Ish-kandidati i Aleancës, Avni Arifi, ka deklaruar se partia e tij nuk do t’i përgjigjet ftesës së kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, për takim, nëse në tavolinë nuk vendosen gjashtë kërkesat e Aleancës.
Në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Arifi tha se Aleanca është e gatshme të takohet me Kurtin vetëm për të diskutuar ofertën e saj prej gjashtë pikash, për të cilën, sipas tij, kërkohet zotim për zbatim.
“Jo, nuk shkojmë. Nëse do të bisedojë për këto gjashtë pikat, po. Ne jemi të gatshëm. Çka kërkohet nga kryeministri? Kërkohet një zotim për implementimin e këtyre gjashtë pikave, të ofertës që është ofertë për qytetarët”.
“Ai ka mundur që për dy javë të thotë, ‘Hajde të flasim’, ose vetë ta formulojë aty për krijimin e institucioneve. Është shumë gjë. Nuk besoj që kjo ka të bëjë fare, as që e ka cekur këtë në letër. Domethënë, jo. Kjo letër është trajtuar sikur të ishte inekzistente dhe oferta, si ofertë, është injoruar”, tha Arifi në Klan Kosova.






