Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku ka reaguar për situatën e tensionuar pas përplasjes ndërmjet forcave policore dhe protestuesve dhe hedhjes së gazit lotsjellës për shpërndarjen e tyre.
Lushtaku ka thënë se dhuna joproporcionale ndaj protestuesve është e papranueshme.
“Shteti nuk është as i Xhelal Sveçlës, as i Albin Kurtit, as i imi, e as i askujt tjetër. Institucionet janë të qytetarëve dhe policia duhet të veprojë në emër të ligjit, jo në emër të pushtetit.”, ka shkruar Lushtaku.
Ai ka thënë se protestuesit nuk dolën për të dëmtuar askënd.
“Ata dolën për të kërkuar që një çështje që lidhet me historinë, dinjitetin dhe të ardhmen tonë të mos përdoret si monedhë pazari politik: miratimi i ligjit për Dhomat e Specializuara edhe në lexim të dytë. Nëse ka protestues të lënduar, të gjakosur apo të dërguar në emergjencë, ndërsa asnjë deputet nuk është në emergjencë, atëherë pyetjet për përdorimin e forcës janë të pashmangshme. Qytetarët kanë të drejtë të protestojnë paqësisht dhe të kërkojnë llogari. Deputetët kanë përgjegjësi të votojnë. Institucionet kanë detyrë t’i mbrojnë qytetarët, jo t’i përplasin me ta. Mos e ngatërroni shtetin me pushtetin. Kosova nuk është pronë e askujt!”, ka thënë Lushtaku.






