Avokati Cadman: Vuçiq tentoi të nxis tensione duke parashikuar verdiktin e Hagës – vendimi i nesërm mund të apelohet

- Advertisement -

Duke folur në Debat Plus, Cadman tha se dëshiron që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi të lirohen, duke e lidhur këtë qëndrim me përvojën e tij në procesin ndaj Nasim Haradinajt.

Pyetje: Në aspektin procedual, nëse ka dënime, çfarë ndodh menjëherë pas shpalljes së aktgjykimit, veçanërisht sa u përket hapave ligjorë në Hagë?

Toby Cadman: Pra, së pari, do të bëhet një shqyrtim i kujdesshëm i vetë aktgjykimit dhe, sigurisht, ekipet e mbrojtjes, në rast të një dënimi, do ta shqyrtojnë me kujdes atë që pothuajse me siguri do të jetë një aktgjykim prej shumë qindra faqesh, dhe ky do të jetë një proces shumë i kujdesshëm dhe i gjatë. Pastaj, natyrisht, ata kanë të drejtë të apelojnë në dy shkallë, para Gjykatës së Apelit dhe para Gjykatës Supreme, si dhe para Gjykatës Kushtetuese. Prandaj, sigurisht, duhet të presim dhe përsëri duhet të theksojmë se ky nuk është një vendim përfundimtar që po shpallet nesër. Ky është një vendim i shkallës së parë.Ai mund të përmbyset në apel, në shkallën e parë ose të dytë, por sigurisht që ekipet ligjore do të përqendrohen në ankesat e tyre.

Pyetje: Z. Cadman, fillimisht përmendët rëndësinë e këtij rasti, por a mund të ketë ky aktgjykim pasoja të drejtpërdrejta për marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës?

Toby Cadman: Mendoj se një nga gjërat që duhet të kemi parasysh në një rast të tillë është se emocionet janë shumë të forta nga të gjitha palët. Dhe sigurisht, nëse ka dënime, kjo do të jetë shumë dëmtuese për popullin e Kosovës, por edhe për veteranët e luftës dhe për UÇK-në në përgjithësi. Prandaj, ajo që duhet të sigurojmë është që çdo protestë ndaj aktgjykimit, dhe natyrisht qytetarët në Kosovë janë plotësisht të lirë të protestojnë, të mbetet paqësore. Dhe duhet të shpresojmë që tensionet të mos nxiten apo përshkallëzohen nga Serbia. Ne tashmë kemi parë deklarata të bëra nga presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, në të cilat ai po përpiqet të parashikojë rezultatin e këtij rasti dhe pretendon se ka informacione të brendshme, gjë që është thellësisht shqetësuese dhe përbën një përpjekje për ta tensionuar situatën. Natyrisht, ajo që është e rëndësishme është që qytetarët e Kosovës të jenë të sigurt, që Kosova të ruajë integritetin e institucioneve të saj dhe që të mos bëhet asgjë që në çfarëdo mënyre të vërë në dyshim pavarësinë e Kosovës dhe funksionimin e saj si shtet demokratik. Prandaj, mendoj se kjo është diçka për të cilën duhet të mendojmë shumë, shumë me kujdes. Dhe, natyrisht, kur them se ky është një rast i rëndësishëm, një nga aspektet e rëndësishme të këtij rasti është pretendimi i prokurorisë se UÇK-ja ishte pjesë e një ndërmarrjeje të përbashkët kriminale, gjë që, natyrisht, çdo përpjekje për ta paraqitur UÇK-në apo përpjekjen e Kosovës për pavarësi në një dritë negative duhet të kundërshtohet.

Të ngjashme

Të fundit