Bajrami: Pres vendim lirues për ish-krerët e UÇK-së, 16 shtatori vendim historik

- Advertisement -

Akademik Arsim Bajrami tha se në procesin në Hagë ka pasur shkelje të mëdha. Ai tha për RTK-në se shkeljet janë evidentuar edhe nga organizata të ndryshme. Sipas tij, UÇK-ja ka qenë një ushtri guerile çlirimtare. Ai tha se 16 shtatori është vendim historik.

Sipas tij, edhe në proceset e tjera gjyqësore që kanë të bëjnë me UÇK-në, janë hedhur poshtë aktakuzat që kanë të bëjnë me ndërmarrjet e përbashkëta kriminale.

“Kompleti i projektit të Gjykatës Speciale ka dy dimensione: ka dimensionin politik dhe juridik apo penalo-juridik. Dimensioni politik e bën këtë gjykatë një komplot, një konspiracion politik, sepse themelimi i saj vjen pikërisht në momentin kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin që shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie në ndeshje me të drejtën ndërkombëtare”, tha ai.

Sipas tij, pas një fitoreje juridike dhe konfirmimit të shtetësisë, Serbia, në bashkëpunim edhe me Rusinë, në Këshillin e Evropës, ka gjetur Dick Martyn.

“Ka gjetur si një instrument që të ngrejë një akuzë të rëndë për çështjen e trafikimit të organeve, si një komplot që ka pasur për qëllim komplet ta komprometojë procesin e shtetndërtimit, ta komprometojë luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të ndërtojë një narrativë kriminale për Kosovën. Ky dimension ka qenë thellësisht me qëllime të caktuara që të kontestojë shtetësinë e Kosovës, të ndalë njohjet ndërkombëtare të Kosovës dhe t’i ndihmojë Serbisë në një propagandë për çështjen e njohjeve të Kosovës. Por, dimensioni kryesor të cilin unë e kam analizuar si profesionist, është dimensioni juridik apo penalo-juridik. Dhe unë mendoj se ky është një proces komplet i shoqëruar me shkelje flagrante të komplet legjislacionit të Kosovës, Kushtetutës së Kosovës, Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, standardeve ndërkombëtare. Dhe këto shkelje janë të shumta, të adresuara madje tani edhe nga grupi i ekspertëve britanikë, dhe unë i kam ndarë në shkelje materiale dhe shkelje procedurale të së drejtës së procedurës penale”, tha Bajrami.

Ai tha se Kosova është shembull i bashkëpunimit. “Në vend se kjo gjykatë të bashkëpunojë me Kosovën, ajo ka refuzuar”, tha Bajrami.

Të ngjashme

Të fundit