Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arianit Zeka, tha se Kosova nuk është duke shënuar progres ekonomik. Ai tha se vendi aktualisht ka normën e rritjes ekonomike që e kishte para shpërthimit të pandemisë Covid 19.
“Jemi në njëfarë pozicioni kur po e mashtrojmë vetveten, në rend të parë po u referohem deklaratave të cilat vetë qeveria i bën sa i përket zhvillimit ekonomik, ka një nivel të lartë të vetëkënaqësisë, realisht rezultatet e dëshmojnë të kundërtën, pavarësisht thirrjeve tona të vazhdueshme…pra nëse analizohet sa ka qenë norma e inflacionit përgjatë viteve pothuajse të gjitha barazohen, domethënë flasim për rritje të qarkullimit në një normë të përafërt me normën e inflacionit përgjatë këtyre katër viteve të fundit, viti 2020, 2021, 2022 dhe 2023 dhe gjashtë muajt e parë të vitit 2024 që dëshmon se Kosova aktualisht e ka normën e rritjes ekonomike që e ka pasur në vitin 2019, para shpërthimit të pandemisë, para shpërthimit të luftës në Ukrainë”, tha Zeka.
Drejtori i OEAK-së u shpreh se ka pasur rritje të vëllimit të investimeve të huaja direkte, por këto investime nuk ndodhin në sektorë që do ta zhvillonin ekonominë.
“Megjithatë investimet vazhdojnë të tërhiqen në asete joproduktive domethënë në ata sektorë në të cilët kanë dominuar investimet e huaja edhe në vitin 2019 e më herët, sektorin e patundshmërisë, pasuar nga sektori i financave, duke ditur se sektori bankar dominohet nga institucione që janë të pronësi të bankave të huaja, i bije se kemi një ri-investim të fitimit të tyre për vitin përkatës, që do të thotë se ne nuk arrijmë të atraktojmë investime nga aktorë serioz”, tha Zeka në Rubikon të Klan Kosovës.