Tromp: Aktgjykimi i 16 shtatorit mund të krijojë një trashëgimi të re juridike

- Advertisement -

Ish-hetuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp, ka thënë se aktgjykimi i 16 shtatorit në Dhomat e Specializuara mund të ketë ndikim të madh në mënyrën se si do të interpretohet lufta e UÇK-së.

Për RTK-në, Tromp tha se nëse gjykata e bazon vendimin në doktrinën e “ndërmarrjes së përbashkët kriminale”, kjo do të krijonte një qasje të ndryshme nga ajo e Tribunalit të Hagës.

Sipas saj, dy gjykatat, edhe pse kanë trajtuar të njëjtën periudhë dhe hapësirë të konfliktit, mund të prodhojnë dy trashëgimi të ndryshme juridike.

Tromp theksoi gjithashtu se, përtej aspektit juridik, në krijimin e Gjykatës Speciale dhe në trajtimin e këtyre rasteve “narrativi politik zë gati të gjithë hapësirën”.

Ajo tha se kjo lidhet edhe me pyetjen pse këto pretendime nuk u trajtuan nga Tribunali i ish-Jugosllavisë dhe pse u deshën 17 vjet për krijimin e një gjykate të re.

Tutje Tromp ka theksuar se një nga dallimet kryesore është fakti se Tribunali Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë kishte synim trajtimin e krimeve të kryera nga të gjitha palët pjesëmarrëse në konflikt, ndërsa Gjykata Speciale e Kosovës ka mandat vetëm ndaj shqiptarëve të Kosovës.

“Gjykata Speciale në Kosovë është monoetnike. Pra, ka marrë mandat nga ata që e kanë bërë politikisht të mundur që të merret vetëm me shqiptarët e Kosovës të pretenduar si kryes të veprave të tilla”, tha Tromp.

Të ngjashme

Të fundit