Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në nisjen e projektit për rehabilitimin e rrugës së Uglarit, në segmentin që mban emrin e dëshmorit të kombit, Agron Rrahmani.
Në këtë aktivitet, Kurti ishte i shoqëruar nga ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, kryetari i Fushë Kosovës, Valon Prebreza, dhe nënkryetari i Graçanicës, Leutrim Ajeti.
Projekti kap vlerën prej 1.32 milion eurosh dhe parasheh rehabilitimin e 2.8 kilometrave rrugë.
Sipas njoftimit, kjo rrugë ka rëndësi të veçantë për banorët e Uglarit dhe qytetarët e dy komunave, por edhe për lehtësimin e qarkullimit drejt dhe nga kryeqyteti, duke krijuar një alternativë për shkarkimin e trafikut.
Punimet përfshijnë shtrimin e dy shtresave të asfaltit, trajtimin e kanalizimit atmosferik, ndërtimin e trotuareve dhe kompletimin e infrastrukturës përcjellëse.
Kurti, duke e vlerësuar rëndësinë e projektit, ka theksuar se investimi në këtë rrugë do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit dhe lidhjes ndërmjet komunave.
“Kjo rrugë është e rëndësishme jo vetëm për banorët e Uglarit dhe qytetarët e Fushë Kosovës e Graçanicës, por edhe për lehtësimin e qarkullimit drejt dhe nga kryeqyteti”, thuhet në përshkrimin e projektit.
Projekti pritet të përmirësojë kushtet e lëvizjes dhe sigurinë rrugore për të gjithë pjesëmarrësit në trafik.
Postimi i plotë:






