Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, të enjten u ka dërguar ftesa tri partive politike shqiptare, PDK-së, LDK-së dhe Aleancës, për t’u takuar pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Këtyre ftesave u janë përgjigjur tri partitë, por vetëm Aleanca e ka refuzuar.
Bernard Nikaj nga PDK, në Rubikon të Klan Kosova, tregoi arsyen se pse partia e tij e pranoi ftesën.
“Po, kemi vendosur që të marrim pjesë në takim, të shohim, të dëgjojmë qëllimet e zotit Kurti dhe t’i përgjigjemi në mënyrë institucionale, duke u kthyer edhe për diskutime në kryesi, në organet e partisë”, deklaroi Nikaj.
Ndër të tjera, ai tregoi edhe përmbajtjen e letrës, duke thënë se ftesë është dërguar në emër të formimit të institucioneve, “pa detaje të tjera”.
“Ftesa ishte ftesë e përgjithshme, do të thotë ftesa ishte dërguar në emër të formimit të institucioneve pa detaje të tjera. Kështu që është përmendur formimi i institucioneve. Nuk thuhet qeveria, nuk thuhet konstitutimi i Kuvendit ose çështja e presidentit. Do të thotë ftesa ishte e përgjithshme dhe Partia Demokratike, ashtu siç e përmendi edhe kryetari i partisë zotëri Betri Hamza, ju ka përgjigj pozitivisht ftesës për takim”, tha më tej anëtari i PDK-së.
Duke qenë se ftesa është në format të përgjithshëm, ai tha se “nesër do shohim se cili do të jetë qëllimi specifik i zotit Kurti, i partisë së parë të dalë nga zgjedhjet”.






