, kemi obligime nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit. Është e rëndësishme që, në këtë periudhë kohore, përderisa po trajtohet ose ende nuk është trajtuar aplikacioni ynë si shtet kandidat, ne të paktën në këtë periudhë kohore të ngrisim kapacitetet prodhuese dhe t’i japim një përparësi prodhimit vendor”, tha ajo.
Ajo shtoi se rreth 1 miliard euro në vit shpenzohen për prokurim publik dhe vlerësoi se orientimi i një pjese më të madhe të këtyre kontratave drejt prodhuesve vendorë do të ndikonte drejtpërdrejt në zhvillimin ekonomik.
“Është afërsisht 1 miliard vlera e prokurimit publik që ndodh në nivel vendi, në nivel lokal edhe qendror. Imagjinoni sikur të paktën një pjesë, ose 50 apo 70% e kësaj vlere, të shkojë në kontraktim të produkteve vendore, në mënyrë që t’i jepet drejtpërdrejt jo vetëm një përparësi, por edhe forcë, energji e kapital prodhimit vendor për të vazhduar konkurrueshmërinë më tutje. Të njëjtat tema jemi duke i diskutuar edhe me partnerë ndërkombëtarë, me Zyrën e Komisionit, ata të cilët e përcjellin punën dhe bëjnë vlerësimin në raport të vendit. Unë besoj që do të kemi mundësi shumë shpejt që, me ndryshimet legjislative, përfshij këtu edhe Ligjin për Ndërmarrësi dhe Inovacion, krijimin e Fondit të Inovacionit, pastaj marrjen e fondeve të cilat janë të lidhura me Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian, të investojmë drejtpërdrejt në ekonominë e vendit për të forcuar ekonominë vendore e, natyrisht, për të përmirësuar bilancin tregtar”, tha ajo.
Kusari-Lila tha se sektori i shërbimeve mbetet i vetmi me bilanc pozitiv tregtar, duke veçuar industrinë e teknologjisë së informacionit.
“Një komponentë që jep shpresë është ajo e sektorit të shërbimeve. Aty kemi bilanc pozitiv tregtar. 4.2 miliardë është vlera totale e transaksioneve që ndodhin në sektorin e shërbimeve, prej të cilave më shumë se gjysma kanë të bëjnë me eksport të shërbimeve, ndërsa vetëm ICT-ja ka diku 400 milionë euro, prej të cilave prapë gati dy të tretat janë eksport, ndërsa një e treta import. Kjo tregon vlerën e kapitalit njerëzor që e ka vendi, do të thotë se është i vetmi sektor në vlerësimin e përgjithshëm ekonomik që ka bilanc pozitiv tregtar. Dhe ne duhet të vazhdojmë të inkurajojmë zhvillimin e këtij sektori, por gjithashtu edhe të ngrisim kapacitetet prodhuese për sektorë të tjerë industrialë”, tha ajo.
Ministrja në detyrë bëri të ditur se MINTI është në fazën finale të vlerësimit të ankesave për importin e farës së grurit nga Serbia dhe nuk përjashtoi vendosjen e masave antidamping.
“Krejt varet, do të thotë, nga kërkesa, por ne për prodhuesit e grurit në veçanti tashmë jemi duke bërë disa vlerësime. Ka pasur ankesa për farën e grurit dhe çmimet dumping nga Serbia. Ajo është në fazë finale të vlerësimit dhe, nëse vlerësohet se ka dumping, që pritet brenda pak ditësh të dalë raporti i plotë, atëherë do të vendosen masat anti-dumping ndaj importit të farës së grurit. Ende ka hapësirë, do të thotë, për prodhim vendor. Përkundrazi, është rritur importi, është rritur edhe kërkesa. Do të thotë, është rritur edhe kapaciteti prodhues brenda vendit. E përmenda më herët që ne duhet të bëjmë maksimumin, tash edhe përmes elementeve legjislative e masave të tjera, që t’i japim përparësi prodhimit vendor. E këtu, natyrisht, është edhe elementi i infrastrukturës së cilësisë dhe rritjes së kualitetit e, natyrisht, edhe rritjes së besimit te qytetarët te prodhimi vendor”, tha ajo.
Ajo foli edhe për Ligjin për Përcaktimin e Çmimeve në Situata të Destabilizimit të Tregut, duke theksuar se funksionalizimi i bordit për çmimet varet nga konstituimi i Kuvendit.
“Ne kemi miratuar, fatmirësisht, në dy leximet, Ligjin për Përcaktimin e Çmimeve në Situata të Destabilizimit të Tregut, apo ligjin e njohur si Ligji i Çmimeve Tavan. Ky ligj ka hyrë në fuqi, por, në mungesë të Kuvendit, bordi i cili bën përcaktimin e çmimeve të produkteve esenciale nuk është themeluar, për shkak se nuk kemi Kuvend. Për atë arsye, atë e zgjedh qeveria, por e voton Kuvendi për t’u funksionalizuar. Ndërsa ministria shërben si sekretariat i këtij bordi. Unë shpresoj që shumë shpejt, brenda javës së ardhshme, të kemi konstituimin e Kuvendit dhe miratimin, gjithsesi, të qeverisë së re, dhe menjëherë të shpallet thirrja për aplikime për anëtarë të bordit për përcaktimin e çmimeve të produkteve esenciale dhe të fillojë funksionimi. Ky është mekanizmi më i sigurt, i cili garanton edhe stabilitet, por edhe ruajtje të interesit të qytetarëve, sepse jo rrallë çmimet të cilat ngrihen nuk e kanë bazën te rritja e çmimeve, nëse flasim për produkte të importuara në burim. Domethënë, te rasti i derivateve, ne e përcjellim saktë se sa është çmimi i produkteve, gjegjësisht i derivateve që hyn në Kosovë. Në situata jo rrallë ndodh që, te shitjet me pakicë, e vërejmë, në veçanti te produktet bazike të shportës, që, përkundrazi, produktet janë vetëm se në vend ose janë të importuara më herët, ose janë të prodhuara me çmim tjetër, si rrjedhojë e ngritjes së çmimit në baza ditore ose si rrjedhojë e ndonjë krize potenciale në rajon ose në kontinent, rriten çmimet e produkteve në shitje me pakicë. Dhe këto janë rrethana ose situata të cilat nuk do të lejohen në momentin kur kemi një bord funksional për përcaktimin e çmimeve për produktet esenciale në situata të destabilizimit të tregut”, tha ajo.
Sipas të dhënave të fundit, në pesë muajt e parë të vitit 2026, Kosova ka importuar mallra në vlerë prej rreth 2.9 miliardë eurosh, ndërsa eksportet kanë arritur në rreth 419.2 milionë euro.






