Presidenti Ademi uron 28 Nëntorin: Flamuri kuqezi, simbol i bashkimit dhe krenarisë kombëtare

- Advertisement -

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka uruar të gjithë shqiptarët me rastin e 28 Nëntorit, Ditës së Flamurit, raporton Scanner.

Në mesazhin e tij, Ademi ka theksuar rëndësinë historike të kësaj date, duke kujtuar shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, sakrificën e familjes Jashari, luftën e UÇK-së dhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari.

Ai ka vënë në pah edhe rolin e futbollit si një urë bashkimi mes shqiptarëve kudo që jetojnë, duke përcjellë mesazhe të krenarisë dhe unitetit.

Ademi ka uruar që Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare të ecin përpara, të zhvillohen dhe të forcojnë bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Në fund, ai ka shprehur dëshirën që çlirimtarët që po përballen me procesin në Hagë ta festojnë sa më parë këtë ditë në liri dhe pranë familjeve të tyre.

Postimi i plotë:

Urime 28 Nëntori, Dita e Flamurit! 🇦🇱

Sot festojmë një datë që zë vend të veçantë në historinë tonë kombëtare. Është dita kur flamuri kuqezi bëhet simbol edhe më i fuqishëm i bashkimit, krenarisë dhe identitetit tonë kombëtar.

Kjo datë na kthen te rrugëtimi i gjatë i popullit shqiptar drejt lirisë dhe shtetësisë. Nga shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë, te sakrifica e familjes Jashari dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, 28 Nëntori mbetet dëshmi e qëndresës dhe e përkushtimit për liri.

Në këtë ditë kujtojmë edhe ditëlindjen e Komandantit Legjendar Adem Jashari, si dhe daljen publike të UÇK-së, ngjarje që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë.

E për ne në futboll, kjo festë ka edhe një domethënie të veçantë. Futbolli është një prej urave më të fuqishme që na bashkon, pa dallim moshe, vendi apo gjenerate. Përmes tij përcillet krenaria jonë dhe forcohet lidhja mes shqiptarëve kudo që jetojnë.

Të vazhdojmë ta festojmë këtë datë, duke ruajtur kujtesën historike dhe duke përcjellë te brezat e rinj vlerat e sakrificës, bashkimit dhe atdhedashurisë.

Uroj të gjithë shqiptarët kudo që ndodhen festën e Flamurit, me dëshirën që Shqipëria, Kosova dhe të gjitha trojet shqiptare të ecin përpara, të zhvillohen dhe ta forcojnë edhe më tej bashkëpunimin në të gjitha fushat.

Sot kujtojmë me respekt dhe mirënjohje të gjithë ata që, në periudha të ndryshme të historisë, nuk kursyen asgjë për atdheun, teksa uroj që çlirimtarët që po përballen me procesin e Hagës sa më parë ta festojnë këtë datë në liri dhe pranë familjeve të tyre.

Urime 28 Nëntorin! 🇦🇱🇽🇰

 

Të ngjashme

Të fundit