Messi donte të linte Botërorin për babain: Drama e dhimbshme që e përjetoi në heshtje

- Advertisement -

Pas buzëqeshjeve, golave dhe emocioneve të forta në Botëror, Lionel Messi po përjetonte një betejë krejt tjetër në jetën private. Në prapaskenë, kapiteni i Argjentinës ishte i shqetësuar për gjendjen e rënduar shëndetësore të babait të tij, Jorge Messi.

Sipas raportimeve të mediave argjentinase, situata ishte aq serioze sa Messi, gjatë turneut, kishte menduar të merrte një vendim ekstrem: të largohej nga grumbullimi i kombëtares dhe të udhëtonte drejt Argjentinës për të kaluar kohë me të atin.

“Në një moment gjatë turneut, Messi madje mendoi të largohej nga ekipi për të shkuar e për të parë babain e tij, Jorge”, raportoi gazeta argjentinase “Diario Olé”.

Për Messin, Botërori nuk ishte vetëm një mision sportiv. Ndërsa miliona tifozë prisnin prej tij magjinë në fushë, ai jetonte me ankthin e asaj që po ndodhte me një prej njerëzve më të rëndësishëm të jetës së tij.

Jorge Messi kishte kohë që përballej me probleme serioze shëndetësore. Gjatë kësaj periudhe, Lionel mbante kontakte të vazhdueshme me familjen e tij në Rosario për të mësuar rreth gjendjes së babait.

Pas finales ndaj Spanjës, Messi u nis drejt Rosarios për të qenë pranë Jorge.

Raportohet se ylli argjentinas nuk kishte mundur ta takonte të atin për rreth dy muaj, çka e bëri edhe më të rëndësishëm atë moment familjar.

Në këtë kontekst, edhe disa nga momentet më emocionale të Messit gjatë Botërorit marrin një tjetër kuptim.

Lotët e tij pas golit ndaj Algjerisë, për shembull, nuk ishin thjesht pasqyrim i presionit apo emocioneve sportive. Pas tyre fshihej edhe shqetësimi i madh për familjen e tij.

Jorge Messi e kaloi një pjesë të kësaj beteje në spital, ndërsa më pas qëndroi në shtëpinë e tij në Rosario, ku pranë tij ishte bashkëshortja Celia. Edhe pjesëtarët e tjerë të familjes, Rodrigo, Matías dhe María Sol, u përpoqën të ishin sa më pranë tij.

Për Lionel Messin, Jorge nuk ishte thjesht babai i tij. Ai ishte një nga njerëzit që e shoqëroi në hapat e parë të rrugëtimit që do ta çonte drejt majës së futbollit botëror.

Dhe ndoshta pikërisht kjo e bën edhe më prekëse faktin se Messi ishte gati të linte pas ëndrrën e Botërorit për pak më shumë kohë pranë njeriut që kishte qenë aty për të që nga fillimi.

Në fund, pavarësisht madhështisë së skenës ku po luante, Messi mbeti djali që donte të ishte pranë babait të tij.

Të ngjashme

Të fundit