Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se Irani është i interesuar për një marrëveshje paqeje, duke u shprehur se procesi i negociatave mbetet kompleks për shkak të strukturës së brendshme politike të vendit.
Vance e përshkroi Iranin si një “civilizim krenar” me “njerëz të jashtëzakonshëm”, por shtoi se vendi është gjithashtu “i fragmentuar politikisht”. Sipas tij, kjo e bën ndonjëherë të paqartë pozicionin e ekipit negociator iranian, pasi shumë zyrtarë poshtë udhëheqësit suprem ndikojnë në proces, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Ai theksoi se nuk është gjithmonë e qartë nëse paqartësitë në negociata vijnë nga mungesa e vullnetit politik apo nga komunikimi i dobët brenda strukturave iraniane.
Megjithatë, Vance u shpreh i bindur se Teherani kërkon të arrijë një marrëveshje dhe është i vetëdijshëm për “vijën e kuqe” që lidhet me zhvillimin e armëve bërthamore.
“Do të jem i sigurt vetëm kur të vendoset nënshkrimi në marrëveshje,” tha ai, duke nënvizuar se vetëm një marrëveshje e finalizuar do të konfirmonte progresin real.
Sipas tij, Irani është në dijeni të kufijve të negociatave, por mbetet ende e paqartë nëse çdo nivel i qeverisë iraniane është plotësisht i harmonizuar në qëndrime.






