Nga Besa Ismaili
Çka përmban arkitektura politike që fshihet pas fjalëve “cub” dhe “bandit”?
Teknika e pushtetit që e paraqet “tjetrin” si figurë të rrezikshme, primitive dhe jashtë rendit normal politik, synon ta zhveshë kundërshtarin (politik) nga legjitimiteti moral dhe nga e drejta për t’u konsideruar pjesë normale e hapësirës politike.
Gjuha nuk është vetëm komunikim; ajo është edhe instrument disiplinimi.
Kur pushteti përsërit vazhdimisht terma si “bandit”, “rrezik” apo “cub”, ai prodhon një regjim perceptimi, ku publiku fillon ta shohë kundërshtarin jo si rival politik, por si kërcënim që duhet izoluar.
Pra, gjuha krijon realitet politik.
Në politikën shqiptare, shpesh përdoret gjuha e “trimërisë” dhe e “mosfrikës” për të mobilizuar militantët. Fjalia “nuk ua kemi frikën” nuk synon vetëm kundërshtarin; ajo synon edhe bazën elektorale, duke krijuar ndjesinë e betejës dhe të rezistencës.
Kjo është arsyeja pse polarizimi u leverdis shumë.
Sepse një shoqëri e frikësuar dhe emocionalisht e ndarë është më e manipulueshme elektoralisht.
Ironia? Ironia është se ata që përdorin pikërisht këtë gjuhë nuk i përkasin qytetarisë demokratike.
Në fund, kjo është gjuhë e pasigurisë së pushtetit.
Një pushtet që, për të mbijetuar politikisht, ka nevojë ta shpallë vazhdimisht tjetrin si “cub”, “bandit”, “katunar”, “primitiv” apo “rrezik”, është një pushtet që strategjinë kryesore e ka kontrollin emocional kolektiv.





