Zjarri në Krujë, bashkia jep urdhër për evakuimin e banorëve

- Advertisement -

Autoritetet kanë urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në zonën e Barabit dhe Llubanit, në Bashkinë Krujë, për shkak të rrezikut nga zjarri.

Operacioni po koordinohet nga Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile, Prefektura e Qarkut Durrës dhe strukturat e Emergjencave Civile të Bashkisë Krujë, me mbështetjen e zjarrfikësve, Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të ndjekin udhëzimet e forcave në terren dhe të bashkëpunojnë me ekipet e emergjencës.

“Lutemi, me prioritet fëmijët, të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe familjet në zona të izoluara. Banorët e zonës duhet të ndjekin udhëzimet e autoriteteve në terren dhe të bashkëpunojnë me strukturat e emergjencave”, thotë njoftimi i bashkisë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, më parë njoftoi se shkaktar për zjarrin është dora e njeriut, teksa bëri të ditur se Policia e Shtetit e ka arrestuar tashmë zjarrvënësin dhe ai do të përballet me pasojat e rënda ligjore për këtë vepër penale.

Në reagimin e tij, ministri thekson se autori do të përballet me pasojat ligjore për veprën penale, ndërsa strukturat policore vijojnë të jenë të angazhuara në terren për garantimin e sigurisë së banorëve.

“Vijojmë të ndjekim nga afër betejën e vështirë me zjarrin në Krujë, që fatkeqësisht edhe kësaj radhe është shkaktuar nga dora e njeriut”, shprehet Lamallari.

Sipas ministrit, pas kërkesës së pushtetit vendor, Policia e Shtetit ka marrë masa për evakuimin e pjesshëm të banorëve që ndodhen në afërsi të vatrës së zjarrit, si masë parandaluese për garantimin e jetës dhe sigurisë së tyre.

“Çdo forcë është në terren dhe çdo mjet është në dispozicion deri në neutralizimin e plotë të rrezikut”, deklaron ministri i Brendshëm.

Operacioni në Krujë po zhvillohet në kushte të vështira për shkak të terrenit, me angazhimin e forcave tokësore dhe mbështetjen nga ajri. Strukturat zjarrfikëse dhe ato të emergjencave vijojnë punën për izolimin e vatrave dhe parandalimin e përhapjes së flakëve drejt zonave të banuara. /Euronewsalbania

Të ngjashme

Të fundit