Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka thënë se kishte pritur që e hëna të ishte një ditë feste, pasi sipas tij deputetët e Kuvendit duhet të jenë aty për të mbrojtur interesin e qytetarëve dhe të vërtetën e Kosovës.
Në një linjë direkte në Debat Plus nga protesta në sheshin “Skënderbeu”, Haradinaj, duke komentuar zhvillimet e sotme dhe protestën para Kuvendit, tha se fatkeqësisht nuk është arritur ajo që pritej, ndërsa theksoi se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë.
Haradinaj u bëri thirrje deputetëve të reflektojnë dhe të mundësojnë kalimin e ligjeve, duke thënë se qytetarët janë mbledhur në shesh në mbështetje të luftës së UÇK-së.
“Ne kemi prit një ditë feste sot, se deputetët e Parlamentit janë aty për ta mbrojtur interesin e qytetarëve, të vërtetën e Kosovës. Fatkeqësisht nuk u arrit kjo dhe qytetarët kanë të drejtë për të protestuar. Dhe me vjen mirë që janë në numër kaq të madh. Pavarësisht përplasjeve të lehta që ishin. Shpresoj që mazhoranca do ta kuptoj është e domosdoshme kalimi i këtyre ligjeve… populli është në shesh, dhe është në përkrahje të luftës tonë. Dhe po presim prej deputetëve të reflektojë dhe jo të ikin, siç u panë më herët… është marrë të ikin prej popullit, janë të zgjedhur të popullit, duhet ta kryejnë detyrën”, ka deklaruar Haradinaj.






