Analisti politik, Melazim Koci ka thënë se zvarritja e konstituimit të Kuvendit të Kosovës është pasojë e mungesës së vullnetit politik për krijimin e institucioneve, duke theksuar se përgjegjësia më e madhe bie mbi partinë e parë, Lëvizjen Vetëvendosje.
Në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, Koci u shpreh i habitur që seanca konstituive u thirr vetëm një ditë para skadimit të afatit kushtetues, duke e cilësuar këtë si një zvarritje të qëllimshme.
Për mua është pak e habitshme, jo pak, por shumë, sepse çdo gjë lihet në çastin e fundit dhe kjo tregon për mungesë vullneti politik për të krijuar institucionet, ndryshe nuk mund të shpjegohet, nuk ka asnjë shpjegim tjetër. Dhe këtë e shohim tash e 18 muaj, hiq më pak se 18 muaj, pra përpjekje, gjetje artificeve, preteksteve për të zhagitur çështjen, për të shkuar nga zgjedhjet në zgjedhje dhe besoj që është evidente që sërish do të shkojmë në zgjedhje fatkeqësisht, fatkeqësisht për Kosovën”, tha ai.
Sipas Kocit, përgjegjësia për bllokadën nuk është e njëjtë për të gjitha partitë, pasi pesha politike në Kuvend përcakton edhe nivelin e përgjegjësisë.
Ai theksoi se problemi nuk qëndron te kuorumi, por te mungesa e kompromisit dhe kulturës politike, duke shtuar se me vullnet të mirë situata mund të zgjidhet brenda 48 orësh.
Koci vlerësoi se Vetëvendosjes i takon të formojë qeverinë dhe të zgjedhë kryetarin e Kuvendit, por jo të kontrollojë të gjitha institucionet.
Kuorumi është mekanizëm për të ruajtur balancin e pushteteve. Mekanizëm që ruan balancin e pushteteve në çdo demokraci parlamentare, kjo është elementare në demokracitë parlamentare në mënyrë që të mos lejojë që një parti të marrë të gjitha pushtetet. Nëse ky mekanizëm kuptohet drejtë, Vetëvendosja do të duhej në këtë moment të formojë qeverinë, të konstitojë parlamentin dhe t’i ofrojë opozitës presidentin, t’i kërkojë opozitës që të ofrojë tre, katër, pesë, gjashtë, tetë kandidatë “, deklaroi ai.
Sipas tij, për të tejkaluar ngërçin institucional, Vetëvendosja duhet t’ia ofrojë opozitës postin e presidentit dhe t’i kërkojë asaj të propozojë disa kandidatë, duke krijuar kështu kushtet për një marrëveshje politike dhe funksionalizimin e institucioneve.






