Vetëvendosje bllok institucioneve me të gjitha mjetet, përdoret edhe faqja e Kuvendit në Facebook

- Advertisement -

Lëvizja Vetëvendosje së bashku me partnerët e saj, kanë deklaruar se i kanë 62 deputetë. Për konstituimin e Kuvendit duhen 61. Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i vitit 2025 ka caktuar 30 ditë afat për konstituim, ditë këto që kanë kaluar. Rregullorja e Kuvendit e përpiluar dhe miratuar nga Vetëvendosje në vitin 2022, ka paraparë pauza jo më të gjata se 48 orë, në rast të ndërprerjes së seancës konstituive. Anipse kryesuesi i seancës aktuale vjen po nga rradhët e tyre, Vetëvendosje nuk e ka ftuar seancën tash e.. 100, 200 ose 300 orë, ndoshta. Më shumë se 48 orë… sigurt.

Deputetët e partive opozitare PDK si dhe Aleanca po vazhdojnë të shkojnë në Kuvend të Kosovës, ashtu siç parashihet me rregullore, çdo 48 orë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, ka kritikuar Vetëvendosjen për bllokimin e institucioneve, duke thënë se përgjegjësia politike nuk mund të fshihet pas procedurave apo kalkulimeve partiake.

“Nuk mund të jesh njëkohësisht pjesë qendrore e bllokadës dhe të paraqitesh si viktimë e saj”, deklaroi Tahiri.

Ai shtoi se institucionet nuk mund të bllokohen dhe më pas të kërkohet llogari pse nuk funksionojnë.

Reagon “administrata”

Administrata e Kuvendit të Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e Sallës së Seancave Plenare, duke sqaruar se për datën 16 gusht 2026 nuk ka pranuar njoftim zyrtar për mbajtjen e një seance.

Në një sqarim drejtuar opinionit publik, Administrata e Kuvendit ka thënë se organizimi dhe përdorimi i Sallës së Seancave Plenare bëhet në përputhje me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit dhe procedurat institucionale.

Sipas Administratës, për 16 gushtin nuk është komunikuar zyrtarisht organizimi i ndonjë seance, për çka nuk janë ndërmarrë as veprimet administrative, teknike dhe logjistike të nevojshme.

“Për datën 16 gusht 2026, Administratës së Kuvendit nuk i është komunikuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance. Për rrjedhojë, nuk janë ndërmarrë veprimet përkatëse administrative, teknike dhe logjistike për organizimin e një seance të tillë”, thuhet në njoftim.

Administrata ka theksuar se mungesa e një njoftimi zyrtar nuk duhet të interpretohet si vendim politik apo si qëndrim ndaj iniciativave të deputetëve dhe grupeve parlamentare.

Mungesa e këtij njoftimi nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim të Administratës së Kuvendit lidhur me qëndrimet apo iniciativat e deputetëve dhe grupeve parlamentare”, thuhet më tej.

Deputetja Haxhiu “konsensuale”

Deputetja e betuar e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, ka shprehur “keqardhje” për refuzimin e PDK-së dhe Aleancës ndaj ftesës për takim.

“Këtë refuzim e konsideroj veprim të gabuar, të pamatur”, ka shkruar Haxhiu.

Ajo ka thënë se qytetarët po shprehin vullnetin e tyre përmes zgjedhjeve dhe u ka bërë thirrje liderëve politikë ta zbatojnë atë.

“Zgjedhjet do të duhej të ishin opsioni i fundit nëse jo fare opsion”, ka deklaruar Haxhiu.

Të ngjashme

Të fundit