Aktgjykim lirues për krerët e UÇK-së – drejtësi për Kosovën

- Advertisement -

Shkruan: Arsim Bajrami

Tani kur kanë mbetur vetëm pak ditë e orë deri në shpalljen e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë për rastin e katër drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët njëkohësisht kanë qenë ndër figurat qendrore të luftës çlirimtare dhe të procesit të shtetndërtimit të Kosovës, populli i Kosovës pret që kjo gjykatë të jetë në nivelin e përgjegjësisë historike që ka marrë përsipër. Pritja nuk është vetëm për një vendim juridik. Është pritja që drejtësia të ndahet nga politika, prova të ndahet nga propaganda dhe përgjegjësia individuale të ndahet nga përpjekjet për komprometimin e një lufte çlirimtare. Prandaj, pritja ime është e qartë: një aktgjykim i plotë lirues për katër krerët e UÇK-së, pasi pas gjithë këtij procesi të gjatë Prokuroria nuk ka arritur ta dëshmojë fajësinë e tyre përtej dyshimit të arsyeshëm.

Kjo pritje nuk mbështetet vetëm në emocionin tim si një prej bashkëpuntorëve të të akuzuarve gjatë luftës dhe në procesin e shtetëndërtimit të Kosovës, por edhe në pritjet e natyrshëm të një populli që e ka përjetuar luftën, por para së gjithash në argumentin juridik. Katër të akuzuarit nuk duhet të gjykohen për faktin se kanë qenë drejtues të UÇK-së, as për shkak të rolit të tyre politik e historik dhe as për shkak të peshës që kanë pasur në procesin e çlirimit dhe të shtetndërtimit të Kosovës. Ata mund të dënohen vetëm nëse provohet, individualisht dhe përtej dyshimit të arsyeshëm, se kanë kryer ose kanë marrë pjesë në krimet konkrete për të cilat akuzohen. Kjo është baza e drejtësisë penale dhe pikërisht kjo bazë duhet të jetë vendimtare në Hagë.

Dimensioni politik i kësaj gjykate nuk mund të anashkalohet. Dhomat e Specializuara u krijuan në një rrethanë të veçantë politike, menjëherë pas një prej fitoreve më të rëndësishme ndërkombëtare të Kosovës: Opinionit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010, i cili konstatoi se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare. Pikërisht në këtë periudhë u intensifikua një fushatë ndërkombëtare që e vendosi UÇK-në në qendër të një narrative të re akuzuese.

Raporti i Dick Marty-t dhe proceset politike që pasuan krijuan një perceptim jashtëzakonisht të rëndë ndërkombëtar për pretendimet lidhur me krimet e luftës dhe trafikimin e organeve. Nën këtë trysni dhe në kuadër të angazhimeve të saj me partnerët ndërkombëtarë, Kosova miratoi ndryshimet kushtetuese dhe ligjore që mundësuan krijimin e Dhomave të Specializuara.

Kjo kronologji politike është e rëndësishme jo për të paragjykuar gjykatën, por për të kuptuar burimin e një prej problemeve themelore të këtij procesi: rrezikun që një mekanizëm i krijuar për të gjykuar krime individuale të perceptohet dhe të funksionojë si mekanizëm për komprometimin e UÇK-së dhe të luftës së Kosovës. Pikërisht këtu duhet të vendoset kufiri midis drejtësisë dhe politikës. Një gjykatë penale nuk mund të marrë përsipër detyrën e rishkrimit të historisë dhe, aq më pak, nuk mund të lejojë që një luftë çlirimtare të shndërrohet në një projekt të përgjithshëm kriminal.

Për më tepër, pas një periudhe kaq të gjatë funksionimi dhe pas viteve të gjykimit, kjo gjykatë duhet të japë përgjigje edhe për mënyrën se si e ka ushtruar mandatin e saj. Prej fillimit kam ngritur publikisht dhe në mënyrë sistematike një numër të madh çështjesh juridike e procedurale që lidhen me funksionimin e saj, të cilat i kam trajtuar edhe në librin tim “Gjykata Speciale midis të vërtetës dhe mashtrimeve”, ku kam analizuar një nga një problemet që lidhen me mosrepetimit të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, legjislacionin penal e procedural, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe standardet ndërkombëtare të gjykimit të drejtë. Këto shqetësime nuk kanë qenë thjesht politike; ato kanë prekur vetë arkitekturën juridike të këtij procesi.

Problemi më i madh material, sipas këtij vlerësimi kritik, lidhet me mënyrën se si është ndërtuar akuza mbi konceptin e ndërmarrjes së përbashkët kriminale. Kjo teori kërkon një lidhje konkrete ndërmjet të akuzuarve dhe qëllimit kriminal të ndërmarrjes, jo thjesht ekzistencën e një organizate politike apo ushtarake dhe as faktin se individët kanë pasur pozita drejtuese. Prandaj, pyetja thelbësore është nëse është provuar ekzistenca e qëllimit kriminal – (dolus specialis)dhe nëse këta katër persona kanë marrë pjesë me vetëdije në një projekt kriminal. Këtu qëndron një kontradiktë themelore e narrativës së aktakuzës: UÇK-ja doli nga një realitet represioni dhe lufte, u organizua për çlirimin e Kosovës dhe veproi në kushtet e një konflikti të armatosur kundër forcave të Republikës Federale të Jugosllavisë dhe Serbisë. Për ta transformuar këtë realitet historik në një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” kërkohet një nivel prove shumë më i lartë sesa thjesht dëshmia e ekzistencës së strukturave politike, ushtarake apo komunikimeve ndërmjet drejtuesve.

Edhe argumenti mbi strukturën dhe kontrollin duhet të trajtohet me shumë kujdes. UÇK-ja nuk ishte ushtri klasike shtetërore, e ndërtuar mbi modelin e një aparati ushtarak të një shteti të konsoliduar. Ajo ishte një lëvizje guerile e armatosur çlirimtare që u zhvillua në kushte të jashtëzakonshme, kryesisht nga poshtë-lart, nëpërmjet organizimeve lokale dhe zonave operative.

Në aspektin procedural, shqetësimet janë po aq serioze. Një nga çështjet më të diskutueshme ka qenë krijimi i një regjimi të posaçëm procedural përmes Rregullave të Procedurës dhe Provave dhe raporti i tyre me sistemin juridik të Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Një gjykatë e veçantë nuk mund të shndërrohet në një hapësirë juridike ku standardet themelore të gjykimit të drejtë relativizohen. Përkundrazi, sa më i veçantë të jetë mandati i një gjykate, aq më të larta duhet të jenë standardet e transparencës, barazisë së armëve, mbrojtjes së të akuzuarve dhe arsyetimit gjyqësor.

Edhe kohëzgjatja e jashtëzakonshme e procesit ka ngritur pikëpyetje serioze. Një proces penal që zgjatet për vite të tëra, ndërsa të akuzuarit mbahen në paraburgim për periudha jashtëzakonisht të gjata, nuk mund të konsiderohet çështje thjesht administrative. Liria e personit është një e drejtë themelore dhe paraburgimi duhet të mbetet masë e jashtëzakonshme, e justifikuar vazhdimisht me arsye konkrete. Në një rast ku të akuzuarit janë persona publikë, të njohur ndërkombëtarisht dhe që kanë qenë vazhdimisht subjekt i procedurave gjyqësore, arsyetimi për vazhdimin e pafund të paraburgimit duhet të jetë veçanërisht bindës.

Një tjetër shqetësim i rëndësishëm lidhet me transparencën. Seancat e mbyllura, materialet e redaktuara dhe kufizimi i informacionit publik kanë krijuar një distancë të madhe ndërmjet këtij procesi dhe opinionit publik. Sigurisht, mbrojtja e dëshmitarëve dhe interesat legjitime të drejtësisë mund të kërkojnë kufizime të caktuara. Por për një gjykatë që vendos mbi një kapitull kaq të rëndësishëm të historisë së Kosovës, transparenca nuk është luks; është kusht i besueshmërisë.

Po aq shqetësues është perceptimi për pabarazi ndërmjet palëve dhe për një pozitë tepër dominante të Prokurorisë gjatë procesit. Trupi gjykues nuk është palë e Prokurorisë. Roli i tij është të garantojë ekuilibrin procedural, të mbrojë të drejtat e të akuzuarve dhe të sigurojë që çdo provë të vlerësohet në mënyrë të paanshme. Një gjykatë nuk mund të jetë vetëm formalisht e pavarur; ajo duhet të jetë e dukshme dhe bindshëm e pavarur.

Në këtë kuadër duhet të trajtohet edhe burimi i provave. Çdo provë që vjen nga Serbia si shtet armiqësor ndaj Kosovë, duhet të vlerësohet me rigorozitetin maksimal të mundshëm, jo për shkak të origjinës së saj në vetvete, por për shkak të nevojës për të verifikuar autenticitetin, besueshmërinë, kontekstin dhe mënyrën e krijimit të saj. Serbia nuk ka qenë një palë neutrale në konfliktin e Kosovës; ajo ka qenë agresore dhe ushtruese e politikave gjenocidale ndaj popullit të Kosovës.Prandaj, asnjë material nuk duhet të marrë peshë të veçantë vetëm sepse është paraqitur si dokument zyrtar. Në një proces penal, dokumenti duhet të bindë me përmbajtjen dhe autenticitetin e tij, jo me autoritetin e institucionit që e ka prodhuar.

Pas gjithë kësaj, pyetja që shtrohet para Dhomave të Specializuara është historike: a do të mbizotërojë prova mbi narrativën, drejtësia mbi politikën dhe përgjegjësia individuale mbi përgjegjësinë kolektive? Sepse nëse gjykata do të lejonte që drejtuesit e UÇK-së të dënohen mbi bazën e pozitës së tyre, të historisë së organizatës që kanë drejtuar ose të një narrative të përgjithshme për karakterin e luftës, atëherë do të krijohej një precedent jashtëzakonisht problematik. Do të rrezikohej që një proces penal të përdorej për komprometimin juridik të një lufte çlirimtare dhe delegjitimimin e figurave që udhëhoqën Kosovën drejt çlirimit dhe shtetndërtimit.

Prandaj, sot, në prag të vendimit, duhet të jemi optimistë, por ky optimizëm duhet të jetë optimizëm juridik. Ai buron nga një parim që nuk mund të negociohet: nëse Prokuroria nuk ka provuar përtej dyshimit të arsyeshëm përgjegjësinë individuale të katër të akuzuarve, ata duhet të lirohen. Rregulla 140 e Rregullave të Procedurës dhe Provave e vendos këtë standard në themel të vendimmarrjes, ndërsa Rregulla 130 e lidh mungesën e provës së mjaftueshme me mundësinë e rrëzimit të akuzave.Në këtë pikë, një aktgjykim lirues do të ishte shumë më tepër se lirimi i katër individëve. Do të ishte një fitore e provës kundër propagandës; një fitore e drejtësisë kundër politikës dhe një fitore e së vërtetës historike kundër përpjekjeve për komprometimin e luftës së Kosovës.

Kosova nuk kërkon që askush të jetë mbi ligjin. Kosova kërkon që ligji të jetë mbi politikën. Nuk kërkon privilegj për krerët e UÇK-së. Kërkon që ata të gjykohen me të njëjtin standard që do të zbatohej ndaj çdo qytetari tjetër. Nuk kërkon që krimet eventuale të mohohen. Kërkon që ato të provohen individualisht dhe jo të shndërrohen në një instrument për të kriminalizuar një luftë dhe një popull.

Prandaj, pritja ime si juristë është e qartë dhe shpresa ime është e madhe: katër krerët e UÇK-së duhet të kthehen të lirë në Kosovë. Nëse drejtësia e ka fjalën e fundit, nëse prova është mbi narrativën dhe nëse standardi “përtej dyshimit të arsyeshëm” zbatohet realisht, atëherë aktgjykimi lirues është jo vetëm i mundshëm, por përfundimi që drejtësia duhet ta japë kur fajësia nuk është provuar.

Ky do të ishte një moment i madh për Kosovën, por edhe një moment i madh për vetë Dhomat e Specializuara. Sepse një gjykatë dëshmon pavarësinë e saj jo kur dënon, por kur është e gatshme të lirojë edhe atëherë kur mbi të ushtrohen pritshmëri të fuqishme politike. Nëse provat nuk mjaftojnë, vetëm pafajësia është drejtësi.

Krerët e UÇK-së nuk duhet të gjykohen për historinë e Kosovës. Aktgjykimi duhet të jetë i qartë: PAFAJËSI.

Drejtësia nuk duhet ta komprometojë luftën çlirimtare të Kosovës. Drejtësia duhet ta mbrojë të vërtetën përmes ligjit.

Të ngjashme

Të fundit