Ndeshja Kosovë–Izrael nën masa të rrepta sigurie, Policia apel qytetarëve për mirëkuptim

- Advertisement -

Policia e Kosovës ka hartuar një plan të veçantë operativ për garantimin e sigurisë gjatë zhvillimit të ndeshjes ndërkombëtare të Ligës së Kombeve në futboll, ndërmjet Kosovës dhe Izraelit, e cila do të zhvillohet sot në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim nga ora 15:00.

Në kuadër të këtij plani, Policia ka ndërmarrë masa të sigurisë që nga ardhja e ekipit mysafir në Kosovë, përfshirë përcjelljen dhe sigurimin e futbollistëve dhe stafit të tyre gjatë lëvizjeve dhe qëndrimit në vend.

Policia ka bërë të ditur se masat do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa paralajmëron se gjatë lëvizjes së eskortës mund të ketë kufizime dhe ndërprerje të përkohshme të trafikut rrugor në kryeqytet.

Për këtë arsye, qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik u është bërë thirrje për mirëkuptim dhe respektim të udhëzimeve të zyrtarëve policorë.

Po ashtu, Policia ka përsëritur rekomandimet e Federatës së Futbollit të Kosovës për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium. Ata këshillohen të paraqiten me kohë, të kenë me vete biletat dhe dokumentet identifikuese, si dhe të mos bartin gjësende të palejuara apo mjete të rrezikshme.

Aktivitetet e sigurisë do të zhvillohen në koordinim me Federatën e Futbollit të Kosovës dhe kompanitë përgjegjëse për sigurinë, para, gjatë dhe pas përfundimit të ndeshjes.

Policia ka theksuar se do të angazhohet për ruajtjen e rendit publik, parandalimin e incidenteve dhe garantimin e sigurisë për të gjithë të pranishmit.

Të ngjashme

Të fundit