Deputeti i Aleancës, Ramush Haradinaj, së bashku me kolegë-deputetët e tij kanë mbajtur konferencë të jashtëzakonshme për media.
Në fjalën e tij, Haradinaj tha se deputetët e VV-së ikën nga përgjegjësia për të votuar Projektligjin për Gjykatën Speciale, për çka ish-kreu i Aleancës tha se është sjellje vërtetë e dënueshme.
“Nuk ka logjikë me u ndërpre seanca, me ikë deputetët kur kanë mbetur vetëm pak më shumë se 24 orë nga afati kushtetues edhe për zgjedhjen e presidentit. Është e vërtetë dhe kam paralajmëruar gjithnjë se Kurti dhe VV po e çon vendin në zgjedhje, por ikja nga përgjegjësia para ligjit për Dhomat e Specializuara është vërtetë e dënueshme. Ne e dënojmë fuqishëm një sjellje të tillë”, tha Haradinaj, raporton Klan Kosova.






